Ministrja e Financave, Anila Denaj, tha se qeveria e ka ftuar më shumë se dy herë opozitën, gjatë pandemisë, që të paraqesë programin e saj për të gjetur zgjidhje për situatën, por që kjo e fundit nuk është përgjigjur.
Sipas Denajt, ajo që bizneset kanë fituar në gjtihë këto kohë është më e madhe se 1 mijë dollarëshi i premtuar nga zoti Basha.
“Ne nuk jemi treguar konservatorë, kemi pasur një strukturë për të mbështetur. Përmendët termin biznes përballë familjes. Biznes dhe familje është një qasje e ndryshme mes dy formimeve politike. Po të krahasojmë paketat për biznesin e vogël ne iu kemi hequr tatim fitimin, por morën edhe paketën e parë jo vetëm për vete por edhe për një bashkëfamiljar.
Duke u ndalur te paketa e zotit Basha për 35 mijë biznese, për cdo biznes ndihma jonë ishte 1 mijë e 45 dollarë dhe është më shumë se 1 mijë dollarëshi i premtuar nga zoti Basha. Ne paketat i adresuam te biznesi i vogël se ishte më vulnerabël. Mos harroni garancitë sovrane. Janë 260 mln dollarë të ofruara, nuk kemi rritur borxhin por kemi rritur mundësinë që cdo biznes nëpërmjet shtyrjes së tatimfitimit, të krijojë likuditet për të mbajtur njerëzit në punë, për të qëndruar në treg përtej kësaj situate“, u shpreh Denaj.
Sa i përket pensionistëve, Denaj habiti me përgjigjen e saj duke thënë se gjatë muajve të pandemisë pensionistët janë ndihmuar në shumë forma dhe tani nuk është e nevojshme pasi emergjenca sipas saj, ka kaluar.
“Kujdesi për pjesën më të madhe të tyre është i siguruar. Për pensionin, kemi arritur deri të kërkojmë që ata ta marrin në shtëpi, të mos shkojnë në bankë, si dhe iu kemi siguruar maska e dezinfektantë. Janë tre spitale Covid sot që flasim, ku flasim për një ndihmë të drejtpërdrejtë për një shtresë në nevojë. Po flasim për parandalimin, se izolimin e bëmë nëpër shtëp. Nuk është çështje kostosh, megjithatë edhe mungesa e kësaj kostoje është e tillë që amortizohet përmes formave të tjera. Familjet e kanë marrë ndihmën ekonomike, paketën e luftës, sigurisht që dhe një 18 euro mund të shkojë kollaj te një pensionist. Por ne po flasim për një situatë, ku ka kaluar emergjenca“, përfundoi Denaj.