Aktualitet 9 Tetor 2019, 13:50

Çmendet babloku, shpall në kërkim prokurorë e gjyqtarë që i rrezikojnë pasurinë

Shkruar nga Pamfleti

Çmendet babloku, shpall në kërkim prokurorë e gjyqtarë që i rrezikojnë pasurinë

“Memecit i erdhi goja”. Rama, si Enveri kërkon eleminimin e njerëzve të drejtësisë që po bëjnë drejtësi, duke goditur krimin e korrupsionin në nivelet më të larta të pushtetit dhe duke paralajmëruar përballjen e tyre me drejtësinë. Kryeministri kur flet ka në fokus drejtësinë në Durrës dhe Vlorë, aty ku kërkoi të “sistemonte” pronat para ngritjes së SPAK, por që iu prish skema. Sulmon prokurorë e gjyqtarë, duke i shpallur organizatë kriminale, sepse ata  nuk falin Olsin, Damianin, Fidelin, Alketin, oligarkët dhe tërë maskarenjtë abuzues

Kryeministri Edi Rama është shfaqur i shpërfytyruar në podiumin e Kuvendit, duke kërcënuar prokurorët e gjyqtarët, të cilët në të drejtën e tyre bejnë detyrën dhe dërgojnë në burg abuzuesit.

Nuk është se në sistemin e drejtësisë nuk ka maskarenj, të cilët përkundrej milionave kanë shitur drejtësinë dhe kanë dërguar në qeli njerëz të pafajshëm, vetëm se nuk kishin para.

Janë me shumicë ata që kanë abuzuar deri në mënyrë kriminale me jetët e njerëzve dhe këtë e tregon dhe fakti se kanë “ngecur” në rrjetën e Vettingut mbi 60% të prokurorëve dhe gjyqtarëve, pa futur në llogari këtu ata që janë dorëhequr para këtij procesi, apo që janë në proces.

Por të deklarojë një kryeministër në mesin e mandatit të tij të dytë, pa u skuqur fare, se do të shpallen në kërkim prokurorët dhe gjyqtarët, se do të shpallen organizate kriminale, është jo vetëm fundi por tregon qartë se drejtësia është “avitur” afër shtëpisë së tij, duke i rrezikuar pasurinë dhe përballjen.

Nuk është rastësi që Rama e rrotullon gjithë “tehun” e goditjes së “thikës” kryeministrore, në plagën e tij më të madhe, kadastrën e Durrësit dhe të Vlorës, pikërisht aty ku abuzimi qeveritar i kësaj bande të ardhur në krye të vendit me votën e qytetarëve dhe atë të blerë po nga qytetarët, është i hapur fare.

Kryeministri i vendit jo vetëm që është shumë i shqetësuar, por dhe i habitur se si prokurorë dhe gjyqtarë që janë në pritje të kalimit të Vetting, guxojnë që, përkundër presionit qeveritar që mund ti lërë jashtë sistemit të drejtësisë, të bëjnë drejtësi në këtë vend.

Bëjnë drejtësi madje dhe duke u “ngjitur” lart në kupolën kriminale të qeverisë, për të futur në burg “sekserët” e tyre në Kadastër, dhe duke rrezikuar pasurinë e Ramës, “qehajait” të tij Artan Lame, apo “çerrave” të deleguar të tyre në drejtoritë rajonale të “tjetërsimit të pronave”.

Rama sa herë flet kundër drejtësisë ka në fokus prokurorët dhe gjyqtarët në Durrës që futën në qeli “zarin” korruptiv Liridon Pula, i cili rrezikon të rrëfehet për të treguar se nga kush komandohet për tjetërësimin e pronave në gjirin e Lalzit dhe në tërë vijë bregdetare të Durrësit.

Rama shpall organizatë kriminale prokurorët e gjyqtarët dhe kërkon që të shpallen në kërkim për t’i futur në burg pikërisht ata të cilët në Vlorë hapën hetim penal për mafien e pronave të kryesuar nga Edi dhe Olsi Rama, pjesë e të cilës janë përpos Artan Lames dhe ish ministra e deputetë, më të evidentuarit Damian Gjiknuri, Alket Hyseni dhe Fidel Ylli.

Ka ardhur koha të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që s’kanë kaluar Vettingun që e dinë që s’do kalojnë Vettingun dhe kanë KÇCk, kap ça të kapësh. Këtë grupin ky parlament duhet ta shpallë grup në kërkim, jo në mënyrë metaforike. Duhet ta shpallim në kërkim me çdo mënyrë.

Duke ushtruar pushtetin e sovranit këtu, është e kotë të bëjmë predikime. Është e kotë që nga tryeza e opozitës të ngrihemi të fajësojmë qeverinë. Vettingu do të kërkojë edhe disa vite, dhe ne s’lejojmë dot që prokuror si ai në Durrës dhe gjyqtare si ajo në Durrës të bëjnë kërdinë tek njerëzit.

Se kam telefonin me vete, marr mesazhe siç merrni edhe ju…nga njerëz që po capërlohen nëpër prokurorira dhe gjykata. E dëgjova të nderuarin gojëtar të opozitës…kur erdha thashe kush po zihet. Kur po fliste që shteti merret me të fortët dhe të mëdhënjtë.

Po si i bëhet kur shteti, se shteti janë edhe gjykatat, që çon në prokurori dhjetëra sipërmarrje të mëdha e të vogla që bëjnë abuzime me TVSH dhe askush s’mbahet brenda, por paguajnë dhe ikin? Si i bëhet? Sepse bien në duar prokurorësh që janë KÇK.

Shpallja në kërkim e KÇK duhet të jetë objektivi ynë, një orë e më parë. S’mjafton më…po bëhet bajate. E detyron me urdhër mbrojtje gruan që të rrijë larg burrit. Si t’i them që janë kriminel dhe më keq se burri yt?

Reforma kërkon kohë. Dhe për këtë arsye shtohen viktimat e organizatës KÇK. Si i bëhet që ky parlament ka arritur që të shkojë deri në barkun e nënës që ka pjellë njerëz që duan të merren me politikë, dhe nuk shkoka tek ata që merren me krimin.

Për ata që janë rrugëve e që nuk iu hyn gjëmb në këmbë dhe e kanë bërë Prokurorinë si kafene janë të përfshirë në procese grabitje të tokave. Dhe për të marrë tokën e tjetrit apo për të legalizuar pallate me shtatë kate arrijnë që të fusin Prokurorin dhe Gjykatësen që të punojë për ta. Burg. Atë e di unë po është organizata KÇK.

Do t’ju sjell këtu sa herë policia ka dështuar me Gjykatën. Prokurorë dhe Gjykatës që e dinë se vettingun nuk e kalojnë dot. Si mund të regjistrojnë tokë të dhuruar në emër të gruas që ka qënë kontabiliste e filanit”, deklaroj Rama në mes të Kuvendit.

Madje i akuzon se po abuzojnë si të jetë vakti i fundit, para se të kalojnë në procesin e Vettingut.

“Memecit i erdhi goja”. Ky është togfjalëshi me të cilin mund të shpjegohet tërë artikulimi i ashpër i kryeministrit ndaj prokurorëve e gjyqtarëve, kërcënimi ndaj tyre me shpalljen organizatë kriminale dhe shpalljen e tyre në kërkim.

Pyetja është e thjeshtë: Pse Edi Rama foli tani, 6 vite pas ardhjes në pushtet, pikërisht përmes premtimeve se do të fusë në burg Sali Berishën, Ilir Metën dhe të gjithë ata që kanë abuzuar me pasurinë e shqiptarëve?!

Shpjegimi është i thjeshtë: Nuk lëvizi as gishtin ndaj Berishës, Metës, Bashës, Monikës, ish ministrave dhe ministrave që kanë abuzuar, madje as ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë masakruar shqiptarët duke mos dhënë drejtësi.

Përkundrazi, bëri pazar me ta, i mori dhe i futi në strukturat më të larta të shtetit, deri në Këshillin Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë. Madje Adrtiatik Llallën po ta linte SHBA, e bënte dhe ambasador, megjithëse ishte përson “non grata”. Mori dhe të gjithë oligarkët klientë të Berishës dhe i “anëtarësoi” në “koorporatën” e tij të oligarkëve klientë, që nga Bashkim Ulaj, Çim Fusha, Gazmend Demi, Rrok Gjoka, Vilma Nushi dhe të tjerë “peshq” më të vegjël.

U dha madje dhe miliona euro nga paratë e arkës së shtetit përmes koncesioneve të shëndetësisë, të rrugëve, dhe të gjitha shërbimeve të tjera që bëjnë lekë, duke sjellë deri dhe reagimin e institucioneve të vendeve partnere, politike dhe financiare.

Edi Ramës “ i erdhi goja” pikërisht atëherë kur këta prokurorë e gjyqtarë refuzuan të sistemonin ligjërisht pronën dhe pasurinë e tij dhe të rrethit familjar, miqve dhe shokëve me të cilët ka vjedhur miliona euro nga paratë e shqiptarëve, përpara se të ngrihej SPAK.

Reagoi vetëm atëherë kur këta elementë të drejtë të drejtësisë shqiptare kërcënuan pasurinë e tij dhe rrezikojnë që ta çojnë para drejtësisë për abuzim. Prandaj Rama është në hall dhe ulërin.

Kryeministri po vepron si Enver Hoxha në vitin 1948 që vendosi diktaturën në Shqipëri dhe që të parët që “shpalli” në kërkim dhe i eleminoi fizikisht e i futi në burg, ishin pikërisht prokurorët, gjyqtarët dhe avokatët e shkolluar në perëndim dhe që nuk cedonin me drejtësinë.

Rama është në gjurmët e Enver Hoxhës, po vendos diktaturën në Shqipëri. Kështu fillon. Por kohët kanë ndryshuar dhe përpjekja e tij për të ndjekur shemullin e Hoxhës është qesharake për të mos thënë e çmendur./Pamfleti

codramol
smile

Kryesore Çmendet babloku shpall në kërkim prokurorë e gjyqtarë që i rrezikojnë pasurinë