Lulzim Basha në 75-vjetorin e çlirimit të Tiranës, ka kujtuar intelektualët dhe patriotët shqiptar, të masakruar në valën e terrorit anti-kombëtar komunist në Nëntor 1944.
Me një shënim në facebook, kreu i PD-së kërkon reflektim për të mos lejuar “me asnjë çmim rivendosjen e diktaturës parti-shtet- krim”.
“Nderim përjetë intelektualëve dhe patriotëve të shquar të masakruar në valën e terrorit anti-kombëtar komunist në Nëntor 1944. Sakrifica sublime e mijëra shqiptarëve që u vranë me dhe pa gjyq nga regjimi komunist, kërkon reflektim dhe veprim për të mos lejuar me asnjë çmim rivendosjen e diktaturës parti-shtet- krim!”, shkruan kreu i PD-së.
Me rastin e jubileut të 75-vjetorit të çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazifashistë, Bashkia e Tiranës nderoi sot organizatat dhe disa nga veteranët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Kryebashkiaku Veliaj shprehu mirënjohjen për kontributin që dhanë të gjithë ata burra dhe gra që luftuan kundër pushtuesit, ndërsa theksoi se është detyrë e brezit të sotëm që të vlerësojë sakrificën e tyre.
Në emër të Bashkisë së Tiranës ai i dha titullin “Simbol i qytetit” katër organizatave të veteranëve të LANÇ-it: Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ, Organizatës së veteranëve të LANÇ, Dega Tiranë, Organizatës Kombëtare të Familjeve të Dëshmorëve të Luftës dhe Organizatës Kombëtare të Invalidëve të LANÇ.