Kulture21 Korrik 2018, 19:53

Dhjetë programet sekrete më të çuditshme të CIA-s

Shkruar nga Pamfleti
Dhjetë programet sekrete më të çuditshme të CIA-s

 

CIA amerikane, shërbimi i inteligjencës më i sofistikuar në botë është bërë e njohur për paranojën e saj në ndërmarrjen e projekteve të kushtueshme, herë-herë të paligjshme dhe absurde

Por në pjesën më të madhe të rasteve këto lloj programesh kanë dështuar. Në një listë janë renditur dhjetë programet më të çuditshme që qeveria amerikane ka financuar gjatë viteve të saj.

10. Macja akustike

Pjesa më e madhe e njerëzve nuk do ta besonin se një mace e zakonshme mund të jetë një agjente spiunazhi. Por në vitin 1960, CIA shpenzoi 20 milionë dollarë për projektin sekret “Macja akustike”, që i përdorte macet si pajisje regjistrimi. Projekti me anë të ndërhyrjeve kirurgjikale u vuri maceve mikrofonë, antena dhe bateri në bishtin e tyre dhe më pas i liruan në afërsi të ambasadës ruse. Ideja ishte të paktën njëra nga macet të arrinte të shkonte deri tek grupi i funksionarëve komunistë dhe të regjistronte bisedat e tyre. Plani u vu në veprim, por macja e parë e dërguar në fushë u shtyp nga një taksi përpara se të shkonte në destinacion dhe kështu operacionin “Macja akustike” u braktis.

9. Zogu tallës

Ndër programet më ambicioze të CIA-s ishte operacioni “Zogu tallës”, që u mor në konsideratë në fillim të viteve 1950. Në këtë projekt morën pjesë më shumë se 3 mijë agjentë të shërbimeve inteligjente, të cilët u përpoqën të marrin një pjesë të kontrollit mbi shtypin e lirë duke seleksionuar një pjesë të reporterëve për të filtruar llojet e historive që shkonin në publik. Në program u përfshinë shkrimtarë që shkruanin për “New York Times”, “News week”, “Time Magazine”, madje u tha se projekti kishte një ndikim të rëndësishëm në 25 gazetat kryesore. Operacioni pati një efekt të madh edhe në mediat botërore gjatë viteve ’50, deri kur një seri raportesh të gazetarëve investigativë arritën ta zbulonin dhe ta bënin publik.

8. Ari)

Një prej operacioneve më të forta të CIA-s gjatë Luftës së Ftohtë ishte operacioni “Ari” i vitit 1953, që ishte fryt i përbashkët midis CIA-s dhe MI6-s britanike për të ndërhyrë në linjat telefonike të shtabit sovjetik në Berlinin Lindor. Kjo kërkoi ndërtimin e një tuneli prej 450 metrash të gjatë që do të ndërpritej me një kryqëzim telefonik nëntokësor. Inteligjenca amerikane regjistroi më shumë se 50 mijë biseda telefonike gjatë një viti. Por një agjent i infiltruar i KGB-së në forcat britanike të zbulimit e dekonspiroi këtë operacion para se tuneli të përfundohej, sepse për një pjesë të madhe kohe, sovjetikët e kishin ushqyer CIA-n me informacion të rremë. Në vitin 1956, sovjetikët arritën ta mbyllnin tunelin.

7. Drutë e veriut

Në fillim të viteve 1960, kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj dhe frika e komunizmit sa vinte e shtohej, CIA-s amerikane iu propozua plani i quajtur operacioni “Drutë e veriut”. Ky plan parashikonte që qeveria e SHBA-së të kryente një seri veprimesh të dhunshme terroriste si: shpërthime, rrëmbime, trazira të rreme dhe sabotazhe, përgjegjësia e të cilave do t’i ngarkohej Kubës. Kjo do të sillte rritjen e mbështetjes për luftë kundër komunistëve dhe do të çonte në operacione të mundshme ushtarake për të larguar nga pushteti Fidel Kastron. Plani i nënshkruar nga shefat e përbashkët të Shtabit, iu paraqit presidentit Xhon F. Kenedi, i cili e kundërshtoi atë dhe për pasojë programi u braktis. Dokumentet sekrete që përshkruajnë planin, u bënë publike më 1997-n, si pjesë e një deklarate të qeverisë në lidhje me vrasjen së Xhon F. Kenedi.

6. Projekti Pëllumbi

Një nga projektet më absurde ushtarake të të gjitha kohërave ishte ai i Luftës së Dytë Botërore, kur psikologu B. F. Skiner u rekrutua nga qeveria për të trajnuar pëllumba që do të përdoreshin në një sistem udhërrëfyes të raketave. Në atë kohë, Skiner ishte i njohur si një prej praktikuesve më të mëdhenj të ‘sjelljes së kushtëzuar’, një sistem që përdorte shpërblimin dhe dënimin si një mjet për kontrollin e sjelljes. Skiner vendosi pëllumba të trajnuar brenda raketave, ndërsa një aparat fotografik përballë tyre regjistronte rrugën e fluturimit të projektuar në një ekran, në mënyrë që pëllumbat ta shihnin. Zogjtë ishin trajnuar për të njohur objektivin e qëllimit të raketave, dhe ata do të çukisnin ekranin në qoftë se ajo ishte jashtë kursit. Skiner mori 25 mijë dollarë për drejtimin e projektit, ndërsa zyrtarët e qeverisë ishin të paaftë për të kapërcyer absurditetin e programit dhe ai u mbyll përfundimisht.

5. Piku i mesnatës

Në fillim të viteve ’60 u zhvillua operacioni “Piku i mesnatës”, i cili ishte një nga përpjekjet më qesharake dhe të paligjshme të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës për të testuar përdorimin e drogës. Prostitutat u përdorën për të joshur të rinjtë dhe në momente të caktuara atyre u jepej ushqim ose pije, brenda të cilave ishin hedhur LSD dhe drogëra të tjera. Më pas, ata dërgoheshin në një dhomë të veshur me pasqyra dhe aty sjellja e tyre analizohej. Ky ishte një program eksperimental për të monitoruar ndikimin dhe përdorimin taktik të drogës dhe shantazhit seksual në fushën e spiunazhit. Por brenda Agjencisë kishte debate të ashpra mbi këtë projekt, të cilat çuan në mbylljen e tij vetëm disa vjetësh. Shumica e dokumenteve të lidhura me operacionin u shkatërruan, por disa mbijetuan, dhe në fillim të viteve ‘70 dokumentet në lidhje me operacionin dhe shumë programe të tjera të paligjshme të CIA-s, u sollën në dritë nga “Nju Jork Tajms”.

4. Porta e yjeve

Projekti 20 milionë dollarësh përfshinte një numër të madh eksperimentesh psikike dhe hetime të ndërmarra nga qeveria e SHBA-së mes viteve ’60 dhe ‘70. Qëllimi i këtij programi ishte hetimi mbi probabilitetin shkencor të shikimit të ngjarjeve të dëshmuara në distanca të largëta. Programi gjithashtu testoi subjektet që kishin aftësinë për të parashikuar ngjarjet e ardhshme dhe ngjarjet e fshehura në dokumentet sekrete. Edhe pse disa nga pjesëmarrësit e këtij projekti pohuan se kanë parashikuar ngjarjet më të mëdha botërore, si sulme ushtarake dhe situata pengjesh, programi gjeti se shikuesit në distanca të largëta dhe telepatikët gabonin në rreth 80% të rasteve, kështu që në vitin 1995, CIA e anuloi projektin.

3. Mangustë

Në fillim të viteve ‘60, Kuba komuniste u bë një nga fushëbetejat më të mëdha të Luftës së Ftohtë, dhe presidenti i këtij vendi Fidel Kastro u konsiderua si një nga figurat më të rrezikshme politike në botë. Pas përpjekjeve të hershme për të përmbysur me forcë Kastron dështuan, CIA themeloi Operacionin Mangustë, që ishte një luftë e fshehtë sabotimi për të hequr udhëheqësin kuban nga pushteti. Ky operacion përfshiu plane të sulmeve të rreme të emigrantëve kubanë, për t’u siguruar armë grupeve të opozitës dhe shkatërrimin e kulturës së kallamit të sheqerit kubanez. U përfshinë edhe disa përpjekje për ta vrarë dhe diskredituar Kastron në shtyp, ku secila prej tyre ishte më qesharake se tjetra. Agjencia tentoi të helmatiste furnizimin personal të cigareve puro të Kastros, vendosi eksploziv në pishinën e tij preferuara të notit, madje mbushi një stilolaps me një kimikat vdekjeprurës. Në një marrëveshje mes Xhon F. Kenedit dhe sovjetikëve, ai u braktis.

2. Projekti “MKULTRA”

Një nga programet e qeverisë që ushqen teoritë e panumërta të konspiracionit, projekti “MKULTRA” nisi në fillim të viteve 1950 dhe përfshiu eksperimente kimike për kontrollin e mendjes. Me pak fjalë, operacioni në të cilin u përdorën droga, stresi i stimuluar dhe metoda që synonin ndryshimin e funksionit të trurit. Programi përfshinte testimin dhe marrjen në pyetje të qytetarëve shpesh pa dijeninë e tyre në shërbim të zbulimit. Kjo përfshinte dhënien e dozave të mëdha të LSD-së, amfetaminës, meskalinës, si dhe terapisë së shokut. Në një rast spekulohet se subjektet ishin dozuar me acid për 77 ditë me radhë në një përpjekje për të provuar efektet e ekspozimit afatgjatë ndaj drogës.

1. Pushtimi i Gjirit të Derrave
Programi është një prej përpjekjeve të para për të përmbysur udhëheqësin komunist kubanez, Fidel Kastro. Programi filloi më 1960-n, nën autorizimin e presidentit. Në mënyrë që të eliminonte çdo lidhje me SHBA-në, sulmi do të kryhej nga emigrantët kubanezë të kthyer në vendlindje dhe të trajnuar posaçërisht nga CIA. Më 17 prill 1961, një grup i trupave amfib, me guerrilas zbarkoi në një plazh në Gjirin e Derrave. Që në fillim plani i tyre dështoi tragjikisht. Dy mijë kubanezë vdiqën gjatë pushtimit, 1 200 të tjerë u kapën dhe u burgosën, pjesa tjetër u ekzekutua me urdhër të Kastros.

Histori/Arkeologji