Bota16 Tetor 2019, 21:01

Donald Trump: Kurdët nuk janë “engjëj”

Shkruar nga Pamfleti
Donald Trump: Kurdët nuk janë “engjëj”

Donald Trump: Kurdët nuk janë "engjëj"

Presidenti Donald Trump deklaroi të mërkurën se inkursioni turk në Sirinë verilindore nuk ka të bëjë me ne (SHBA-në).

Duke folur për gazetarët në Zyrën Ovale në krah të Presidentit italian Sergio Mattarella, zoti Trump shtoi se është gjë e mirë që Rusia po ndihmon lidhur me situatën ndërsa deklaroi se kurdët, të cilët mbrojnë territorin e tyre brenda Sirisë kundër ushtrisë turke, nuk janë “engjëj”.

Zoti Trump është përballur me kritika të ashpra nga të dyja palët për tërheqjen e forcave amerikane ndërsa ushtria turke u fut në Sirinë verilindore javën e kaluar për të sulmuar kurdët, aleatët e Shteteve të Bashkuara në fushatën kundër Shtetit Islamik.

Vendosja e sanksioneve ndaj Turqisë është më e preferueshme sesa përfshirja e personelit ushtarak amerikan në luftime në këtë rajon, u tha gazetarëve zoti Trump, ndërsa një delegacion i nivelit të lartë amerikan është nisur drejt Turqisë në një përpjekje për të ndaluar inkursionin e Ankarasë në verilindje të Sirisë.

Senatori republikan Lindsey Graham i kritikoi komentet e fundit të presidentit lidhur me ofensivën e Turqisë në një seri postimesh në twiiter:

“Shqetësohem se nuk do të kemi aleatë në të ardhmen kundër Islamit radikal, ISIS-i do të ringjallet dhe ngritja e Iranit në Siri do të kthehet në një makth për Izraelin. Kam frikë se kjo është një katastrofë mbi sigurisë kombëtare e shpresoj që Presidenti Trump të ndryshojë mënyrën se si mendon”, shkruante ai. Zoti Graham shkruante gjithashtu se deklaratat e fundit të zotit Trump “i zhvleftësojnë plotësisht” përpjekjet e nënpresidentit amerikan Mike Pence dhe sekretarit të Shtetit Mike Pompeo për t’i dhënë fund konfliktit.

Sipas njoftimeve zyrtare Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka në plan të takohet me zotin Pence dhe zotin Pompeo të enjten në Ankara.

Fillimisht zoti Erdogan i pati thënë televizionit Sky News se dy zyrtarët e lartë amerikanë do takoheshin vetëm me homologët e tyre turq këtë javë. Udhëheqësi turk shtoi se kur zoti Trump të vizitojë Turqinë ai do të takohej me të. Komentet e zoti Erdogan duket sikur tregojnë se ai nuk kishte në plan të takohej me zotin Pence dhe zotin Pompeo, por drejtori i Komunikimit i Turqisë tha se zoti Erdogan në fakt do të takohej me të dy zyrtarët.

Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë gjatë vizitës së tij në Turqi zoti Pence pritet të theksojë angazhimin e SHBA-së “për të arritur një armëpushim të menjëhershëm si dhe të përcaktohen kushtet për një zgjidhje të negociuar”. Krahas thirrjes për të ndalur operacionin ushtarak, Shtetet e Bashkuara morrën vendim të rrisin tarifat e çelikut që vjen nga turqia dhe të ndalin negociatat për një marrëveshje tregtare me Turqinë në vlerën e 100 miliardë dollarëve./VOA

Bota Donald Trump kurdët presidenti amerikan