Editorial22 Maj 2019, 16:33

“Dosja 978″/ Pse i dhëmb koka Presidentit

Shkruar nga Pamfleti
“Dosja 978″/ Pse i dhëmb koka Presidentit

"Dosja 978"/ Pse i dhëmb koka Presidentit

Kastriot Ismailaj mori 7 milionë euro nga Meta për t’i pastruar duke blerë minierën në Kongo, s’ia ktheu kurrë

Ish administratori i DIA me paratë e Metës hyri në tregun e industrisë minerare në Kongo, një vend i varfër e pa fuqi investuese. Kompanitë fantazmë, mes të cilave dhe ajo e Kastriot Ismailajt, shfrytëzojnë këtë mundësi për të blerë lirë minierën e zinkut në Kongo, duke e shitur më pas shtrenjtë tek një kompani e fuqishme që merrej me industrinë nxjerrëse të minerareve. Ismailaj nuk ia ktheu kurrë paratë Metës, duke u justifikuar se miniera e zinkut në Kongo kishte falimentuar. Ish kreu i LSI, pasi u njoh me tërë makinacionin financiar të ish mikut të tij, kërkoi kthimin e 7 milionë euro, duke kërcënuar dhe ushtruar presion mbi Ismailajn që tashmë është në burg. Ndaj është i acaruar Meta, i cili jo vetëm që ka humbur 7 milionë eurot e tij, por tashmë janë zbardhur dhe përgjimet e bisedave me Ismailajn, të cilit i kërkon 200 mijë euro për fushatën e 2009. Një kosto shumë e madhe politike për të në këtë situatë

Ka një vëmendje të shtuar për humbjen e qetësisë nga ana e Presidentit Ilir Meta, tashmë që është bërë publike dosja “978”, e cila ishte mbyllur vite më parë nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla.

Kjo dosje u bë publike dy ditë më parë dhe brenda saj, vendin kryesor e zinin përgjimet mes Metës dhe biznesmenit Kastriot Ismailaj, pronar me letra i DIA.

I vënë nën përgjim që më 2008, Ismailaj kapet në një bisedë me Metën, në të cilën ky i fundit dy ditë para zgjedhjeve të qershorit 2009, i kërkon me patjetër 200 mijë euro.

Por Kastriot Ismailaj akuzohet se ka pastruar 7 milionë euro, duke blerë një minierë zinku në Kongo, një makinacion financiar mirëfilli sipas skemës së pastrimit të parave.

Këto para kanë qënë të Ilir Metës dhe ishin marrë nga ana e Ismailajt me garancinë e fortë për t’i pastruar, përmes blerjes fiktive dhe shitjes së minierës së zingut, për t’i kthyer të pastruara në Shqipëri.

Ismailaj, përmes disa makinacioneve financiare, deklaroi se miniera e blerë kishte falimentuar, por e vërteta është se blerja është bërë, pavarësisht se ajo s’ishte në kushte të mira dhe kërkonte investime.

Ekziston një praktikë e pashkruar në Kongo, që është një vend pa fuqi investuese për pasuritë e veta, ku minierat blihen nga firma fantazëm, që më pas ua shesin firmave gjigante, gjë të cilën e ka bërë dhe Kastriot Ismailaj. Bëhej fjalë për një minierë zinku në Kipushi të Kongos.

Në mesin e ofertuesve ishte edhe një firmë fantazmë zvicerane, që e paraqiste veten si një firmë të fuqishme por që kishte thjesht një zyrë në Zvicër, në shtëpinë e Edwin Rüegg, konsull nderi i Shqipërisë në Zvicër.

Firma që do merrte minierën ka pasur një kapital themeltar prej 100 mijë frangash zvicerane dhe 98% ishte në pronësi të Kastriot Ismailajt. Në dokumentin e përgatitur për të blerë minierën, thuhej se firma e Ismailajt ka në punë 6 mijë persona.

Por Kastriot Ismailaj thjesht ka regjistruar një firmë në Tiranë në vitin 2005 me adresë shtëpinë e tij. Dokumenti është përgatitur nga një avokate amerikane me emrin Rebecca Gaskin-Gain.

Kastriot Ismailaj u përfshi në përbërje të një konsorciumi në të cilin kishte dhe firma të tjera ballkanike, mes të cilave një firmë serbe, “East-Point-Group”.

Gjithe makinacioni konsistonte në blerjen lirë të minierës së zinkut në Kongo, për ta shitur më pas te ndonjë firmë e fuqishme, që merrej seriozisht me industrinë minerare.

Dhe kështu ndodhi, pasi miniera e blerë nga këto kompani fantazmë, mes të cilave dhe Kastriot Ismailaj, i shitet “Xstrata”, një kompani e madhe në fushën e mineraleve.

Ish administratori i DIA-s merr pjesën e vet nga shitja, duke pastruar në këtë mënyrë dhe 7 milionë eurot e dhëna nga ana e Ilir Metës, por që ish kreut të LSI ai i raporton se miniera kishte falimentuar, duke deklaruar dhe humbjen e parave.

Pikërisht këtu zë fill dhe zemërimi i Metës i cili pasi është njohur me tërë makinacionin e Kastriot Ismailajt, ka kërkuar me insistim rikthimin e 7 milionë eurove.

Në kushtet kur nuk mund ta kërkojë publikisht apo ligjërisht një gjë të tillë, Meta nuk rresht së kërcënuari Kastriot Ismailajn, i cili ndonëse është në burg për mashtrim, përballet me presionin e familjes presidencialo-opozitare.

Ndaj është i acaruar Ilir Meta, i cili jo vetëm që ka humbur 7 milionë eurot e tij, por tashmë janë zbardhur dhe përgjimet e bisedave me Ismailajn, të cilit i kërkon 200 mijë euro për fushatën elektorale të vitit 2009. Dhe kjo është një kosto shumë e madhe politike për të në këtë situatë./Pamfleti

Editorial dosja 978 Pse i dhëmb koka Presidentit

Editorial