Tre gjyqtarët që dënuan Tahirin do jenë pjesë e Gjykatës Speciale, ja pse janë tmerruar kokat e krimit dhe korrupsionit real të politikës shqiptare, amerikanët mesazh se fundi i tyre po vjen
Edhe pse me ‘prova’ të diskutueshme, Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi dje për shpërdorim detyre ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, duke u dhënë një mesazh të qartë kokave reale të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri se fundi i tyre po troket. Samir Tahiri është ‘kurbani’ dhe sinjali i shkallmimit të paktit mes politikës mafioze të Tiranës dhe drejtësisë, për të vijuar kulturën e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Ky pakt antishqiptar 30-vjeçar po shkallmohet falë ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Saimir Tahiri ka qëndruar katër vite në krye të Ministrisë së Brendshme, ku nuk është akuzuar për asnjë aferë korruptive. Megjithatë, Tahiri u dënua. Nga ana tjetër, Ilir Meta, Sali Berisha, Edi Rama, Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe lukunia e hajdutëve rreth tyre, ka tre dekada që vjedhin, shkatërrojnë, përdhunojnë, kriminalizojnë shtetin dhe sundojnë Shqipërinë.
Kur Tahiri u dënua pa prova, çfarë pritet të ndodhë me Metën, Ramën, Bashën, Berishën dhe Monikën, karriera e gjatë politike të cilëve karakterizohet vetëm nga krimi dhe korrupsioni?! Kjo duket se është edhe arsyeja se pse Berisha, Basha dhe Monika kanë reaguar të alarmuar pas vendimit për dënimin e Tahirit, ndërsa Rama dhe Meta vijojnë të heshtin. Berisha, Basha dhe Monika e kanë konsideruar si të turpshëm vendimin për dënimin e Tahirit, duke akuzuar Ramën për kapjen e drejtësisë, duke akuzuar gjyqtarët si narkogjyqtarë etj., por në fakt alarmi i tyre konsiston diku tjetër, tek prishja e paktit mes politikës dhe drejtësisë për mosndëshkim. Kokat e politikës shpresonin që Tahiri të shpallej i pafajshëm, vendim i cili do t’i qetësonte në raport me SPAK-un, makthin më të tmerrshëm të tyre.
Procesi në ngarkim të Saimir Tahirit është monitoruar në vijimësi nga përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë investuar për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Gjykatës Speciale, struktura këto që pritet të godasin kupolën mafioze politike. Nga ana tjetër, tre gjyqtarët që dënuan Tahirin, Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka, kanë aplikuar për të qenë pjesë e Gjykatës Speciale. Gjykata Speciale do të gjykojë të gjitha dosjet që do t’i dërgojë Prokuroria e Posaçme për të gjitha veprat penale që kanë kryer gjatë 30 viteve zyrtarët dhe ish-zyrtarët më të lartë në Shqipëri. Kjo duket se është edhe arsyeja se pse Sali Berisha dhe Monika Kryemadhi nisën që t’i sulmonin tre gjyqtarët që tani, pasi me shumë gjasa, pas disa muajsh, do të paraqiten para tyre, për të dhënë llogari për krimet dhe aferat korruptive./Pamfleti