Kulture19 Maj 2018, 12:24

Çmimi ”Kadare”, përzgjidhen 32 konkuruesit nga faza e parë e selektimit (Emrat)

Shkruar nga Pamfleti
Çmimi ”Kadare”, përzgjidhen 32 konkuruesit nga faza e

Çmimi ''Kadare'', përzgjidhen 32 konkuruesit nga faza e parë e selektimit (Emrat)

Çmimi i madh i letrave shqipe “Kadare” i cili jepet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, tashmë ka hyrë në fazën e seleksionimit të veprave që do të vijojnë garën nga ana e jurisë, ku nga prurjet janë selektuar 32 autorë për të vazhduar garën drejt fazës së dytë të selektimit, ku do shkojnë vetëm 10 autorë drejt fazës finale.

Çmimi i madh i letrave shqipe “Kadare” i cili jepet nga Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës tashmë ka hyrë në fazën e seleksionimit të veprave që do të vijojnë garën nga ana e jurisë.

Sipas Alda Bardhylit, koordinatore e Konkursit “Kadare” tashmë janë përzgjedhur 32 veprat që do të garojnë për çmimin e madh. “Ka pasur një interes në rritje të autorëve që duan t’ia besojnë dorëshkrimet e tyre këtij konkursi. Ky është një lajm i mirë jo vetëm për institucionalizimin që ky konkurs ka pasur në vetëm katër edicione si një konkurs ku çertifikohen vlerat e vërteta në terrenin letrar në vend, duke qenë i besueshëm për autorët, por dhe për faktin se ka një rritje të autorëve që duan të shkruajnë letërsi, duke pasur parasysh historinë tonë letrare pas viteve 90-të” , thotë Bardhyli.

Sipas saj, juria do të mblidhet sot (e shtunë) për të vendosur dhe 10 finalistët që do të garojnë për çmimin e madh prej 10 mijë eurosh që do të ndahet në ditët letrare të Razmës që do të mbahen nga data 25-27 maj.

“Juria ka pasur kohën e mjaftueshme për t’u njohur me veprat. Përgjatë këtij muaji ajo ka pasur disa takime për të konkluduar mbi dorëshkrimet e paraqitura në konkurs, duke ndarë me njëri tjetrin leximet dhe gjykimet mbi pjesëmarrësit. Takimi i sotëm do të jetë i rëndësishëm për fazën në të cilën hyn ky konkurs, pasi nga 32 autorët që janë përzgjedhur në fazën e parë, tashmë vetëm 10 prej tyre do të kenë mundësi të garojnë për çmimin e madh”, thotë Bardhyli.

Në katër edicionet e tij, çmimi Kadare ka pasur në përbërje të jurisë emra të njohur të letrave shqipe, dhe gjykimi i tyre ndër vite ka rritur besueshmërinë ndaj këtij çmimi. Juria kryesohet nga Kim Mehmeti, një emër i njohur i letrave shqipe në Maqedoni, ndërsa në përbërje të saj është Ledia Dushi, Genciana Abazaj, Eni Vasili dhe Agim Baçi.

“Përmes këtij konkursi ne kemi mundësi të njihemi me situatën letrare në vend, ku shohim një rritje gjithnjë e më shumë të numrit të autorëve të rinj që duan ta lidhin jetën e tyre me letërsinë. Por krahas të rinjve këtij konkursi ia kanë besuar dorëshkrimet e tyre dhe emra tashmë të konsoliduar në historinë tonë letrare si Zija Cela, Vera Bekteshi, Virgjil Muçi, Gazmend Krasniqi, Bashkim Hoxha, etj”, thotë Bardhyli.

“Çmim i madh do të jepet gjatë ditëve Ditët Letrare të Razmës (25-27 maj), një aktivitet që bën bashkë shkrimtarë, përkthyes, kritikë të cilët këtë vit do ti bashkohen në një konference shkencore me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu mes historisë dhe letërsisë”, një temë e zgjedhur me rastin e Vitit të Skënderbeut shpallur nga qeveria shqiptare. Kritika dhe studimet shqipe nuk e kanë shtjelluar ende dimensionin letrar që kjo figurë e historisë sonë ka pasur në librat e shumë shkrimtarëve të huaj, që kanë gjetur tek ai shpesh personazhin më interesant për veprat e tyre”,- thotë Bardhyli.

Çmimi letrar “Kadare” është një prej çmimeve më të mëdha letrare që ndahet çdo vit për një autor shqiptar. Çmimi ka një vlerë prej 10 mijë euro dhe vepra fituese botohet nga Mapo Edition. Ky është edicioni i katërt i këtij çmimi i cili është kthyer në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në hapësirën shqiptare.

Vjet me këtë çmim u nderua shkrimtari Musa Ramadani ndërsa më parë janë vlerësuar autorët Shkëlqim Çela dhe Rudolf Marku./Mapo

Emrat e selektuar nga prurjet për çmimin “Kadare”

Vera Bekteshi– Një rrugë e gjatë pa krye roman

Zija Çela-Djalli komik roman

Virgjil Muçi-Piramida e shpirtrave roman

Loer Kume-Bisha të fshehta e një sy i madh i gjelbër tregime

Saimir Qefalia– Biondina besnike tregime

Gazmend Krasniqi- Triologjia e Shkodrës roman

Kujtim Lapa– Gjithë fajin e ka paraja roman

Sokol Thana– Guvernatori i shtëpisë së vogël roman

Ndue Gaspri– Humbja e trishtë e kufijve të fëmijërisë roman

Resmi Osmani- Pas Trojës roman

Sotir Athanasiu- Tregime parisienë tregime

Ullir Burimi Busti dhe varri i diktatorit roman

Eqrerem M Canaj- Princesha Rugjine roman

Jetmir Dragusha-Ikja roman

Rudina Cupi-Shenjat e pikësimit roman

Arian Kadiu– Vajza e KukLandit roman

Erjon Papagjoni- Limonë dhe kokoshka roman

Dhimitër Druga- Animations roman

Thanas Dino– Prishja ose Ndërrimi dhe ndalimi roman

Alion Çaçi- Tregime të Rinisë tregime

Ada Çapi– HappyLand roman

Sulejman Mato– Qyteti i shirave roman

Bashkim Hoxha- Një ditë si Skënderbeu roman

Arlind Farizi- I fundmi tundim roman

Ardian Thaqi– I mbijetuari i luftës roman

Enida Bogdani– Kronologji emocionesh tregime

Vlash Linadi- Diella novela

Shpëtim Selmani– Libërthi i dashurisë roman

Vasil Premçi- Fermani i përgjakur roman

Vladimir Ndini– Nën hirin e Antigonese roman

Flogerta Krypi -Rrëfime me dhe pa kripë tregime

Enton Bido– Ara e Tares tregime

Kulture Ismail Kadare konkuruesit