Aktualitet23 Prill 2018, 10:55

DEA dhe FBI kanë në dorë të dhëna të “bujshme” të skemës piramidale “Gulf”. Çfarë fshihet pas falimentit?

Shkruar nga Pamfleti
DEA dhe FBI kanë në dorë të dhëna të

Falimentimi prej disa ditësh i një prej kompanive më të njohur të karburanteve në vend ka sjellë atmosferën e firmave piramidale, të harruara që prej vitit të errët 1997. Qindra njerëz blenë tollona nafte e benzine te kompania Gulf në ditët e para të prillit, pasi u ndanë me çmime të leverdisshme.
Por javën e shkuar kompania shpalli falimentin dhe klientët u gjendën të mashtruar.

Edhe pse në ditën e fundit një pjesë u dyndën në pikat e karburantit për të mbushur makinat, gjithsesi një pjesë e madhe kanë mbetur pa marrë karburantin e blerë paradhënie. Sipas llogaritjeve paraprake bëhet fjalë për një mashtrim që arin shifrën e 1.5 milion euro. Gulf është një nga “pesë motrat” e Teksasit, pra është një nga korporatat më të fuqishme të naftës në botë. Është enigmë dhe çudi se si dy persona super të dyshuar kanë arritur të marrin liçensën e kësaj korporate brand në Shqipëri.

Arjani, është një nga viktimat e këtij mashtrimi.

“Kam blerë rreth 1500 eruo tollona për të kursyer 100 lekshin, për të blerë një hekur a një lavatriçe. Një ditë të bukur shpalli falimentin, Po lekët e mija. Kush më mbron mua. Paratë mi marrin një me një, po këtij që na ropi pse s’ja marrin?”, pyet ai.

Gerti është një biznesmen që punon me një kompani transporti. Ka blerë nga tollonat e Gulf 1 mijë litra naftë. Sot atij nuk i jep askush përgjigje.

“Isha në ministrinë e Energjetikës. Përgjigjen në mënyrë arrogante. Ku e gjejnë të drejtën xhanëm. Nesër do të dalim para kryeministrisë të gjithë dhe kërkojmë zgjidhje imediate. Ta japë qeveria.
Ajo e lejoi ajo kishte parasysh garancinë dhe shteti të na paguajë një më një”, thotë Gerti.

Kreditorët e Gulf kanë zhvilluar takimin e tretë sot në një zyrë ligjore në Tiranë dhe pritet të nisin betejën. Nesër pritet të takojnë diplomatë amerikanë, meqë kompania mëmë ka qenë nga SHBA. Ata kërkojnë ndihmë ligjore nga ambasada amerikane për të vazhduar betejën e tyre.

Kompania Gulf me pronarë gjeorgjianë erdhi në Shqipëri në vitin 2013 dhe hapi pika me pakicë.
Një javë më parë kjo kompani shpalli falimentin dhe nuk i pagoi shtetit shqiptar detyrimet e tyre fiskale.

Artani, është një punonjës i Gulf që mbushte makinat në një prej pikave të shpërndarjes së karburanteve. Ai thotë se për mbi 2 vjet që punoi në këtë kompani rroga, edhe pse e vogël i jepej çdo muaj me korrektesë.

“Më paguheshin dhe sigurimet. Por kur u shpall falimenti askush nuk tha gjë, vetëm morëm vesh se s’ka punë. I telefonova menaxherit, më tha jam edhe unë si puna jote. Ai ishte pronari pompës së benzinës. Tani po thotë që për mbi dy muaj ja ka dhënë rrogat nga paratë e xhepit”,thotë Artani.

Një raport i DSIK prej dy muajsh bëntë të ditur dyshimin se kompania që ka Gulf po pastron para, por askush nuk u mor me këtë paralajmërim.

Policia shpalli në kërkim krerët e kompanisë Gulf pasi ia mbathën nga vendi, përkatësisht me 48 orë me vonesë. Skandali gjigand po ofron çdo ditë e më shumë detaje të reja.

Policia ka shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë pas menaxherit kryesor të kompanisë.
Gjeorgjiani Irakli Zvanidze dhe administratori i shitjeve të kësaj kompanie për Tiranën janë dy të kërkuarit e tjerë.

Shpallja erdhi në funksion të hetimeve të çelura nga Prokuroria e kryeqytetit.
Deri më tani janë verifikuar pasuritë e personit nën hetim Albano Aliko për t’i ngrirë në llogari të hetimeve. Por pikat e karburantit janë të marra me qira dhe nuk mund të mbahen peng. Sipas të gjitha gjasave këtë fakt duket e kanë ditur organet tatimore, pasi Gulf kishte marrë kredi në banka.
Deri më tani hetimet zbuluan se Gulf ka marrë me qira 70 pika të tilla në të gjithë vendin, ndërkohë që aktualisht ata janë vendosur me urdhër të prokurorisë në ngrirje provizore.

Mashtrimi ndaj qytetarëve është kryer brenda pak ditëve dhe më të dëmtuarat sipas denoncimeve zyrtare janë tre kompani transporti. Ende nuk dihet numri ekzakt i qytetarëve të cilëve u janë shitur tollona me vlerë, nga 1200 lekë deri në 1300 lekë për litër.

Pas kompanisë offshore që zotëronte Gulf në Shqipëri qëndron gjeorgjiani Aleksandre Gogokhia, i cili është prej vitit 2013 i përfshirë në hetime për pastrim parash me ortak biznesi ish-ministrin gjeorgjian që u arrestua kur po vinte në Shqipëri nga Franca.

Emri i Gogokhias u bë i njohur në vitin 2013 gjatë një skandali që çoi në arrestimin e ish-kryetarit të bashkisë te Tbilistit Giorgi Ugulava.

Sipas prokurorisë gjeorgjiane ish-kryetari i bashkisë dhe Gogokhia kanë pastruar mbi 1.5 milionë dollarë, përmes të cilave kanë financuar fushatën e partisë Lëvizja e Bashkuar Kombëtare në Gjeorgji. Por avokati i të akuzuarit theksoi se hetimi ndaj klientit të tij është politik.
Hetimet e mëvonshme do të zbulonin të tjera detaje, të cilat përfshijnë edhe Shqipërinë. Sipas prokurorëve gjeorgjianë Gogokhia ka qenë një nga ortakët kryesorë në biznes të ish-ministrit gjeorgjian të Mbrojtjes Davit Kezerashvili.

Ky i fundit është një hebre gjeorgjian me shtetësi të dyfishtë, pasi është edhe qytetar izraelit.
Ai u arrestua për korrupsion dhe pastrim parash në aeroportin e Parisit në momentin që po nisej për të udhëtuar pikërisht drejt Shqipërisë.

Ardhja e “Gulf” në tregun shqiptar u regjistrua në vitin 2013 kur kishte ndodhur rotacioni politik dhe sa po formohej qeveria e re. Vetëm një muaj pas u themelua “Sun Petroleum”, shoqëria që administron Gulf-in në Shqipëri, saktësisht në tetor të vitit 2013.

Tashmë “Gulf” është vënë nën hetim nga Prokuroria shqiptare, për mashtrim me pasoja të rënda.
Në zyrat e Gulf, prej një viti mbërritën zyrtarë të DEA-s dhe FBI-së amerikane, të cilët kanë zbuluar të dhëna që cilësohen të “bujshme”. Dhe pikërisht në fundin e këtyre hetimeve ndodhi dha kataklizmoja.
Një prej aksionerëve të Gulf është edhe Apostol Doçi, një nga operatorët me eksperiencë të karburanteve në vend.

Ai tha në një intervistë televizive se gjërat do të lëvizin dhe tollonat do të paguhen një më një, vetëm duhetn disa ditë sat ë zbardhet skema e mashtrimit e aksionerëve të mazhorancës.
Megjithatë ngjarja është një tregues i qartë se piramidat e frimshme mund të ngjallen në çdo moment.

Aktualitet