Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, inspektuan në orët e mbrëmjes punën që po bëhet në segmentin rrugor Pogradec-Korçë, në Qafë-Plloçë, një pikë e cila vazhdimisht shfaq problematika në sezonin e dimrit për shkak të lartësisë dhe terrenit të saj.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksoi se mirë menaxhimi i deritanishëm i situatës është si rezultat i masave të marra më herët, duke bërë që sot problematikat të jenë minimale, teksa garantoi që në terren do të vijojë puna deri në normalizimin e plotë të situatës.
”Të gjithë duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Të gjitha kompanitë kontraktore, të cilat mirëmbajnë rrugët dhe është diçka që duhet ta theksojmë, janë duke punuar më mirë se kurrë. Kemi një organizim dhe një përgjigje shumë të mirë nga të gjithë kontraktorët. Kontratat janë bërë ashtu siç duhet dhe ne tani sapo kemi bërë të gjitha kontratat e reja”, nënvizoi Balluku.