Aktualitet14 Gusht 2019, 09:37

Donatori më i madh ushtarak i Serbisë është SHBA-ja…hmmm Rusia

Shkruar nga Pamfleti
Donatori më i madh ushtarak i Serbisë është

Donatori më i madh ushtarak i Serbisë është SHBA-ja…hmmm Rusia

Shkruan Maja Zivanovic

Kur një donacion nuk është i tillë?

Kjo është pyetja që shqetëson disa serbë pasi ministria e mbrojtjes publikoi javën e kaluar të dhëna që vinin Shtetet e Bashkuara në krye të listës së donatorëve ushtarakë të Serbisë në 2018.

Ndoshta të gjendur në mes të interesit të papritur të mediave, ministria publikoi një sqarim të shpejtë: ajo tha se, në fakt, Rusia, aleati ortodoks, ishte më bujarja.

Kjo ngjarje tregon shumë për aktin e ekuilibrimit që qeveria e Serbisë vazhdon të ndjekë midis Perëndimit dhe Rusisë, midis ambicies së saj strategjike të integrimit europian, bashkëpunimit të saj të nivelit të lartë me NATO-n dhe nevojës për ta mbajtur Moskën afër për qëllime politike dhe diplomatike.

Megjithatë, ajo gjithashtu thekson pyetjen se çfarë përbën një “donacion”, veçanërisht në rastin e avionëve, helikopterëve dhe tankeve të përdorur që Rusia po “i dhuron” Serbisë shpesh me kushtin që Beogradi të paguajë mekanikë rusë për riparimin e tyre.

Ekspertët ushtarakë serb bien dakord për një gjë – që Serbia po përpiqet t’i mbajë të hapura opsionet e saj.

Marrëveshjet, tha Petar Vojinoviç, kryeredaktori i portalit të specializuar mbi aviacionin Tango Six, “po bëhen nga të dy palët”.

Në tranzit

 

Kjo çështje doli përsëri në dritë në korrik kur ambasadori i sapoemëruar i Serbisë në Rusi, gazetari Miroslav Lazanski, tha se Rumania kishte bllokuar dërgesën në Serbi, nëpërmjet lumit Danub, të një donacioni rus të 30 tankeve të përdorur T-72 dhe 30 mjete luftarake të blinduara BRDM-2, gjithashtu të përdorura.

Rumania nxori një deklaratë më 26 korrik duke thënë se ajo vërtet e kishte bllokuar dërgesën dhe përmendi një embargo të Bashkimit Europian të vendosur në vitin 2014, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.

Tre ditë më vonë, ministria e mbrojtjes e Serbisë zbuloi 10 nga automjetet e blinduara luftarake në qytetin jugor të Nisit. “Ranë nga qielli,” u tha presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç gazetarëve kur u pyetën se si mbërritën automjetet.

Qeveria hungareze atëherë njoftoi se kishte lejuar që dërgesa të kalonte nëpërmjet hapësirës ajrore hungareze, duke thënë se ngarkesa u transportua në një avion civil dhe jo në një avion ushtarak dhe si i tillë nuk kërkonte ndonjë leje të veçantë.

Detajet e “donacionit” nuk dihen ende, sidomos nëse Serbia duhet të paguante ndonjë gjë për pajisjen.

As Lazanski dhe as ministria e mbrojtjes nuk u përgjigjën pyetjeve të BIRN.

“Nëse diçka quhet donacion dhe paguhet me çmim tregu, kjo shërben vetëm për të manipuluar mediat,” tha eksperti ushtarak serb Nikola Luniç, drejtor i OJQ-së Këshilli për Politikë Strategjike.

Donacione të kushtueshme

 

Sipas shifrave të vetë ministrisë së mbrojtjes, vitin e kaluar SHBA-ja ishte donatori më i madh i huaj për ushtrinë serbe.

Atë vit, SHBA-ja i dha Serbisë afërsisht 77,000 euro në pajisje informatike dhe trajnime mbi mënyrën se si shkatërrohen pajisjet eksplozive të improvizuara.

Donacionet pasuan atë të 19 Humvees të rinj ushtarakë në vitin 2017.

Por pasi mediat serbe nxorën shifrat, ministria publikoi ​​një sqarim më 31 korrik, duke deklaruar pa mëdyshje se “Federata Ruse është dhuruesja më e madhe e Ushtrisë Serbe”.

Ajo përmendi dërgimin e gjashtë avionëve luftarakë MiG-29, 30 tankeve dhe 30 automjeteve luftarake dhe faktin që Serbia merr “zbritje të konsiderueshme dhe përfitime të tjera” kur blen armë dhe pajisje nga Rusia.

Mospërputhja, tha ajo, ishte për shkak të faktit që informacionet e publikuara “nuk tregojnë donacionet që janë në progres e sipër ose për të cilat nuk ka ende një marrëveshje nga të dyja palët për publikimin e blerës së donacioneve”.

Megjithatëm “donacionet” ruse nuk janë të shënuara në ndonjë nga raportet e vetë ministrisë.

Sipas raporteve të ministrisë, i vetmi donacion rus në pesë vitet e fundit ishte 23,000 euro në ndihmë për rimëkëmbje nga fatkeqësitë natyrore dhe 10 grupe parashutash me vlerë 20,000 euro. Të dyja këto janë bërë në vitin 2014.

Një shpjegim mund të jetë kostoja për Serbinë për riparimin e pajisjeve ruse të dorës së dytë dhe fakti që shumica e pajisjeve është pranë jetëgjatësisë përsa i takon përdorimit të tyre.

Serbia, për shembull, pagoi 185 milionë euro për të riparuar gjashtë MiG-29 që arritën në vitin 2017 dhe Rusia dërgoi ekspertët e saj për ta bërë këtë punë.

Luniç tha se jo çdo “donacion” domosdoshmërish “rrit aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura Serbe” dhe pyeti se përsër disa media serbe vazhduan t’i klasifikojnë MiG si një “donacion”.

Megjithatë, Vojinoviç tha që pajisjet ushtarake ruse që po merrte Serbia ishin me “rëndësi të madhe”. Kjo tregon se Serbia po shpenzon para si në Perëndim ashtu edhe në Lindje dhe nuk ka frikë të negociojë, tha ai.

Vuçiç u stresua po aq shumë gjatë zbulimit të 10 automjeteve luftarake në Nis, saqë u tha gazetarëve se ato ishin ripërshtatur në Rusi.

“Kështu që nuk paguam për modernizimin,” tha ai. “Për çdo gjë paguan rusët.”

Vuçiç tha se Serbia kishte paguar gjithashtu për katër helikopterë sulmues rus Mi-35 dhe tre helikopterë transporti ushtarak Mi-17. “Presim të na mbërrijnë akoma më shumë donacione nga Rusia,” tha ai.

Politizimi

 

Si Luniç ashtu edhe Vojinoviç thanë se çështja e “donacioneve” ushtarake kishte një tendencë për t’u politizuar.

Luniç tha se publiku serb kishte përshtypjen se dhuratat e marra dhe blerjet e bëra nga ushtria serbe u diktuan nga politikanët sipas interesave të partisë së tyre dhe popullaritetit.

“Pasoja është një mungesë transparence, e cila ndikon në rritjen e kostove financiare, rritjen e niveleve të korrupsionit, mungesën e ndërgjegjësimit demokratike,” tha ai. “Por më tragjike është largimi i burimit më të sofistikuar të sistemit të mbrojtjes – personelit të ri.”

Vojinoviç tha se donacionet dhe blerjet ishin gjithashtu të politizuara në varësi të faktit nëse ato ishin nga Perëndimi apo Rusia.

“Një shembull i shkëlqyeshëm është interpretimi i padurueshëm i të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes nga disa media, në të cilat disa gjëra nuk vënë në kontekst dhe disa donacione nuk u përmendën,” tha ai për BIRN.

I pyetur për transparencën e ministrisë, Vojinoviç tha: “Ministria e Mbrojtjes është ndër më transparentet kur bëhet fjalë për prokurimet.”

“Kjo së fundmi është reflektuar në daljet e shumta në media, kështu që është e pamundur që shteti ose ministria të mos mburren edhe për donacionet apo blerjet më të vogla.”/BIRN

Maja Zivanovic është gazetare e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Serbi.

Forum avionët luftarakë rusë donacionet ushtarake Maja Zivanovic