Edi Rama i shpalli dëshmorë 4 të vrarët në mënyrë barbare më 21 janarin e vitit 2011 vetëm 10 vjet nga rënia e tyre.
I shpalli dëshmorë, vetëm kur përpara tij ka një datë ku kërkon një mandate të tretë qeverisës, e për dy mandate nuk solli as drejtësi, e as të vërtetë, as dinjitet për familjarët e Ziver Veizit, Aleks Nikës, Hekuran Dedës dhe Faik Myrtajt.
Ta nisim nga fillimi: Edi Rama që në vitin 2013 bëri aleancë me njeriun që qe shkaku i 21 Janarin, Ilir Metën, i cili i cilësoi të vrarët si “kokëpalarë”.
Në 4 vjet të bashkëqeverisjes me të, Edi Rama, nuk i kërkoi as privatisht e as publikisht Ilir Metës të kërkonte ndjesë për fyerjen ndaj familjes së viktimave, nuk bëri të mundur që Meta të kishte takuar të paktën kokë me kokë e të bënte mea coulpa-n e tij.
Rama, siç thotë vërtetë nuk ka pasur drejtësinë për të dënuar fajtorët, ekzekutorë dhe ekzekutues të vrasjes, por ka pasur të gjitha mundësitë për të furnizuar drejtësinë për të vërteta më të plota dhe më të thelluara mbi krimin e 21 Janarit.
Të vërteta, që pasi t’i hetonte qoftë nëpërmjet policisë, qoftë nëpërmjet një grupi avokatësh apo investigatorësh të pavarur e privatë, mund t’i bënte publike, e pasi t’i bënte publike, t’i dërgonte në Prokurori. Të plota, të qepura, të debatuara e transparente. T’ja linte drejtërisë së re; SPAK-ut në derë, që nëse nuk e bënte ajo punën, atëherë ta mbajte ajo përgjegjësinë.
Ndërkaq, shpallja dëshmorë e 4 qytetarëve të vrarë padrejtësisht, barbarisht nga ana e trupave të Sali Berishës, duhej bërë ndoshta që ditën e parë kur erdhi në pushtet, shtatorin e 2013-ës, madje ditën që hodhi poshtë Gardhin e hekurt të Kryeministrisë.
Nuk e bëri natyrisht se nuk ja lejoi Ilir Meta, nuk e bëri së kërkonte të mbante në shantazh Metën e Berishës me sensin e fajit për 4 të vrarët.
Por në këtë rast, pas 10 vjetësh, mund të thuhet hapur se Edi Rama ka luajtur si ka dashur me një të drejtë e koshiencë qytetare siç ishte ajo vrasje barbare.
E ka përdorur sipas interesave të momentit; madje më keq, sipas interesit elektoral. Që ashtu siç i mban pezull investimet, asfaltin, urat e madje edhe ndërtimin që t’i shesë në fushatë si punë e mbetur pezull, t’i mbajë edhe shpresën e mekur të 4 familjarëve për të dashurit e tyre.
Po koshienca qytetare për një krim që duhet të ishte ndëshkuar në mënyrë shembullore, qoftë për të përmendur fajtorët me emër e mbiemër e të thotë hapur që nuk kisha mundësi që të bëja më shumë?
Por jo ka edhe më keq, siç është rasti i kryebashkiakut të Matit i cili ka qenë pjesë e atyre gardistëve të 21 janarit.
Ka qenë gardist i mirë? Pse nuk e nxjerr në television që të rrëfejë të gjithë të vërtetën e atij krimi barbar?!/Pamfleti