Kosova21 Dhjetor 2022, 10:44

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme, ka hapur konkurs publik për Zyrtar Administrativ në komunat veriore.

Siç është bërë e ditur nga ky dikaster, konkursi ka ofruar për punësim, 200 pozita të lira.

Këto pozita të punës do të ushtrohen në Qendrat për Pajisje me Dokumente dhe Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Konkursi i 21 dhjetorit është hapur pasi serbët lokalë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucionet e Kosovës.

Që nga fillimi i nëntorit, qytetarët serbë kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në institucione të ndryshme në Kosovë, në kundërshtim të vendimit për riregjistrimin e targave të veturave.

Dorëheqjet u dorëzuan në institucione si Policia, Gjykata e Prokuroria, Dogana e të tjera.

Edhe përfaqësuesit politikë në nivel lokal u dorëhoqën duke çuar në nevojën për zgjedhje të parakohshme në katër komuna të banuara me shumicë serbe, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Po ashtu, edhe 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës u dorëhoqën. Zëvendësimi i tyre u bë më 17 nëntor.

Prishtine Dorëheqjet e serbëve të veriut Konkurs për punë qeveria e Kosovës Serbët e veriut