Aktualitet21 Prill 2019, 02:57

Dokumentet e amerikanëve, ja kush ishin ministrat që morën në dorë qeverinë gjatë pushtimit italian, Beogradi i trembej S

Shkruar nga Pamfleti
Dokumentet e amerikanëve, ja kush ishin ministrat që morën

Dokumentet e amerikanëve, ja kush ishin ministrat që morën në dorë qeverinë gjatë pushtimit italian, Beogradi i trembej Shqipërisë së Madhe më 1939

Amerikanët kanë treguar të tjerë detaje nga pushtimi italian në Shqipëri. Sipas letërkëmbimeve të publikuara nga Departamenti i Shtetit, tregohet se kush ishin ministrat shqiptarë që u emëruan nga italianët. Po ashtu, tregohet se si Beogradi e ka pasur gjithmonë kompleks Shqipërinë e Madhe.

Tirana, 11 prill 1939
Parlamenti shqiptar mblidhet nesër, (e mërkurë) për ndryshimet kushtetuese dhe vendosjen e regjimit të ri. Thuhet se mbreti i Italisë mund të shpallet mbret i Shqipërisë. Me shumë gjasa komisionari i lartë italian do të marrë kontrollin e Shqipërisë me ndihmën e një kabineti shqiptar, por për këtë nuk ka konfirmime. Konti Ciano pritet të kthehet përsëri në Tiranë nesër. Një ushtarak i lartë italian më informoi sot se nuk ka më rezistencë të armatosur nga vendasit dhe se në Shqipëri ka rreth 40,000 ushtarë italianë. Trupa të tjera raportohet e janë në bregdet. Ambasadori grek më shprehu sot shqetësimin e tij pozitën e vendit të tij pas pushtimit të Shqipërisë. Zhurma të vazhdueshëm thonë se italianët mund të depërtojnë në territorin jugosllav të Kosovës apo në Çamëri të Greqisë. Ambasadori francez u takua ma përfaqësuesin italian dhe regjistroi një notë të fortë proteste për vilën verore të legatës franceze në Durrës, për të cilën kërkoi dëmshpërblim. (Ambasadori në Shqipëri (Grant) për sekretarin e shtetit)

Beograd, 11 prill 1939
Sipas rekomandimeve u interesova sot me qeverinë jugosllave, nëse ata ishin të shqetësuar për sulmin ndaj Shqipërisë dhe nëse kishin informacione për dëshirën e supozuar të mbretit Zog për të marrë me forcë një pjesë të territorit jugosllav. Smiljanic dukej në siklet dhe fillimisht iu shmang komenteve por duke e nxitur atë më tha se megjithëse italianët flasin për intrigat e Zogut ndaj marrëdhënieve italo-jugosllave, nuk kishte dëgjuar më parë për planet e Zogut për të pushtuar Kosovën në Jugosllavi, deri para se kjo të përmendej nga Ciano ndaj ambasadorit jugosllav më 6 prill 6. Pyeta Smiljanic nëse qeveria jugosllave kishte informacion përveç burimeve italiane që tregojnë se Zogu kërkon të pushtojë Jugosllavinë, por dhe ai iu shmang përgjigjes e tha se Zogu kishte publikuar harta ku tregohej se Shqipëria e Madhe arrinte deri në Nish. Por më në fund pranoi se nuk kishin informacione konkrete për sulme ushtarake shqiptare përveçse nga burime italiane. Në lidhje me politikën aktuale të Jugosllavisë, ai tha se masat ushtarake kundër Italisë nuk do të vlenin për gjë dhe se Jugosllavia duhet të gjejë një marrëveshje për të jetuar paqësisht me fqinjin e saj të madh. Kure pyeta për rrezik të mundshëm ekonomik e ushtarak nga pushtimi i Shqipërisë si rezultat i fortifikimeve italiane në Sazan që vazhdonin prej 20 vjetësh, ai shprehu keqardhje për pushtimin e Shqipërisë por tha se ka një alarm më të madh për situatën e përgjithshme. (Ambasadori në Jugosllavi (Lane) për sekretarin e shtetit)

Paris, 12 prill 1939
Rochat tha sot pasdite se në 24 orët e fundit situata nuk është përkeqësuar. Deklarata që Chamberlain dhe Daladier do të bëjnë nesër, shënon nisjen e një faze të re, pasi do të ketë një garanci për Greqinë e ndoshta dhe për Rumaninë. Çështja e Turqisë nuk është pjekur akoma dhe negociatat vazhdojnë. Nga pikëpamja ushtarake informacionet sugjerojnë se nuk ka lëvizje domethënëse në Gjermani por në Itali ka përqendrim trupash në Brindisi dhe të tjera trupa e materiale po transportohen në Shqipëri, sa që nuk është më çështje e ruajtjes së rendit atje, siç pretendojnë italianët. Francezët janë të shqetësuar për praninë e forcave italiane në Spanjë. Pohimi se to po mbahen atje për paradën ushtarake të fillimit të majit konsiderohet si një nga pretekstet më të dobëta. Gjithashtu qeveria franceze ka prova se mes 1 dhe 10 prillit rreth 5000 trupa italiane shtesë kanë zbarkuar në Cadiz. Përpjekjet e Marshal Petain për të marrë shpjegime mbi situatën nuk kanë dhënë rezultat, ashtu si dhe përpjekjet e britanikëve. Rochat ka shprehur opinionin se britanikët padyshim kanë të drejtë që nuk denoncojnë marrëveshjen Anglo-Italian. Ndërkohë është e nevojshme të merren masat parandaluese të karakterit ushtarak e detar për të mos u kapur në befasi, siç po kryen aktualisht qeveria franceze. (Ambasadori në Francë (Bullitt) për sekretarin e shtetit)

Tirana, 13 prill 1939

Një shënim i datuar 13 prill, 1939 është marrë sot nga “Mbretëria e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Jashtme”. Unë nuk jam përgjigjur dhe pres udhëzimet e Departamentit. Teksti i saj është si më poshtë:  “Ministria e punëve të Jashtme i bën komplimentet Misionit tuaj Diplomatik dhe komunikon sa më poshtë: (1) largimi i dinastisë së mbretit Zog dhe regjimti të tij; (2) ofrimi i kurorës mbretërore për Madhërinë e tij Victor Emmanuel III mbret dhe perandor i Italisë, si mbret i Shqiptarëve; (3) ruajtja e flamurit, e pavarësisë, dhe e sovranitetit të Shqipërisë; (4) krijimi i qeverisë nën drejtimin e shkëlqesisë së tij Shevqet Vërlaci me detyrë të përkohshme gjithashtu ministër i Brendshëm dhe i Punëve Publike, me anëtarë Xhafer Ypi, ministër i Drejtësisë, Xhemil Dino, ministër i Jashtëm, Feizi Alizotti, ministër i Financave, Ernest Koliqi, Ministër i arsimit publik, e Andon Beci, ministër i Ekonomisë Kombëtare. Këshilli Ministerial duke marrë në konsideratë këtë ngjarje historike shpall 12, 13 e 14 prillin ditë pushimi publik.” (Ambasadori në Shqipëri (Grant) për sekretarin e shtetit)

Uashington, 14 prill 1939

Kam nderin të njoftoj marrjen e komunikatës tuaj të 8 prill, 1939 në vijim të protestës verbale që ju bëtë kundër pushtimit ushtarak të Shqipërisë nga Italia më 7 prill 1939, sipas udhëzimit të qeverisë shqiptare, për aktin që është në kundërshtim të traktateve mes Italisë e Shqipërisë, duke përfshirë dhe Paktin Kellogg. Kam nderin t’ju informoj se kam bërë një deklaratë për shtyp me pikëpamjet e qeverisë sime mbi çështjen më 8 prill. (Sekretari i shteti për ambasadorin shqiptar Faik Konica)

Londër, 14 prill 1939

Ministri i Jashtëm britanik Lord Halifax foli sot në dhomën e Lordëve ku tha se qasja e popullit britanik reflektonte atë të SHBA. Ai tha: “Sigurisht që nuk ka dyshim por pozitën e veçantë dhe interesat e Italisë në Shqipëri. Këto janë njohur dhe nga Këshilli i Ambasadorëve shumë vjet më parë, dhe me sa di unë, ato nuk janë vënë kurrë në dyshim. Por sido që të jetë veprimi ushtarak i Italisë ka sjellë pasoja në të gjitha rrethet dhe nuk është nevoja që të përsëris qëndrimin e Madhërisë së tij kundër pushtimit të dhunshëm, siç beson dhe shumica e Evropës dhe e SHBA. Kur u takova sot me kryeministrin Chamberlain më tha se ishte i shqetësuar nga reagimi i SHBA dhe se shtypi ka keqinterpretuar fjalët e Lord Halifax. Vetë kryeministri nuk iu referua SHBA gjatë fjalimit të tij në parlament. (Ambasadori në Britani (Kennedy) për sekretarin e shtetit)

Tiranë, 17 prill 1939

Në një takim këtë mëngjes me ambasadorët francezë, grek, turk e amerikan ramë dakord se bazuar në observimet e ngjarjeve të fundit në Shqipëri, ministri i Jashtëm italian Konti Ciano, në fjalimin e tij të së shtunës ka keqinterpretuar disa fakte të rëndësishme, përfshi dhe supozimin se shqiptarët kanë propozuar një traktat të ri aleance me Italinë, faktin se vetë Mbreti Zog ka kërkuar zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri , për faktin se nuk ka pasur kurrë një ultimatum nga italianët, për faktin se ka pasur manifestime që kërcënonin jetën apo pronën e qytetarëve italianë në Shqipëri, dhe për faktin se Mbreti Zog kishte nisur një kurs provokimesh ndaj Italisë pa marrjes së garancive për mbështetje nga vendet demokratike. Në lidhje me pikën e fundit ambasadorët theksuan se Mbreti Zog ishte kërcënuar në fakt me zbarkim të trupave italiane në rast se konsultohej me përfaqësuesit e vendeve demokratike në Tiranë, në kohën që negociatat vazhdonin. Asnjë nga ambasadorët nuk përmendi se kishte marrë instruksione nga qeveritë e tyre për njohjen e pushtetit të ri në Shqipëri. Ambasadori britanik tha se ishte udhëzuar të mos përkushtohej në asnjë qëndrim dhe gjithashtu të ndalonte punimet për legatën e re britanike që po ndërtohet në Tiranë nga një kompani e kontraktuar italiane. Raportimet thonë se inxhinierët italianë e për shpërndajnë valë nga stacioni radio i Tiranës për të ndërhyrë te valët e a radios Paris Mondial e cila transmeton në disa gjuhë për fshi dhe italisht. Gazetari italian përfaqësues i United Press në Shqipëri, Lo Russo-Attoma, është emëruar në krye të të gjitha aktiviteteve të shtypit në SHqipëri. Mbrëmë Tirana ishte skenë celebrimesh me fishekzjarre në nder të bashkimit të Italisë e Shqipërisë që u kremtuar të dielën në Romë, ku Mussolini e konti Ciano i dhanë Victor Emmanuel-it kurorën e Skënderbeut. Festime të ngjashme janë kryer dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Raportimet thoni se përfaqësitë shqiptare prezente në këto evente nuk ishin nga klasat më me influencë në vend. (Ambasadori në Shqipëri (Grant) për sekretarin e shtetit)/sot.

Dossier Amerikanet pushtimi italian Shqipëria