Kosova30 Dhjetor 2022, 10:55

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti

Vuçiç: Kam informacione se Kurti po kërkon artileri me largësi prej më shumë se 10 km

Barrikadat në veri po konsiderohen dëshmi se si presidenti serb, Aleksandar Vuçiç arrin t’i manipulojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Tensionet në veri të Kosovës nuk janë kapërcyer në një mënyrë për të siguruar stabilitet, por përkundrazi ftojnë paqëndrueshmëri të vazhdueshme, ka thënë për REL, Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Washington dhe ish-zëvendësshef i misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Mund të presim një qetësi të caktuar për një kohë, derisa Aleksandar Vuçiç të vendosë se i duhet sërish një krizë në Kosovë. Mbi të gjitha, ai dëshiron të ruajë levën që ka mbi Kosovën, sepse ajo ruan pushtetin e tij”, ka thënë Joseph, duke shtuar se përderisa kjo nuk e kuptohet, nuk do të ketë përparim për Kosovën, vetë Serbinë dhe demokracinë e saj dhe gjithë rajonin.

“Ato barrikada, që fatmirësisht janë hequr, janë vetëm metaforë, sepse ka ‘barrikada gjigante’ mes Serbisë dhe Kosovës. Ka edhe ‘barrikada’ në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Bashkimit Evropian. Këto ‘barrikada’ shërbejnë si ‘urë’ midis Serbisë dhe Rusisë”, ka shtuar ai.

Joseph beson se ka mënyra për t’i hequr ato barrikada, por se SHBA-ja dhe BE-ja nuk duan t’i shqyrtojnë ato opsione dhe se janë subjekt i manipulimit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Sipas tij, këto barrikada u hoqën në atë mënyrë që mund të vendosen përsëri shumë lehtë.

“Pra, kjo nuk është një zgjidhje e mirë. Është një tjetër dëshmi se si Aleksandar Vuçiç manipulon SHBA-në dhe BE-në duke përdorur levën e pushtetit që Serbia ka mbi Kosovën”.

Ai ka vlerësuar se qëndrimi i NATO-s dhe KFOR-it përballë situatës në veri dhe kërkesës së Serbisë për rikthim të ushtrisë, ishte i gabuar.

Prishtine Aleksandar Vuçiç bashkimi evropian veriu i Kosovës

Kosova