Ekonomi13 Gusht 2018, 20:35

Dollari në nivelin më të lartë, BSH rrit euron në tendencë të kundërt me bursat

Shkruar nga Pamfleti

Dollari në nivelin më të lartë, BSH rrit euron në tendencë të kundërt me bursat

Valutat janë forcuar gjatë ditës së sotme në tregun vendas.

Ndërsa dollari ka kapur nivelin më të lartë që nga fillimi i janarit për shkak të euros së nënçmuar në tregjet ndërkombëtare, në vend ka fituar pikë përkundrejt lekut. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer gjatë ditës së sotme me 125.58 lekë, rreth 0.1 pikë më shumë se të premten.

Ekspertët argumentojnë se ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk po lejojnë që euro të nënçmohet më tej në tregun vendas. Euro nisi të nënçmohej me shpejtësi në tregun vendas gjatë 2018-s, ndërsa tendenca rënëse e saj kishte filluar në gjysmën e dytë të vitit 2016.

Sipas aktorëve kryesore të tregut, arsyet kryesore të zhvlerësimit të monedhës europiane ishte oferta e lartë në valutë. Euro tradicionalisht është e dobët në muajin gusht për shkak të prurjeve të larta nga turistët dhe emigrantët, por këtë vit Banka e Shqipërisë është vazhdimisht e pranishme në treg, duke mos lejuar një ulje të pakontrolluar të monedhës së përbashkët.

Ekspertët deklarojnë se BSH ka qenë vazhdimisht e pranishme me blerjen e tepricës së valutës për të ruajtur nivelin e këmbimit nga luhatjet drastike. Megjithatë ata shtojnë se nuk mund të bëjnë asnjë parashikim për ecurinë dhe tendencën e monedhës së përbashkët, duke qenë se viti i fundit tregoi se Shqipëria është vendi i çudirave.

Edhe dollari amerikan ka qenë i dobët në tregun vendas, duke reflektuar nivelin e tij në bursat ndërkombëtarë. Dollari Amerikan është këmbyer sot me 110.29 lekë, rreth 0.93 pikë më shumë se të premten.

Dollari ka reflektuar forcimin e tij në bursat ndërkombëtare ndërsa Euro ka qenë e dobët, duke reflektuar shqetësimin e investitorëve ndaj krizës së lirës turke. Një euro është këmbyer sot në tregjet ndërkombëtare në nivelin e 1.13 dollarëve, pranë nivelit më të ulët të një viti./ Monitor


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Ekonomi