Politike26 Gusht 2018, 12:01

Dhimbja bashkon politikën shqiptare, të gjithë njëzëri ngushëllojnë amerikanët për vdekjen e McCain

Shkruar nga Pamfleti
Dhimbja bashkon politikën shqiptare, të gjithë njëzëri

Politika shqiptare ka ngushëlluar njëzëri amerikanët për ndarjen e nga jeta në moshnë 81-vjeçare të senatorit republikan, John McCain. Rama, Basha dhe Meta e cilësojnë McCain një mik të madh të Shqipërisë, një luftëtar të pamposhtur për kauzën e lirisë.

McCain ishte senator për tre dekada dhe ishte diagnostifikuar me kancer në tru që në korrik të vitit 2017, ndërsa pak ditë më parë ai vendosi të ndërprerë mjekimet, ku dhe ndërroi jetë.

Rama: Senatori John McCain e jetoi jetën si një betejë të pandërprerë për vlerat e mishëruara në qenien e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai ishte dhe një mik i mirë i Shqipërisë me të cilin kemi bashkëpunuar e ndarë mendme të njëjta. Thank you for all and rest in peace Senator.

Basha: Me ndarjen nga kjo jetë të Senatorit John McCain, kombi shqiptar humbi një mik të madh. Luftëtar i pamposhtur për kauzën e lirisë, Senatori McCain ishte një zë i fuqishëm në krah të betejave të shqiptarëve për liri, demokraci dhe integrim euro-atlantik. Mirënjohje e përjetshme për këtë hero dhe ngushëllimet më të ndjera familjes së tij dhe popullit mik amerikan. U prehtë në paqen e Zotit!

Meta: Ndarja nga jeta e Senatorit John McCain është një lajm i hidhur për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Sot u largua nga jeta një hero lufte dhe një patriot i madh, njeriu që i shërbeu kombit të tij me vetëmohim, heroizëm e ndershmëri të pashoqe.

Ai i shërbeu lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë e veçanërisht në Ballkan. Senatori McCain ishte një nga mbështetësit e vendosur të çështjes së Kosovës dhe kauzës për lirinë dhe pavarësinë e saj. Ai u bë një ndër mbështetësit kryesorë të antarësimit të Shqipërisë dhe të rajonit tonë në NATO për të cilën të gjithë shqiptarët i janë mirënjohës.

Angazhimi i përkushtuar i njerëzve të tillë si McCain për cështjen e të drejtave dhe të lirive të popujve të shtypur në botë e kanë bërë SHBA-në një vend lider të demokracisë dhe rriti simpatinë e saj në gjithë botën. Sot shqiptarët humbën një mik të veçantë e të pazëvendësueshëm. U prehtë në paqe shpirti i tij!

Politike Edi Rama Ilir Meta John McCain Lulzim Basha