Politike11 Korrik 2019, 16:30

Denaj përgënjeshtroi taksën e re të karburantit, Agron Shehaj e nxjerr zbuluar dhe publikon dokumentin

Shkruar nga Pamfleti

Listës së gjatë të taksave që qytetarët paguajnë mbi naftën shumë shpejt mund t’i shtohet edhe një tjetër. Pasi e pezulloi për disa muaj, qeveria ka riaktivizuar sërish një projektligj, i cili vendos tarifë shtesë mbi karburantet për të financuar rezervën e detyrueshme të sigurisë.

Megjithatë në një reagim përmes rrjetit social Twitter, ministrja e Ekonomisë dhe Financave Anila Denaj ka përgënjeshtruar vetë pretendimet, që u ngritën publikisht nga opozita se shqiptarëve po u rritej edhe me një taksë shtesë çmimi i karburantit.

„Kur e humbet debatin, i humburi kapet pas sajesave! Kjo m’u kujtua duke dëgjuar Lulzim Bashën që flet për rritje të taksës së karburantit. Një tjetër produkt i një fantazie gjithnjë e më shumë për të ardhur keq! S’ka rritje taksash, s’ka taksa të reja!“ – shkruan Denaj në Twitter.

Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj me anë të një statusi në “Facebook” shkruan mbi taksën e re mbi karburantin që ka vendosur qeveria “Rama”. Shehaj nënvizon se Rama po mashtron qytetarët njësoj si me taksën e Rrugës së Kombit, duke iu ofruar shqiptarëve shërbime aspak të nevojshme. Ai shton se me këto taksa, Rama vetëm sa pasuron miqtë dhe oligarkët pranë tij. /Pamfleti

Postimi i plotë i Agron Shehajt:

Qeveria mashtron qytetarët duke mohuar taksën e re mbi naftën. Ligji i ri parashikon shprehimisht që burimi financiar i agjencisë mbi menaxhimin e rezervave të naftës do të jetë: “Tarifat e krijimit dhe mbajtjes se rezervës se sigurisë që aplikohen mbi sasitë e produkteve energjetike hidrokarbure që shiten në Republikën e Shqipërisë..”
dhe “Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit, vendos tarifat e përmendura në pikën 1.1..”

Rama bën lojra fjalësh. Edhe taksën prej 5 eurosh të Rrugës së Kombit e quajti tarifë por pak rëndësi ka si e quan.

E vërteta është që kemi të bëjmë me taksën e radhës për shërbime të panevojshme, që nuk ka për qëllim rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve por vetëm një mënyrë të re për të pasuruar veten dhe miqtë e tij oligarkë në kurriz të popullit me të varfër në Europë.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Politike