Kosova16 Dhjetor 2022, 19:21

Dënimi i Salih Mustafës, reagon Kurti: E papranueshme që çlirimtari gjykohet më rëndë se agresori!

Shkruar nga Pamfleti
Dënimi i Salih Mustafës, reagon Kurti: E papranueshme që

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar lidhur vendimin e Gjykatës së Hagës, e cila dënoi me 26 vite burg ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Ky i fundit akuzohet për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Kurti e cilëson këtë vendim të padrejtë dhe shprehet i indinjuar. Ai thotë se ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Kurti thotë se Salih Mustafa ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet.

Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”, shkruan kryeministri i Kosovës në Facebook, teksa shton se ka besim se institucionet e pavarura të drejtësisë do reflektojnë në shkallët e tjera.

“Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famë keq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës.

Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh.

E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet.

Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?

Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit.

Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë.”-shprehet Kurti në Facebook.

Prishtine #Dënimi i Salih Mustafës Albin Kurti

Kosova