Aktualitet28 Qershor 2018, 07:41

CIA zbardh sekretet e operacioneve në Shqipëri më 1953, si u mori jetën Sigurimi i Shtetit spiunëve

Shkruar nga Pamfleti
CIA zbardh sekretet e operacioneve në Shqipëri më 1953, si u mori

CIA zbardh sekretet e operacioneve në Shqipëri më 1953, si u mori jetën Sigurimi i Shtetit spiunëve

Më 1953 në Shqipërinë komuniste, në juglindje të vendit arritën të hynin nga Greqia agjentë sekretë për të grumbulluar informacione. Sipas ”SOT” CIA ka zbardhur detaje të tjera  ku thuhet se frika më  e madhe ishte nga Sigurimi i Shtetit, pasi prej tyre u ekzekutuan shumë spiunë.

7 gusht 1953

Grupi Uillou (Shelgu) prej 5 vetësh doli nga Shqipëria prej kufirit grek më 26 korrik dhe është dërguar në Athinë për t’u marrë në pyetje. Grupi u kthye në gjendje të mirë shëndetësore dhe morale. Deri tani nuk mund të themi nëse informacioni i tyre ishte i cilësisë lartë por dhe vetë ekzistenca e tyre është një arritje e përgjithshme e misionit. Misioni i tyre rrodhi si më poshtë:

Grupi kaloi kufirin në 5 korrik në ora 21.00 në Gobel. Kontakti i tyre i parë u bë më 7 korrik me Tosum Aliun në Kamenicë, i cili u informua për nevojat e grupit. Më 7 korrik grupi u takua me Sherif Kalo, një njeri i besuar, ndërsa në mesnatë la sinjalet për të njoftuar Istref Metkën se gjendej në zonë.

Mëngjesin e nesërm ata u takuan me Metkën, i cili u dha disa informacione dhe organizoi furnizimin me ushqim të grupit. Më 9 korrik grupi kontaktoi me Ali Riza Selimin. Metka siç ishte rënë dakord i dha grupit lekë shqiptare dhe ranë dakord për kalimin e informacionit në letër, Riza Selimi furnizoi grupin me ushqim dhe gazeta, dhe mori instruksionet e mëtejshme nga grupi.

Më 12 korrik grupi arriti në shtëpinë e Ilmi Sullolli në Voskop ku u bënë marrëveshje për furnizim me ushqim dhe për rrugën e kthimit. Pas largimit nga Voskopi grupi nisi të lëvizte drejt veriut për të gjetur kontaktet në Tresovë. Rruga e grupit kalonte nga Goskova, Damjanica. Më 14 korrik ata takuan Ferik Petriti dhe qëndruan në zonë deri më 16 korrik. Më 18 gusht kreu i grupit u takua me Petritin dhe Skënder Mehmet Shehun në Malin e Skozës. Në këtë takim ata morën disa informacione dhe u ra dakord të takoheshin me Adam Agollin një ditë më vonë. Pas këtij kontakti grupi nisi rrugëtimin drejt bazës.

Më 20 korrik grupi arriti në Malin e Gocës dhe qëndruan aty deri në mbrëmjen e 21 korrikut. Data 22 e gjeti grupin në Damjanicë dhe në 23 ishin në Goskovë, ku kontaktuan me Gani Muharremin. Ai furnizoi grupin me disa informacione dhe me ushqim. Grupi mbeti në këtë zonë në datat 24 e 25 dhe mëngjesin e 26 korrikut kaluan kufirin në Gobel.

Mbledhja e informacioneve

Grupi nuk ka arritur të ruajë të gjitha kontaktet prej rritjes së aktivitetit të Sigurimit në zonë. Disa nga informacionet më pozitive ishin: Në maj njëfarë Ramadan Dovarani është vrarë nga patrullat e sigurisë në Nikolicë. Sipas informacioneve Dovarani ishte pjesë e grupeve greke. Forcat e sigurisë mburren në të gjithë fshatrat se kanë vrarë më shumë se 300 reaksionarë këtë vit, të dërguar në Shqipëri nga armiqtë e popullit.

Forcat e Sigurimit tashmë po ndihmohen nga njësitë ushtarake dhe civilët e armatosur kur lind nevoja. Aktualisht gazetat mund të merren vetëm nga të abonuarit e rregullt. Aktualisht, 25 lekë shiten për 1 dollar dhe 350 për një paund të florinjtë. Në Korçë është vendosur divizioni i 2-të i ushtrisë i drejtuar nga Skënder Balini, me njësi në Vithkuq, Gjomomath, Zamblak e Pijase. Më 8 korrik Rexhep Kreka me 2 ndihmës erdhi në Kamenicë për të mbledhur taksat dhe kuotat e prodhimit. Atë ditë nuk lejohej të largohej asnjë nga fshati.

Të gjithë personave që nuk plotësonin dot kuotat e tyre iu morën bagëtitë. Një major i panjohur i sigurisë dhe Sabaudin Gjonomathi erdhën gjithashtu në Kamenicë atë ditë. Gjonomathi është përgjegjës për informatorët civilë në zonën e Korçës. Më 1 qershor fluturoi një avion në drejtim të Voskopojës, ndërsa më 3 qershor shiheshin avionë që fluturonin në drejtim të Korçës. Më 10 korrik Seladin Muslimi, drejtor i dyqanit shtetëror në Moçan, u arrestua prej deficitit prej 60 000 lek në inventar.

Po atë ditë, mbledhësi i kuotave Se .. Dolani u arrestua për deficitit 42 000 lekë. Më 17 maj dy anije që besohet se ishin ruse, Ceturi dhe Zorre, shkarkuan në Durrës arka që nuk dihej çfarë ishin. Në fshat pas orës 21.00 ndalohet qarkullimi, ndërsa jepet leje nga qeveria për personat që duhet të punojnë për të plotësuar kuotat. Sipas një urdhri sigurie të ardhur nga Tirana, të gjitha njësitë kufitare vihen në alarm për gjashtë ditë pas datës kur raportohet se një grup reaksionar ka hyrë në vend.

Në maj të këtij viti një grup me dy veta nga Jugosllavia u tradhtua nga një prej kontakteve të tyre. Para se të vriteshin dy agjentët vranë kreun e këshillit të fshatit, sekretarin e organizatës bazë dhe tre ushtarë në fshatin Gretush të Pogradecit. Më 20 qershor një betejë me armë u zhvillua në zonën mes Kozelit dhe Nikolicës.

Policia, Sigurimi dhe grupet e ndjekjes rrethuan një grup reaksionar prej 4 personash. 3 prej tyre u vranë ndërsa i katërti kur i mbaruan municionet u thirri forcave të sigurisë se do të dorëzohej, por kur ata po afroheshin agjenti thërriti “nuk i dorëzohem kurrë qenve” dhe vrau veten me helm. Katër të vrarët u dërguan në fshatin Kamenicë mbi mushka dhe më pas në drejtim të Korçës. Grupi arriti të mësonte se agjenti i katërt kishte rezistuar për disa orë para se të vriste veten.

Një prej të vrarëve ishte i gjatë me flokë të verdhë në të kuqe, dhe kishte një radio të lidhur në kurriz. Grupi nuk kishte të tjera informacione për grupin e asgjësuar por zhvillimi ishte me interes pasi duket se ka ndodhur në kohën dhe vendin e aktivitetit të grupit Apple/3. Informacionet e marra përkojnë me agjentët tanë në fjalë. Në lidhje me sa më sipër, është konfirmuar nga rojet kufitare greke se një grup me katër persona është vrarë në Vithkuq. Aktualisht po përpiqemi të marrim të tjera informacione nga oficeri grek.

Objektivat

Grupi Uillou përfundoi me sukses objektivat e tij, në lidhje me sa mund të pritet sipas cilësisë së grupit. Ishte kënaqësi të shihej që rrjeti nuk kishte pësuar dëmtime pas një mungesë të gjatë në vend, dhe që grupi arriti të përcaktonte se Sabadin Gjonomathi nuk mund të besohej më. Me anë të kontaktit me Skënder Mahmut Shehun grupi arriti të kontaktonte me kapitenin e dytë Qerim Cano të njësive të Korçës. Cano i tha Shehut se mund të japë informacione për grupin dhe gjithashtu kërkoi informacione nga jashtë. Ne në fakt kemi dyshime mbi përdorimin e këtij kontakti pa mësuar më shumë mbi bindjet apo karakterin e tij, prandaj do të dëshironim çdo informacion të mundshëm mbi Qerin Canon.

Grupi raportoi se autoritetet po intensifikojnë operacionet e kërkimit e patrullimit për grupe reaksionare prandaj misione të tilla mund të vështirësohen. Por hartuesi beson se vështirësitë nuk vijnë nga masat e sigurisë por nga fakti se rajoni është i mbushur me grupe të sponsorizuara nga Greqia.

Siç u përmend më herët, Riza Dule nga Rodoni i Përmetit, është larguar nga Korça më 25 korrik duke tentuar të kalojë kufirin drejt Greqisë, por pak pasi kaloi kufirin ai hasi në një patrullë që besonte se ishte greke dhe u thërriti se donte të dorëzohej. Por patrulla rezultoi të ishte grupi Uillou i cili e mori personin në dorëzim dhe para se ta dorëzonte të autoritetet greke e mori paraprakisht në pyetje. Raporti i marrjes në pyetje do të dërgohet pasi të jetë proceduar nga Sektori i Inteligjencës.

Lista e grupit të kontakteve dhe shërbimet nga secili prej tyre

Mehmet Aliu nga Kamenica ka furnizuar grupin me gazeta, ushqim dhe informacion, për të cilat u shpërblye me 10 monedha ari. Istref Metka nga Kamenica solli për grupin lekë shqiptare, ushqim dhe informacion, për të cilat mori 10 monedha ari dhe 22 dollarë amerikanë. Ali Riza Selimi furnizoi grupin me ushqim, gazeta dhe informacion, për të cilat mori 4 monedha ari. Shefik Asllani ka dhënë gazeta dhe informacion. Subjektit iu dhanë 4 monedha ari. Ilmi Sullolli dha për grupin ushqim dhe ka marrë 10 monedha ari.

Ferit Petriti nga Skoze furnizoi grupin me ushqim dhe kontaktoi me Skënder Mahmut Shehun, për të cilat mori 5 monedha ari. Skënder Mahmut Shehu furnizoi grupin me informacion dhe me libra që kanë vlerë për transmetimet radio, dhe kontaktoi me kapitenin e dytë Qerim Cano. Ai mori për shërbimet 5 monedha ari. Persona të tjerë që u shpërblyen për shërbimet ndaj grupit ishin: Ramadan Bajrami, 5 monedha ari, familja Qemal Hoxha, 5 monedha ari, Adem Agolil 5 monedha ari, Gani Muharremi 1 monedhë ari, Sherif Kalo 1 monedhë ari, Zenel Aliu 2 monedha ari.

Grupi kishte gjithashtu shpenzime të tjera si ushqim në kufi dhe sende për të marrë brenda vendit: 20 okë bukë, 1 kavanoz ullinj, 3 okë djathë, 1 shishe pije, 2 okë pjeshkë, 11 kanaçe mish, 1 okë çokollatë dhe disa sasi kripë, sheqer, kafe e duhan. Grupi u kthye në Greqi me 1 monedhë ari dhe 126 500 dhrami. I gjithë infiltrimi i kushtoi operacionit BGFiend 70 monedha ari dhe 25 dollarë, minus paratë e kthyera. Vlera e monedhave të arit është 6.8 dollarë.

Operacioni arriti të sigurojë lekë shqiptare që nevojiteshin me urgjencë për analizë. U sigurua konfirmimi i informacioneve të marra, si dhe gazetat e librat me vlerë për transmetimet radio. Kontaktet me kapitenin Cano mund të jenë një rrugë për aktivitete të tjera, ndërsa informacionet mund të përcaktojnë fatin e një prej grupeve tona të humbura. Informacioni pozitiv i fituar nga infiltrimi është i vogël por duhet të kujtojmë se grupi u krijua fillimisht si hartues tekstesh. Ne besojmë se operacioni justifikoi kohën paratë dhe përpjekjet e shpenzuara.

Korrik 1953

Shfrytëzim i mundshëm propagande

Vërejmë se në riorganizimin e fundit të qeverisë më 23 korrik duket se kontrolli i pushtetit mbetet në duart e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut, teksa i pari vazhdon si kryeministër dhe udhëheqës i partisë, ndërsa Shehu, edhe pse i liruar nga roli i sekretarit të Komitetit Qendror mban postin e ministrit të brendshëm dhe të zv. kryeministrit. Nuk e di sesa informacion kemi mbi rivalitetin mes të dyve dhe as mbi lidhjet e secilit apo mbështetjen e BRSS që Shehu ka gëzuar deri tani. Por doja të dorëzoja këtë zhvillim të fundit për t’u marrë në konsideratë për trajtim dhe shfrytëzim në elementet e propagandës.

Unë mendoj se mund t’i japim atyre trajtim të zi ose të hirtë, sipas tematikës se Shehu është “njeriu i Berias” dhe se po vuan dhe ai pasojat e rrëzimit të Berias në BRSS. Por gjithsesi pozita e Shehut mbetet e fortë sa për të mos u shkarkuar plotësisht nga Hoxha, dhe në fakt ruajti postin e rëndësishëm të kreut të sigurisë së vendit. Bazuar në informacionet e fundit nga burimet brenda qeverisë shqiptare që deri tani kanë rezultuar të besueshme, duket se do të ketë lëvizje të tjera të Hoxhës për të minuar pozitën e Shehut.

Nuk dihet se deri në ç’masë Shehu është në dijeni të planeve për të, por supozohet se duhet të ketë informacione mbi komplotin dhe raportohet se ka marrë masa për mbrojtjen e vetes. Meqë ra fjala, ku jemi në lidhje me qasjen e re të DASH mbi rëndësinë e akordit të ri Greqi-Turqi-Jugosllavi për Shqipërinë. Subjekti i Shqipërisë u ngrit përsëri në takimin e fundit me PSB, ku u theksua nevoja e veprimit. Kryetari Dulles besonte se duhet të avancojnë aq shpejt sa e lejojnë kushtet diplomatike.

Frank Wisner

Nëndrejtor i CIA

Viti 1954

Letër drejtuar Majorit Basho

I dashur major Basho. Ne shqiptarët jashtë kompanisë kemi dëgjuar se një numër i madh anëtarësh jashtë kompanisë kanë dorëzuar te ju dhe te autoritetet amerikane një peticion për t’u dorëhequr nga Kompania. Ne jemi të informuar se si arsye ata kanë shprehur mungesën e besimit te ju që prej krijimit të Kompanisë. E vërteta është se kjo çështje po ziente prej disa kohësh dhe ka qenë e qartë për të gjithë ne se do të shpërthente, siç ndodhi në fakt. Ne besojmë se ju nuk duhet të shqetësoheni pasi ju vetë jeni shkaku i katastrofës. Si person më i moshuar dhe që ka provuar më shumë vuajtje, ju e keni eksperiencën për të gjetur një zgjidhje ndaj problemit.

Nëse keni kurajën për t’u dorëhequr ata do të jenë të kënaqur. Ju duhet të jeni mirë ekonomikisht prandaj mund të bëni këtë gjest që do të vlerësohej shumë dhe nuk do të përçmoheni më nga të gjithë, por përkundrazi do të mbeteni një mik. Nëse nuk e bëni këtë kusia do të plasë dhe do të ketë pasoja të pakëndshme, pasi miqtë e vendit tonë do t’i shikojnë me ftohtësi çështjet shqiptare. Dhe në fakt nuk do të ishte çudi që ata ta shpërbëjnë tërësisht kompaninë shqiptare siç bënë me kompaninë bullgare. Edhe një herë: Në rast se ju mendoni të rezistoni ne besojmë se do të jetë e kotë pasi të gjithë ata që kanë kërkuar largimin tuaj i kanë faktet në dorë për aktivitetin tuaj gjatë kohës që i keni drejtuar.

Shumë nga shqiptarët do të të thonë në fytyrë se ke diskriminuar në punë, në grada, në dënime, pranime e përjashtime. Dy persona fajtorë pët të njëjtin faj, janë dënuar në mënyra të ndryshme, të tjera janë përjashtuar nëse nuk janë deklaruar anëtarë të partisë tënde. Prandaj i ke favorizuar anëtarët e ty dhe i ke mohuar të drejtën të tjerëve. Ti ke ditur të shfrytëzosh komandantin amerikan nga Mangeli deri tani, në mënyrë aq dinake sa ata nuk e kanë kuptuar.

Këtë shfrytëzim ti e ke përdorur në interes të partisë tënde dhe për t’i treguar të tjerëve se vetëm ti je i aftë, prandaj të tjerët duhet të demoralizohen për t’u detyruar të bashkohen në radhët e tua. Ti e ke mbushur Kompaninë me njerëz të partisë tënde me qëllim që të forcojë të ashtuquajturin KKDShL të Parisit dhe gradualisht për të dobësuar KKShL (Komiteti Kombtar Shqipëria e Lirë) të SHBA, në të cilin përfaqësohen shqiptarët e të gjitha niveleve dhe nacionalistët e njohur nga kombet mike.

Kjo letër që po të dërgoj në emër të shqiptarëve të tjerë jashtë kompanisë, është rezultat i bindjes në ndërgjegjen tonë si shqiptarë që punojnë për qëllimin e përbashkët të çlirimit të atdheut, se vetëm faktet mund të gjykojnë për mirqenien dhe uljen e tensioneve. Prandaj mos e keqinterpreto këtë letër, pasi nuk është shkruar pë ofendim ose për urrejtje, por për të mirën e përbashkët. Me respekt, Ymer Doda

Hohenbrun, 13 shtator 1955

Komandës së kompanisë së Rojës Amerikane. Ne të nënshkruarit, Kompania e Punës Hohenbrun-Uachterhof, kemi nderin të dorëzojmë sa më poshtë: Në mënyrë të pavarur nga partitë politike apo grupet brenda Kompanisë 4000, të cilët punojmë me njëri-tjetrin sipas urdhrave që na janë komunikuar nga titullari kapiten Z. Sobota që prej 12 tetorit 1954, jemi përfshirë tërësisht në aktivitetet dhe punën tonë të përditshme, përveç polemikave kundër njëri-tjetrit.

Në lidhje me këtë, të gjithë ata prej nesh që mbajnë emrin “shqiptar” besojnë fuqimisht se ky urdhër është dhënë nga titullari i asaj kompanie dhe është respektuar nga të gjithë anëtarët pa dallim, ndërsa është kundërshtuar si gjithmonë nga personat e rrethi të komandantit Çaush Bashi dhe është nxitur prej tij. Këto manovra e organizime që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen nga komandanti i Kompanisë 4000 me lejen e eprorëve të tij, bëjnë dallime mes grupeve të ndryshme duke përdorur forcë dhe presion ndaj njërit, dhe shpërblime ndaj një tjetri.

Ne i kemi vërejtur këto që prej ardhjes së kapiten Sobotës, kur ndryshimet mes ideologjive jo vetëm që nuk u shuan, por madje është përdorur edhe dhunë ndaj personave që e kanë shpallur veten pjesë të rezistencës kombëtare ose në mbështetje të politikave të Perëndimit.

Për këto arsye dhe më shumë për kritikat e drejtuara ndaj udhëheqjes së rezistencës kombëtare që po akuzohet si spiune e Amerikës, ne kemi nderin t’ju njoftojmë se e kemi humbur tërësisht besimin në punën me titullarin e Kompanisë 4000, i cili është sot në fuqi dhe besojmë se duhet ndërhyrë për ta përjashtuar dhe zëvendësuar me një komandant të paanshëm. Nëse kjo nuk ndodh ne do të rezistojmë në lidhje me kontratat e punës.

Dossier CIA Sigurimi i shtetit