Aktualitet 6 Prill 2018, 18:30

DEA e FBI amerikane fusin në “qark” Klemend Balilin, arrestimi i tij punë ditësh. E paralajmëroi Donald Lu, rrezikon Ili

Shkruar nga Pamfleti

Për Klemend Balilin ditët në liri me sa duket janë drejt fundit. “Laku” ndaj supertrafikantit të drogës dhe të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit” po ngushtohet dita ditës, dhe tashmë është çështje ditësh që ai të përfundojë në pranga.

DEA amerikane e Antidrogës, FBI amerikane dhe organet ligjzbatuese shqiptare në unison kanë “krehur” zonat më të dyshuara në të cilat mendohet që të jetë fshehur Klemend Balili, ish zyrtari i lartë i LSI. Supertrafikanti i drogës është shpallur në kërkim ndërkombëtar që para një viti, pavarësisht lehtësirave që i krijoi Ilir Meta dhe “zari” i tij në atë kohë në krye të Ministrisë së Drejtësisë Ylli Manjani.

Mësohet se DEA amerikane dhe FBI, të ndihmuara dhe nga organet ligjzbatuese shqiptare kanë rënë në gjurmët e supertrafikantit të drogës Klemend Balili, i cili ndodhet në Shqipëri dhe ka kufizuar të gjitha lëvizjet jashtë vendit, por dhe në vendet e dukshme ku mund të evidentohet dhe vihet në pranga. Vënia nën përgjim dhe survejim e Ilir Metës, Monika Kryemadhit, Luan Ramës, Ylli Manjanit dhe tërë kupolës së LSI, ia ka kufizuar shumë lëvizjet Klemend Balilit. Njëherësh i ka lehtësuar shumë punën DEA-s, FBI-së dhe organeve ligjzbatuese shqiptare për të përafruar vendndodhjen e tij.

Klemend Balili sipas burimeve, shpeshherë strehohej në limite të shkurtëra kohore në banesat e këtyre zyrtarëve. Lajmin për kapjen së shpejti të Klemend Balilit e ka lajmëruar një natë më parë ambasadori amerikan Donald Lu, i cili tha se amerikanët besojnë se ai është në Shqipëri dhe është çështje ditësh arrestimi i tij.

“U zhduk por tani ka një mandat arresti ndërkombëtar për të dhe Shqipëria po e kërkon kudo në Europë dhe ne po ndihmojmë për këtë. Klement Balili, po ashtu me mandat arresti ndërkombëtar. Ne, amerikanët, besojmë se është ende në Shqipëri dhe ka mundësi të arrestohet në ditët që vijnë. Po shtyjmë shumë fort për këtë. E dini, z.Balili është dënuar tashmë në Greqi për trafik droge”, deklaroi ambasadori amerikan Donald Lu.

Njëherësh ai nënvizoi se dënimi i tij do të jetë tepër i rëndë, me krimet që ka bërë. “Burgim të përjetshëm plus 15 vite. Tani duhet vetëm të kapet. Ne po shtyjmë shumë fort, me të gjitha burimet e Qeverisë së SHBA, për t’u siguruar që këta ‘peshq të mëdhenj’ të shkojnë në burg. Le të flasim pak për politikanët. Vitin e kaluar, nuk kishte hetime, me sa di, kundër këtyre trafikantëve të mëdhenj të drogës apo zyrtarëve të lartë. Çfarë kemi sot? Mendoj se është shumë interesante”, deklaron Lu.

Pra janë angazhuar amerikanë për arrestimin e Klemend Balilit. Njëherësh ambasadori amerikan është besimplotë se me arrestimin e tij, do të ketë dhe involvime të tjera dhe të politikës në aferën e drogërave të rënda me Klemend Balilin.

Pritet që që “pendimi” i Klemend Balilit të arrijë deri tek zbardhja e bashkëpunimit me Ilir Metën dhe kupolën drejtuese të LSI, të cilët pas kësaj i pret qelia. SHBA është e vendosur për pastrimin e politikës shqiptare dhe drejtësisë shqiptare nga krimi dhe trafiku i drogës dhe qenieve njerëzore./Pamfleti.com

codramol
smile

Forum