Skandali/ Njeriu i afërt me Kryeministrin akuzon shqiptarët për mungesën e ujit nëpër shtëpi: Laheni shumë shpesh. O Shkrel, o zotni burrë….
Tirana ka javë tashmë që vuan për ujë. Për ujë çesme natyrisht, se ujin e pijshëm ka vite që shqiptarët, me përjashtime të vogla, e blejnë sa frëngu pulën, edhe pse jemi një nga vendet më të pasura në botë me burime hidrike.
Por ndërkohë që Bashkia e Tiranës e dredh dhe përdredh, pa dhënë një arsye të qënësishme për tubin që u ça, për epideminë që ra në Tiranë prej ndotjes së ujit të pijshëm dhe për mungesën totale të tij në çesmat e banorëve – ndërkohë që në të njëjtën kohë nga Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizime ka dalë urdhri për vendosjen e matësave të rinj, të cilët natyrisht qytetarët do t’i paguajnë nga xhepi, një prej njerëzve më të afërt të Edi Ramës, ai që ka administruar çdo qindarkë të Rilindjes Urbane, Artan Shkreli, ka lëshuar mufkën e radhës.
Zv/Ministri i Infrastrukturës, ka pasur një debat të ashpër me aktivistin Gjergj Bojaxhi. Për tu çuditur në fakt se ata janë miq me njëri-tjetrin: janë partnerë në një shoqatë, që për sa kohë që Edi Rama ishte në opozitë, të dirigjuar nga Artan Lame, bërtisnin me të madhe për ruajtjen e monumenteve të trashëgimisë; janë ortakë që i japin dorën njëri-tjetrit sa herë kanë nevoja politike (Bojaxhiu ka luajtur shumë herë kartat e Ramës duke shkuar deri në hedhjen e kandidaturës së tij për kryetar bashkie i Tiranës); i besojnë qorrazi madje edhe mirëqenien vetjake njërit-tjetrit: Shkreli vajin e ullirit e blen ekskluzivisht të vreshtave të Bojaxhiut, pi verën që prodhon ai, blen qumështin e lopës, vezët dhe zarzavatet që prodhon bahçja e Bojaxhiut.
Por ja që mbrëmë, u zunë… Dhe sebep ishte mungesa e ujit. Sepse, sado që është ortak, duket se Gjergj Bojaxhiut i ka mbetur aq cipë sa mos t’i thotë të zezës, të bardhë, të paktën kur vjen puna për një çështje jetike, siç është uji për banorët e Tiranës.
Sipas Zotëri Shkrelit, faji i mungesës së ujit të pijshëm janë vetë banorët e Tiranës. Dhe a e dini pse? Sepse kanë rritur standardin pra, lahen çdo ditë të Zotit. Epo pikë e zezë, edhe varfanjakë, edhe skanë b… në by… edhe duan të lahen për ditë. Pse ku jemi këtu, në Zvicër? Kështu ka thënë Shkreli!
Ja pra ku paska qenë sekreti o njerëz: tek e lara çdo ditë. Po ç’ju duhet ky sport, të dashur banorë të Tiranës?! Ju e paguani ujin një thes me lekë çdo muaj, kjo është e vërtetë, por kjo nuk do të thotë të kërkoni kaq shumë nga jeta! Dhe kur këtë e konstaton një figurë si Artan Shkreli, çoç ka në këtë mes.
Dëgjojeni Shkrelin se është burrë me mend! Filloni me planifikimin, le të themi: çdo të shtunë dush. Apo të dielën, meqë të hënën shkoni në punë! Nejse! Si të doni, mjaftoni ta ulni stekën aty ku e kishit në kohën e largqoftit.
O Shkrel, o zotni burrë…/Pamfleti