Aktualitet11 Maj 2018, 15:08

CIA zbardh fjalimin e Hoxhës në Kongresin e 1956: Koçi Xoxe mori dënimin e merituar, Jakova dhe Spahiu tentuan të përçani

Shkruar nga Pamfleti
CIA zbardh fjalimin e Hoxhës në Kongresin e 1956: Koçi Xoxe

CIA zbardh fjalimin e Hoxhës në Kongresin e 1956: Koçi Xoxe mori dënimin e merituar, Jakova dhe Spahiu tentuan të përçanin partinë

CIA ka zbardhur detaje të reja nga përplasjet e Enver Hoxhës me rivalët në parti. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se si ai në Kongresin e 1956 sulmonte Koçi Xoxe, Tuk Jakovën dhe Bedri Spahiun. Në dokument tregohet dhe një fjalim që mbajti Liri Belishova.

Kongresi i tretë i PPSH, 1956

Duke lëshuar pe aq sa për të plotësuar minimalisht kërkesat sovjetike, Hoxha në raportin e tij në Kongresin e tretë të Partisë i bëri homazh “vendimeve të vlefshme” të kongresit të 20-të sovjetik. Sa i përket çështjeve të çarmatosjes dhe vendimit të qeverisë sovjetike për normalizimin e lidhjeve me Jugosllavinë, Hoxha gjithashtu shprehu solidaritet me BRSS, por më tej ai bëri të qartë se nuk do të kishte më shumë de-stalinizim në Shqipëri dhe nuk do të kishte rehabilitim të Koçi Xoxes.

Megjithëse pranoi se partia kishte bërë gabime në vlerësimin e saj mbi partinë jugosllave, Hoxha për këtë ia vuri fajin makinacioneve të Berias (ashtu si dhe sovjetikët) si dhe krimeve të Xoxes. Hoxha tha: “Xoxe ka marrë dënimin e merituar, dënim që kishte miratimin e partisë”. Më tej ai pranoi se Stalini në vitet e fundit të jetës kishte bërë gabime që kishin krijuar kultin e individit, disa prej të cilave ishin manifestuar dhe në partinë shqiptare, por ai pretendonte se ky problem ishte zgjidhur nga partia shqiptare që në vitin 1954.

Më tej Hoxha foli për spastrimin e Jakovës dhe Spahiut në qershor 1955, si dhe për disidencën e hapur që u shfaq në konferencën bashkiake të Tiranës në prill 1956. Ai tha se Jakova dhe Spahiu kishin tentuar të përçanin partinë dhe të hidhnin baltë mbi udhëheqjen, duke zëvendësuar linjën korrekte marksiste-leniniste me atë që karakterizohet nga tendencat trotskiste, nacionaliste e borgjeze.

Ai shtoi se elementët disidencë në konferencën e Tiranës ishin intelektualë “të sëmurë” të klasës borgjeze që kërkonin rehabilitimin anëtarëve të spastruar të partisë dhe ruajtjen e marrëdhënieve miqësore me Jugosllavinë. Hoxha paralajmëroi se partia po e trajtonte këtë çështje në frymën marksiste-leniniste dhe nuk do të toleronte asnjë ndërhyrje nga jashtë.

Liri Belishova pranoi gjithashtu në fjalimin e saj se shumë komunistë intelektualë që ishin “të papjekur” kishin folur pa i menduar mirë kërkesat e tyre për liberalizim në parti dhe në politikën e jashtme. Ajo pranoi gjithashtu ekzistencën e elementëve antisovjetikë në parti, të cilët ankoheshin për sloganet pro-sovjetike, ndaj të cilëve kishin nisur të merreshin masa të ashpra.

Hoxha mbylli fjalimin e tij duke thënë se partia nuk ka bërë gabime pasi ka ndjekur në mënyrë korrekte kursin e komitetit qendror dhe gjithnjë ka menduar për të mirën e popullit dhe ka zbatuar linjën e përgjithshme të partisë sovjetike. Për të demonstruar saktësinë e pretendimeve të Hoxhës kongresi shqiptar vazhdoi më tej duke ri-zgjedhur të gjithë anëtarët e Byrosë Politike të vitit 1952. Edhe komiteti qendror i partisë u rizgjodh në poste, me përjashtim të Jakovës dhe Spahiut, të cilët ishin përjashtuar në 1955.

Zbutja e presionit sovjetik

Megjithëse Moska kishte njëfarë zhgënjimi për mendësinë radikale shqiptare, ajo zbuti disi presionin e saj pas trazirave të Poznan në Poloni në fund të qershorit 1956. Udhëheqja sovjetike u alarmua disi nga ngjarjet teksa në 30 qershor Moska lëshoi një rezolutë paralajmërimi ndaj borgjezëve ndërkombëtarë që kërkonin të nxisnin trazira në botën komuniste.

Reagimi i menjëhershëm sovjetik ndaj trazirave në Poznan ishte fajësimi i agjentëve reaksionarë dhe imperialistë që kishin përfituar nga “disa vështirësi ekonomike” dhe kishin inkurajuar udhëheqësit polakë të mos pranonin gabimet e tyre.

Përballë rritjes së pakënaqësisë publike dhe thellimit të fraksionalizmit në partinë hungareze, sovjetikët bënë presion për largimin e Rakosit dhe zëvendësimin e tij me stalinistin e vjetër Gero. Në fillim të shtatorit partia sovjetike shpërndau një letër sekrete duke paralajmëruar të gjitha vendet satelite për të mos menduar të ndjekin shembullin e Jugosllavisë, duke promovuar BRSS si modelin korrekt. Pas korrikut udhëheqja shqiptare nuk ishte më objekt presionesh sovjetike për vazhdimin e destalinizimit apo për tolerimet ndaj Titos.

Gjithsesi frika shqiptare për rinisjen e presionit sovjetik për Jugosllavinë u shtua përsëri me vizitën e Titos në Moskë në fund të shtatorit. Kjo ngrinte shumë dyshime, ashtu siç tha Hoxha në konferencën e Moskës në 1960: “Përse gjithë këto takime në Brioni me jugosllavët dhe asnjë takim me ne?”. Çështjet e vendeve satelite ishin vërtet objekti kryesor i këtyre diskutimeve dhe Tito e pranoi publikisht këtë në nëntor 1956.

Gjatë turneut të tij triumfues në BRSS, Tito tha se kishte këmbëngulur për largimin e Rakosit në Hungari dhe gjithashtu kishte shprehur rezerva për pasuesin e tij Gero pasi nuk ndryshonte shumë prej tij. Ai tha se megjithëse udhëheqësit sovjetikë kishin ende pikëpamje të gabuara mbi lidhjet me Poloninë, Hungarinë e të tjerët, ai nuk e humbte besimin pasi kjo nuk ishte mendësia e të gjithë udhëheqjes por vetëm e një pjese të saj që kishin imponuar mendimin e tyre të të tjerët.

Revolucioni në Hungari ktheu kursin e ngjarjeve në Evropën Lindore dhe i lejoi udhëheqjes shqiptare të ruante qëndrimin e saj intolerant ndaj Jugosllavisë. Menjëherë pas trazirave Hoxha sulmoi Jugosllavinë si fajtore për “kundër-revolucionin në Hungari”.

Për këtë ai mori dhe mbështetjen sovjetike, teksa në një artikull të “Pravda” më 8 nëntor u botua fjala e Hoxhës për 215 vjetorin e themelimit të partisë shqiptare. Në të, pa përmendur me emër Jugosllavinë, Hoxha sulmonte “elementët që joshin komunistët dhe popujt me slogane për socializmin e veçantë dhe demokracinë tjetër që nuk ka asgjë nga fryma e proletariatit”.

Sulmet e Tito

Tre ditë më vonë në fjalimin e tij në Pula, Tito sulmoi personalisht Hoxhën duke e quajtur “pseudo-marksist që di vetëm të thotë marksizëm-leninizëm, dhe asgjë tjetër … Një tip i tillë që vetëm shan Jugosllavinë dhe vende të tjera të mëdha socialiste si Polonia, kundërshton dhe vetë Bashkimin Sovjetik. Elementë të tillë stalinistë besojnë se do të gjejnë te BRSS stalinistë që do i mbështesin, në kurriz të popullit të tyre”.

Me këtë fjalim të Titos tashmë ishin hequr maskat dhe shtypi shqiptar nisi të mbushej me sulme ndaj Jugosllavisë. Më 23 nëntor Shqipëria njoftoi për ekzekutimin e Gegës dhe bashkëpunëtorëve të saj “për spiunazh nga një vend i huaj”, dhe në të njëjtën ditë “Zëri i Popullit” akuzoi udhëheqësit jugosllavë për ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Shqipërisë. Më 28 nëntor ministri i Mbrojtjes Balluku akuzoi Titon si tradhtar i komanduar nga imperialistët, i cili kishte mbështetur lëvizjen reaksionare në Hungari, sepse kishte marrë asistencë nga vendet imperialiste.

Ai premtoi më tej se komunistët shqiptarë do të mbronin sistemin e tyre nga çdo lëvizje armiqësore dhe nga çdo agjent i huaj si Tito. Këto sulme agresive që binin në kundërshtim me politikën miqësore të shfaqur nga Moska ndaj Jugosllavisë, u mbështetën dhe nga BRSS. Në një analizë të përgjithshme të Pravdas për fjalimin e Titos në Pula, ngrihej pyetje se përse Hoxha të mos kishte të drejtë për opinionin e tij apo për të kritikuar pretendimet jugosllave.

Pravda pranonte se Jugosllavia nuk kishte ndërhyrë në punët e brendshme të partisë shqiptare por kishte përdorur shprehje të pista dhe ofenduese. “Në të njëjtën kohë dihet që udhëheqësit jugosllavë flasin në mbrojtje të tezës së barazisë mes vendeve të vogla e të mëdha dhe të drejtës së tyre për të shprehur opinionin”, thuhej në shtypin rus.

Duke përfituar nga mbështetja sovjetike Hoxha në fillim të 1957 vizitoi përsëri Moskën dhe pas kthimit të tij në shkurt ai citoi zhvillimet në Poloni dhe Hungari për të justifikuar korrektësinë e linjës së partisë shqiptare. Ai tha se komunizmi në Shqipëri nuk ishte kërcënuar pasi partia kishte goditur në kohë të gjitha shfaqjet e oportunizmit.

Duke iu referuar elementëve të partisë që kishin kërkuar liberalizim të diktaturës së proletariatit, Hoxha tha se pikëpamjet e Jakovës e Spahiut ishin të njëjta si dy pika uji. Gjatë këtyre muajve vazhduan arrestimet e disidentëve dhe oficerëve. Në maj ministri pa portofol Panajot Plaku u arratis drejt Jugosllavisë.

Më vonë Hoxha pretendoi se Plaku kishte luajtur rolin kryesor në konferencën bashkiake të Tiranës në prill 1956. Ndërkohë BRSS për të shuar disi dyshimet dhe kontradiktat me Shqipërinë emëroi më 7 prill 1957 ambasadorin e ri V.I. Ivanov, në vend të L.I. Krilov. Disa ditë më vonë Hoxha e Shehu, të shoqëruar nga anëtarët e byrosë Gogo Nushi, Spiro Koleka, Rita Marko, Ramiz Alia dhe ministri i jashtëm Shtylla u nisën për një vizitë shtetërore në BRSS. Ky ishte delegacioni më i lartë e më i madh që shkonte në Moskë, dhe ishte pjesë e përpjekjeve sovjetike për të forcuar autoritetin në bllok me anë të kontakteve bilaterale.

Gjatë kësaj vizite Moska bëri hapa të rëndësishëm në përmirësimin e lidhjeve me Shqipërinë. Sipas programit të tyre për rritjen e asistencës ndaj bllokut, BRSS njoftoi më 17 prill anulimin e borxhit prej 422 milionë rubla të Shqipërisë dhe ofrimin e 31 milionë rubla asistencë në mjete bujqësore.

Me anulimin e borxhit BRSS i bëri një dhuratë të rëndësishme Shqipërisë industrinë që kishte ndërtuar në vend prej vitit 1948. Udhëheqësit shqiptarë u kthyen në Tiranë të kënaqur për dhuratat sovjetike edhe ata e bënë të qartë se BRSS nuk kishte hequr dorë nga planet për riafrimin me Titon, dhe ndjekjen e një shembulli të ngjashëm nga Shqipëria.

Komiteti qendror shqiptar deklaroi në fund të prillit se do të vazhdojë përpjekjet për përmirësimin e lidhjeve me Jugosllavinë bazuar në parimet marksiste-leninsite të ndërkombëtarizimit proletar, të të drejtave të barabarta dhe mos-ndërhyrjes në punët e brendshme./Sot/

Dossier CIA zbardh fjalimin e Hoxhës në Kongresin e 1956: Koçi Xoxe mori dënimin e merituar Jakova dhe Spahiu tentuan të përçanin partinë