Vaksina e koronavirusit e prodhuar nga universiteti i Oksfordit dhe kompania “AstraZeneca” ka rezultuar 70 për qind efektive në parandalimin e COVID-19
Gjigandi farmaceutik britanik AstraZeneca në bashkëpunim me Oksford thanë sot se një analizë e përkohshme e provave klinike tregoi se vaksina e tyre kundër Covid 19 ka një efikasitet mesatar prej 70% në mbrojtjen kundër virusit.
Pascal Soriot, CEO i AstraZeneca, tha se zhvillimi shënoi një “moment të rëndësishëm” në luftën kundër krizës globale të shëndetit.
“Efikasiteti dhe siguria e kësaj vaksine konfirmojnë se do të jetë shumë efektive kundër COVID-19 dhe do të ketë një ndikim të menjëhershëm në këtë emergjencë të shëndetit publik,”tha Soriot.
“Për më tepër, zinxhiri i thjeshtë i furnizimit të vaksinës dhe zotimi dhe angazhimi ynë jofitimprurës për qasje të gjerë, të barabartë dhe në kohë do të thotë se do të jetë i përballueshëm dhe i disponueshëm globalisht, duke furnizuar qindra miliona doza pas miratimit.”
Kjo vjen pas një sërë rezultatesh inkurajuese në drejtim të zbulimit të vaksinës javët e fundit, ku kompanitë Pfizer-BioNTech dhe Moderna kanë thënë se vaksinat e tyre kanë një efektivitet deri në 90-95%.
Vetë Britania e madhe ka bërë një porosi prej 100 milionë dozash për vaksinën e Oksfordit, por nuk dihet nëse ajo do të dalë në treg, duke ditur tashmë se ka një efektivitet më të ulët, se dy kompanitë e para që janë drejt nisjes së aplikimit në popullatë.
Shpresohet se një vaksinë COVID mund të ndihmojë për t’i dhënë fund pandemisë së koronavirusit që ka marrë më shumë se 1.3 milion jetë.