Aktualitet 3 Qershor 2018, 18:11

“Dëshmitari X” kërkoi azil politik në Kosovë, reagon ministri i Brendshëm i Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
“Dëshmitari X” kërkoi azil politik në Kosovë,

“Dëshmitari X” kërkoi azil politik në Kosovë, reagon ministri i Brendshëm i Kosovës

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Bejtush Gashi ka folur ditën e djeshme për Albert Veliun i njohur ndryshe si ‘dëshmitari X’, i cili u ndalua pak ditë më parë në Kosovë bashkë me djalin pasi kishin hyrë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Ditën e djeshme teksa ishte për një vizitë në pikat kufitare në Morinë dhe Shishtavec, ministri i Kosovës konfirmoi zyrtarisht kërkesën e Veliut për azil politik në Kosovë, ndërsa bëri me dije se po kryhen të gjitha procedurat pas kërkesës së bërë. Megjithatë, Gashi theksoi se vendimi për Veliun, sipas tij, do të merret në zbatim të plotë të Konventave Ndërkombëtare. “Po ka kërkuar azil. Po kryhen të gjitha procedurat, Kosova është e detyruar të respektojë Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe aktet që lidhen me këtë.

 Po kryhen të gjitha procedurat e obliguara”, deklaroi ndër të tjera gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm në Kosovë, Bejtush Gashi ditën e djeshme. I shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, ministri i Brendshëm në Kosovë, Bejtush Gashi vizitoi pikat kufitare në Morinë dhe Shishtavec. Vizita e parë realizohet në Morinë pastaj do të vizitohet pika e kalimit në Shishtavec. Bëjmë me dijes se më 28 maj policia e Kosovës ndaloi Albert Veliun, e njohur si bashkëpunëtori X në audio-përgjimin e publikuar nga Partia Demokratike.

Nga biseda e bërë publike midis dy personave, njëri i cilësuar si “Bashkëpunëtori X” dhe një personi tjetër i supozuar si shtetasi Agron Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj) është treguar se bashkëpunëtori është ndihmuar nga shtetasi Agron Xhafaj për të siguruar një sasi kanabisi për ta trafikuar. Në Shqipëri më 17 maj 2018 Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda,ka regjistruar procedimin penal Nr. 95/v.2018 për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.

Ndërsa më datë 18.05.2018 me këtë procedim është bashkuar dhe procedimi penal Nr. 3853 i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë i regjistruar për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305 i Kodit Penal. Pas publikimit të audio-përgjimit Agron Xhafaj iu vetëdorëzua autoriteteve italiane për të kryer dënimin e marrë nga drejtësia e këtij vendi. PD e quajti këtë veprim si qëllim për të mbyllur hetimet në Shqipëri.

Aktualitet