Java e modës në Londër nuk i shpëtoi dot impaktit të Coronavirusit, pasi shumica e përfaqësuesve të medias kineze si dhe blerësit e mëdhenj nga Kina nuk ishin të pranishëm. Mungesa e tyre është një lajm i keq për shtëpitë e njohura të modës, pasi vendi aziatik është i treti në botë, përsa i përket shitjeve të mallrave të luksit.
“Mendimet tona janë me ata që janë prekur nga Coronavirus, e që e kanë patur të pamundur të udhëtojnë.” – tha presidentja e Këshillit Britanik të Modës, Caroline Rush në fjalimin e saj, ku ndër të tjera njoftoi se blerësit dhe mediat kineze do tu mundësohej aksesi i plotë në videot, fotot dhe lajmet që vinin nga java e modës.
Masa të shtuara të sigurisë dhe të higjenës janë marrë ndërkohë në vendet ku do të mbahen sfilatat e javës së modës. “Siguria e pjesmarrësve është shumë e rëndësishme për ne”- tha Rush, për mediat.
Mijëra njerëz priten të marrin pjesë në pesë ditët e javës së modës, ku më shumë se 60 marka veshjes do të prezantojnë koleksionet e tyre, përfshirë këtu edhe shtëpi të modës së lartë si Burberry dhe Tommy Hilfiger.
Mungesa e përfaqësuesve kinezë ka dhënë efektet e para serioze financiare, pasi marka të tilla si Rauphl Lauren kanë humbur me miliona dollarë, si pasojë e krizës që Coronavirus ka shkaktuar. /Pamfleti