Ç’kodimi i intervistës së Edi Ramës për agjencinë turke: çon në djall Europën, profilohet si lider islamik

Thelbi i intervistës së Edi Ramës për agjencinë publike të lajmeve në Turqi, Anadolu Ajansi, është në tre momente kyçe të saj, ku kryeministri shqiptar mer një pozicion skajshëm të njëanshëm dhe ka gjasa të kontestueshëm dhe të rrezikshëm.



I pari moment dhe më i rëndësishëm është koha që ka zgjedhur Rama të flasë për turqit, pikërisht kur pret vendimin e Brukselit për hapjen e negociatave me BE. Kjo në politikë quhet karshillëk që është fjalë turke, ose edhe shantazh i pastër.

Momenti i dytë është kur Edi Rama për herë të parë, kur nuk e kishte thënë kurrë deri më sot, e pikturon sulltanin e ri, Rexhep Tajip Erdoganin, si një lider që ka frymëzuar kryeministrin shqiptar për të transformuar Tiranën.

“Marrëdhënia ime me presidentin (Erdoğan) është një marrëdhënie që ka nisur pa u njohur unë me të, pasi e kam admiruar për së largu punën e tij të jashtëzakonshme si kryetar i Bashkisë së Stambollit dhe rolin transformues që ai ka pasur dhe ka qenë një ndër shembujt që më kanë frymëzuar për atë që kam bërë për Tiranën. Pastaj kam pasur fatin të njihem me të ta vlerësoj së afërmi, një marrëdhënie që është e ngritur mbi respektin reciprok që nuk ka absolutisht asnjë nga ato shenja që shumëkush merr përsipër të ngrejë akuza dhe teori konspiracioni. Mbi të gjitha është një marrëdhënie e veçantë pasi bazohet tek një parim që nuk e gjen shpesh në marrëdhëniet politike dhe diplomatike që ‘po’ është ‘po’ dhe ‘jo’ është ‘jo’”. tha Rama për AA.

Pra e thotë hapur se ajri që Rama-kryebashkiak ka futur në mushkëri vinte nga Lindja, përkatësisht nga Stambolli dhe modeli politik i Edi Ramës është tepkë Sulltani i ri që dy ditë më parë kërcënoi me luftë të shenjtë kundër krishtërimit.

Dhe meqë ra fjala për krishtërimin, rrënjën kulturore të Europës ku kërkon të hyjë Shqipëria, Edi Rama ka dhënë deklaratën më të bujshme deri tani, që nuk e ka dhënë as ndonjë lider fetar apo ndonjë politikan me prirje islamiste.

Të godasësh fenë islame dhe të mbash qëndrime islamofobe do të thotë në fakt të godasësh një rrënjë të rëndësishme të pemës së shqiptarisë dhe të vetë burimit, burimit të ekzistencës së kombit tonë”, shprehet Rama për Anadolu.

Pra sipas kryeministrit, islami është “burimi i ekzistencës së kombit shqiptar”. Një deklaratë, e para e pakujdeshme dhe e dyta e më e rëndësishme që rrezikon jo të bashkojë por të ndajë edhe më shumë brenda vendit, por edhe Shqipërinë me Europën. Rama është profiluar hapur si një lider islamik, por nuk është votuar si i tillë dhe po merr peng vendin…Pamfleti/

 

 

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.