Çorapi i dytë i Henri Çilit nga Fushë Kruja, që qëndron pas çdo ‘triumfi’ zgjedhor të Lulzim Bashës

Nëse pas çdo burri të madh qëndron një grua e suksesshme, atëherë pas çdo ‘triumfi’ zgjedhor të Lulzim Bashës, në krye të Partisë Demokratike, fshihet Alfred Lela.

Shkruan Adriatik Doçi

I vetëshpallur si këshilltar pas perdeje dhe fjalimshkrues i Lulzim Bashës, Alfred Lela ka shërbyer si çorap i dytë i Henri Çilit, ku të dy tok, pas një mrizi të gjatë nën hijen e PD, shpallën Edi Ramën si njeriun e vitit 2013, si një kumt për t’iu ngjitur pushteti të ri dhe braktisur sofrën e pushtetit të rënë.

Kur në pushtetin e ri nuk kishte vend për të gjithë shqupistat të veshur me petkun e gazetarit, Lela nuk e kapërdiu dot ndryshimin e kursit nga Henri Çili, siç ndryshon gjarpri lëkurën në pranverë. Për rrjedhojë, vendosi jo vetëm të rikthehej në rolin e gazetarit të SHQUP-it, por të shndërrohej në arkitekt apo në ‘Sun Tzu-në’ e betejave elektorale të Lulzim Bashës.

Krahas kësaj lëvizjeje, Lela hapi edhe një portal, si kobure në pazarin politik të Tiranës. Shkrepjen më të famshme e bëri kur shpalli si gëzimin më të madh të vitit 2018 largimin e pritshëm të dy ambasadorëve të SHBA-BE në Tiranë, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, të cilët janë kthyer në makthin politikanëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar në Shqipëri, por nga ana tjetër, në shpresën e shumicës së shqiptarëve, për shkak të angazhimit të tyre historik në hartimin, miratimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të reformës në drejtësi.

Nëse Partia Demokratike pësoi një disfatë serioze në zgjedhjet e 2013, dy vjet më vonë, në zgjedhjet lokale të 2015, nën pëshpërimat e ‘Sun Tzu-së’ nga Fushë Kruja, pësoi një disfatë dramatike. PD, nën drejtimin e Lulzim Bashës dhe falë këshillave të ‘Sun Tzu-së’ nga Fushë Kruja, humbi 45 nga 61 bashki. Humbi gjithashtu në 98 % të këshillave bashkiake.

Por, nëse disfata në zgjedhjet lokale të 2015 ishte dramatike, shpartallimi në zgjedhjet parlamente të 2017, po nën këshillat e filozofit nga Fushë Kruja dhe të disa shitmendasve të tjerë, ishte rrënuese dhe shokuese. Në zgjedhjet parlamentare të 2017 Partia Demokratike mori 78 597 vota më pak se sa në zgjedhjet e 2013.

Lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në shtator të viti 2017, identifikoi këshilltarët e Lulzim Bashës, si një nga shkaqet kryesore të humbjes në zgjedhjet parlamentare të 25 Qershorit 2017. Duke i dhënë një mesazh të qartë Bashës, Berisha i quajti këshilltarët e tij si mizerabël.

Po a do t’ia besojë sërish Lulzim Basha çorapit të Henri Çilit strategjinë për zgjedhjet lokale të 2019? Kjo pyetje duket se është retorike, për sa kohë Lulzim Basha vijon të kërkojë zgjedhje të parakohshme sapo mbarojnë zgjedhjet dhe shtyrjen e zgjedhjeve sapo vijnë zgjedhjet.