Donald Lu: Jam i skandalizuar me atë që po ndodh, Arta Marku, Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu do gjykohen për këto emra

Në intervistën e fundit para largimit ambasadori Donald Lu është shprehur i zhgënjyer që nuk do të jetë këtu për të kapur “peshqit e mëdhenj” që i ka kërkuar vazhdimisht. Ai i ka bërë thirrje të fortë Arta Markut, Fatmir Xhafës dhe Ardi Veliut. E ardhmja e tyre varet nga këto emra.



“Unë, për vete, jam i skandalizuar që dy vjet e gjysmë pasi qeveria greke nxori urdhër-arrestin, ende nuk e kemi kapur Klement Balilin. Jam i skandalizuar që Lul Berisha lirohet herët nga burgu dhe që mund të ecë i lirë nëpër rrugët e Durrësit. Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq.  Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave”, tha Lu.

I pyetur se cili është dështimi më i madh ai shprehet: “Nuk do të thoja është një dështim, por është diçka ende e papërfunduar. Kam folur çdo javë mbi gjuetinë për peshqit e mëdhenj dhe dua ende të flas sepse është vërtet e rëndësishme për popullin shqiptar.”

Për të treguar se sa seriozisht e ka me ‘peshqit e mëdhenj’, ai kishte veshur edhe çorape me të njëjtin simbol.

“Vesha çorapet e mia të posaçme që t’i shihni. Është me rëndësi për popullin shqiptar që të dijë se qeveria e tyre, policia e tyre, prokuroria e tyre janë vërtet seriozë për luftën kundër krimit të organizuar. Pata një bisedë shumë të mirë me drejtorin e përgjithshëm të policisë Ardi Veliu javën e shkuar. Kanë punuar shumë fort së bashku me prokurorët për të ngritur task-forcën për forcën e ligjit. Po punojnë sot shumë ngushtë me ligjzbatues amerikanë, gjermanë, Italianë, francezë, gregë, spanjollë dhe kjo ka çuar në suksese reale. Kemi parë arrestimin e Arbër Çekaj, arrestimin e Met Kananit; janë dy trafikantë droge të arrestuar në Spanjë. Vetëm këtë javë pamë trafikantë të arrestuar në Itali dhe Gjermani. Kjo është e rëndësishme por duhet të jetë vetëm fillimi. Ka shumë më tepër punë për të bërë dhe më vjen pak keq së nuk do të kem mundësi të jem këtu për t’i parë gjithë rezultatet e asaj pune” , tha Lu.