Kosova23 Korrik 2019, 14:53

Deklarata e fortë e deputetes së Kuvendit të Kosovës: Po bëhen pazare politike në emërimin e ambasadorëve

Shkruar nga Pamfleti
Deklarata e fortë e deputetes së Kuvendit të Kosovës: Po

Deklarata e fortë e deputetes së Kuvendit të Kosovës: Po bëhen pazare politike në emërimin e ambasadorëve

Republika e Kosovës ka në funksion gjithsej 30 misione diplomatike, por në disa prej tyre vazhdojnë të mungojnë ambasadorët nga Kosova, për shkak të vonesave në emërim dhe në dekretim nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) dhe nga ana e presidentit të vendit Hashim Thaçit. Vendet ku mungojnë këta ambasadorë janë Britania e Madhe, Australia, Suedia, Sllovenia, Shqipëria dhe Zyra Ndërlidhëse në Serbi, shkruan Gazeta ‘Zëri’.

Ndonëse njohës të çështjeve politike në vend vlerësojnë se mungesa e ambasadorëve e dëmton diplomacinë kosovare dhe e zvarrit lobimin e Kosovës për çështje të rëndësishme, siç janë njohjet e reja, liberalizimi i vizave dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare, njëjtë nuk mendojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thekson se si nga ana e Qeverisë, ashtu edhe nga ana e Presidencës janë bërë pazare politike në emërimin e ambasadorëve të Kosovës në shtetet tjera.

“Vonesat në emërimin dhe në dekretimin e ambasadorëve po vjen për shkak të neglizhencës, por në rastet më të shpeshta për shkak të pazareve që po bëhen në rastet e përzgjedhjes së tyre. Tashmë është e qartë që më së paku janë marrë parasysh kriteret profesionale, sepse emërimi i personave ka qenë kryesisht i bazuar në lidhjen politike dhe klienteliste”, ka thënë ajo për “Zërin”.

Nagavci thotë se vonesat në emërim do të shkaktojnë zvarritje të lobimit për çështjen e liberalizimit të vizave, për prurjen e njohjeve të reja dhe lobimin për integrim sa më të shpejtë të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Ministria e Jashtme në vazhdimësi nuk ka qenë në nivel të detyrës së vet, duke filluar prej përfaqësimit, qoftë në takime të ndryshme zyrtare, por edhe në kryerjen e detyrave bazë, siç është caktimi i ambasadorëve. Kjo jo vetëm që nuk jep një pasqyrë të mirë për shtetin e Kosovës, por edhe pamundëson kryerjen e obligimeve që i kemi në raport me vendet tjera. Mungesa e ambasadorëve ndikon keq në politikën e jashtme, duke pasur mungesë të lobimit për çështjen e njohjeve, të vizave e të integrimit të Kosovës në BE e në organizata ndërkombëtare”, ka deklaruar ajo./ZËRI

Prishtine Arbërie Nagavci Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje emërimi i ambasadorëve Pazaret politike