Dokumentet sekrete të ngrohjes globale

Dokumentet sekrete të ngrohjes globale

Firmat e naftës e dinin që produktet e tyre shtonin dioksid karboni në atmosferë, e kuptonin se kjo do të çonte në ngrohje globale dhe përllogaritën pasojat e mundshme. Pastaj ata zgjodhën të pranonin rreziqet në emrin dhe në kurrizin tonë, pa e ditur ne për përfitim të vetin.

Shkruan Benjamin Franta

Një ditë në vitin 1961, një ekonomist amerikan i quajtur Daniel Ellsberg gjeti një copë letër me efekte apokaliptike. Ellsberg, i cili po këshillonte qeverinë amerikane mbi planet e saj sekrete të luftës bërthamore, kishte zbuluar një dokument që përmbante një vlerësimn  zyrtar të vdekjeve në një “goditje të parë” paraprake mbi Kinën dhe Bashkim Sovjetik: rreth 300 milionë në ato vende dhe dyfishi i saj në shkallë globale.

Ellsberg u trazua që një plan i tillë ekzistonte vërtetë; vite më pas, ai u përpoq të nxirrte në publik detaje të asgjësimit bërthamor. Megjithatë përpjekja e tij dështoi, Ellsberg u bë i famshëm për rrjedhjen e asaj që më vonë u bë e njohur si Dokumentet e Pentagonit – historia sekrete e qeverisë amerikane për ndërhyrjen ushtarake në Vietnam.

Planifikimi ushtarak jomoral i Amerikës gjatë Luftës së Ftohtë i bën jehonë arrogancës së shfaqur nga një tjetër grup personazhesh që luajnë me fatin e njerëzimit. Së fundmi, dokumente sekrete janë zbuluar me detaje se industria energjetike e dinte për lidhjet mes produkteve të tyre dhe ngrohjes globale. Por, ndryshe nga planet bërthamore të qeverisë, ajo që industria parashikonte u vu në zbatim.

Në vitet 1980, kompanitë e naftës si Exxon dhe Shell kryen vlerësime të brendshme të dioksidit të karbonit të çliruar nga karburantet fosile dhe parashikoi pasoja të përhapura për këto çlirime. Në vitin 1982, për shembull, Exxon parashikoi se deri në 2060, nivelet e CO2 do të dyfishoheshin ndaj atyre të vitit 1800, dhe se kjo, sipas shkencës më të mirë të kohës do të ngrinte temperaturat e tokës me rreth 3 gradë celsius.

Më vonë në atë dekadë, në 1988, një raport i brendshëm nga Shell projektoi efekte të ngjashme, por gjithashtu zbuloi se CO2 mund të dyfishohej edhe më parë, deri në vitin 2030. Në privatësi, këto kompani nuk i kundërshtojnë lidhjet mes produkteve të tyre, ngrohjes globale dhe katastrofës ekologjike. Përkundrazi, kërkimi i tyre i konfirmon këto lidhje.

Vlerësimi i Shell parashikoi një rritje me 60-70 cm të nivelit të detit dhe theksoi se ngrohja globale gjithashtu nxiti disintegrimin e Akullit Perëndimor të Antarktikut, duke rezultuar në një ngritje të nivelit të detit në botë nga “pesë deri në gjashtë metra”. Kjo do të mjaftonte për të përmbytur shtete të ulëta.

Analistët e Shell gjithashtu paralajmëruan për “zhdukjen e ekosistemeve specifike ose shkatërrim të habitatit”, parashikuan “përmbytje shkatërruese të tokës bujqësore të një niveli të ulët” dhe thanë se “do të duhen burime të reja uji të pijshëm” për të kompensuar ndryshimet në reshje. Ndryshimet globale në temperaturë ajri do të ndryshonin gjithashtu në mënyrë drastike jetën dhe mënyrën e punësimit të njerëzve”. Thënë këto, Shell përfundoi se “ndryshimet mund të jenë më të mëdhatë të regjistuara në histori”.

Nga ana e vet, Exxon paralajmëroi për “ngjarje të mundshme katastrofike që duhen marrë parasysh”. Ashtu si ekspertët e Shell, shkencëtarët e Exxon paralajmëruan rritje shkatërruese të nivelit të detit dhe paralajmëruan se perëndimi i mesëm Amerikan, si dhe pjesë të tjerë të botës do të ngjanin si shkretëtira. Duke parë nga ana e ndritur, kompania shprehu besimin se “ky problem nuk do të jetë aq i rëndësishëm për njerëzimin sa holokausti apo uria botërore”.

Dokumentet janë të frikshme të lexohen. Dhe pasoja është edhe më tmerruese në pikëpamjen e refuzimit të gjigantëve të naftës për të paralajmëruar publikun rreth dëmit që kërkuesit e tyre parashikuan. Raporti i Shell, i etiketuar “konfidencial”, u zbulua së pari nga një organizatë mediatike holandeze më herët këtë vit. Studimi i Exxon nuk synonte gjithashtu shpërndarje të jashtme, ai u shpërnda në vitin 2015.

Këto kompani nuk morën as përgjegjësi për produktet e tyre. Në studimin e Shell, firma argumentoi se “barra kryesore” për zgjidhjen e ndryshimit klimatik qëndron jo te industria energjetike, por te qeveritë dhe konsumatorët. Ky argument mund të bënte sens nëse ekzekutivët e naftës, përfshirë ata të Exxon dhe Shell, nuk do të kishin gënjyer më pas rreth ndryshimit klimatik dhe të parandalonin vazhdimisht qeveritë nga veprimi i politikave të energjisë së pastër.

Megjithëse detajet e ngrohjes globale ishin të huaja për shumicën e njerëzve në vitet 1980, mes atyre pak që kishin një ide më të mirë për të ishin kompanitë që kontribuonin te shkaktimi i saj. Pavarësisht pasigurive shkencore, ideja kryesore ishte kjo: firmat e naftës e dinin që produktet e tyre shtonin dioksid karboni në atmosferë, e kuptonin se kjo do të çonte në ngrohje globale dhe përllogaritën pasojat e mundshme. Pastaj ata zgjodhën të pranonin ato rreziqe në emrin tonë dhe në kurrizin tonë pa e ditur ne.

Planet katastrofike të luftës bërthamore që Ellsberg pa në vitet 1960 ishin një Shpatë si e Demoklesë, që për fat të mirë nuk ra kurrë. Por parashikimet sekrete të ndryshimit klimatik nga industria e naftës u bënë realitet dhe jo aksidentalisht. Prodhuesit e karburantit fosil me vullnet na çuan drejt një të ardhme të zymtë që e nxitën duke promovuar produktet e tyre, duke gënjyer për pasojat dhe duke mbrojtur me forcë pjesën e tyre në tregun e energjisë.

Teksa bota ngrohet, blloqet që përbëjnë planetin tonë – copat e akullit, pyjet dhe rrymat atmosferike dhe oqeanike – janë përtej riparimit. Kush ka të drejtë të parashikojë këto dëme dhe pastaj të përmbushë profetësinë? Megjithëse planifikuesit e luftës dhe kompanitë e karburantit fosil kishin arrogancën të vendosin se çfarë niveli shkatërrimi është i përshtatshëm për njerëzimin, vetëm Nafta e Madhe pati trimërinë ta çonte më tej. Kjo, sigurisht është rutina e tyre./Project Syndicate

Loading...

Loading...
WhatsApp Denonco tek Pamfleti