Dosja “Shullazi”,  “paçe koke” për prokurorinë

Dosja “Shullazi”,  “paçe koke” për prokurorinë

Prokuroria e Krimeve të Rënda që me shumë mund gjatë këtyre viteve ndërtoi deri diku “lavdinë” e Prokurorisë Shqiptare, sot është kthyer një çerdhe thashethemesh, pazaresh dhe burracakësh.



Mesditën e djeshmë është zhvilluar një takim mes drejtuesve të kësaj prokurorie dhe trupës së prokurorëve që janë në organikën e këtij institucioni, ku drejtuesja Donika Prela, ka kërkuar të hedhë shortin elektronik, lidhur me faktin se kush nga prokurorët duhet të përfaqësojë institucionin në gjyqin kundër Shullazit dhe anëtarëve të grupit të tij.

Por prokurorët janë rebeluar duke kundërshtuar që të jenë pjesë e kësaj dosje, shumë të komentuar dhe të politizuar.

E ndodhur përballë refuzimit të prokurorëve të Krimeve të Rënda, nga ana tjetër Donika Prela ka kërkuar të fusë një procedurë ekstra ligjore me qëllimin e vetëm për të zgjidhur çështjen, që prej qershorit 2018 vijon të mos lexohet pretenca e prokurorisë.

Sipas propozimit të Prelës, kjo e fundit ka shtuar se për zëvendësimin e prokurorit Ened Nakuçi, (i cili ka braktisur çështjen e nisur prej tij dy vite më parë, me argumentin se është i sëmurë dhe është larguar në drejtim të Italisë së bashku me familjen), do futej vetë në proces së bashku me zv/drejtuesin Genti Osmani, dhe prokurorin tjetër Besim Hajdarmataj, duke kërkuar dhënien e pretencës kundër Emiljano Shullazit dhe anëtarëve të bandës së tij.

Madje Prela ka kërkuar që dhe një prokuror tjetër do i shtohet kësaj dosje, duke bërë me dije se do jenë katër prokurorë kundër pesë të pandehurve të dosjes Shullazi.

Por edhe nëse ndodh kështu, kujtojmë që këta katër prokurorë nuk kanë hetuar asnjë ditë dosjen Shullazi, dhe nuk dinë se çfarë provash ka në këtë dosje, pasi të vetmit që e kanë hetuar janë dy prokurorët Elisabeta Imeraj, e cila u largua nga kjo dosje nga Arta Marku, duke u emëruar shefe e prokurorisë së Tiranës dhe Ened Nakuçi, i cili është larguar në mënyrë të mistershme, duke braktisur dosjen penale.

Trupa e prokurorëve, e ka refuzuar këtë propozim të Prelës, për hedhjen e shortit, duke argumentuar në mungesë të bazës ligjore, çka e kanë braktisur mbledhjen me pretendimin se Prela po sajon procedura extra ligjore për ti dhënë shkak Shullazit që të prish dosjen (vendimin) në gjykatat më të larta.

Por edhe ky variant nuk ka qënë bindës, pasi prokurorët e Krimeve të Rënda kanë refuzuar në mënyrë kategorike që të marin pjesë në këtë çështje, duke kërkuar urgjentisht ndërhyrjen e kryeprokurores Arta Marku.

Kjo e fundit ndaj këtyre çështjeve ka qënë në gjumë letargjik, pasi mekanizmat e saj janë ndryshkur, edhe pse ka pasur mbështetjen absolute të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Sot për sot, dosja “Shullazi” është në mes të një udhëkryqi që duket se rezultati po duket në fund.

Prokuroria ndodhet në “qorr sokak”, pasi për tre muaj ende nuk ka përgatitur pretencën e saj për këtë çështje.

Dosja “Shullazi” qëndron si një “patate e nxehtë” në dorën e prokurorisë, e cila tashmë nuk është në gjëndje që të gjejë as prokurorin që do e përfaqësojë.

Ka shumë gjasa që Shullazi, Gilmando Dani dhe tre të pandehurit e tjerë, të dalin nga qelia dhe të kërkojnë nga buxheti i shtetit një dëm financiar për 2 vite e gjysëm burgim që po kryejnë.

Çorba që është gatuar për gjatë këtyre dy viteve, refuzohet të konsumohet nga prokurorët e tjerë, të cilët kanë ngritur disa pikëpyetje  të dyshimta mbi punën e kolegëve të tyre Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, duke pretenduar se nuk kanë qënë në lartësinë e duhur për të vlerësuar provat dhe dëshmitarët në sallën e gjyqit.

Kujtojnë që disa vite më parë e njëjta prokurori që përfaqësohej nga një vajzë prokurore me emrin Doloreza Musabelliu, ka dhënë një pretencë kundër Emiljano Shullazit duke kërkuar dënimin e këtij të fundit me 18 vite burg për trafikim të heroinës dhe krijimit të grupit strukturuar kriminal.

Por sot pas disa vitesh nga kjo pretencë e Doloreza Musabelliut, asnjë nga prokurorët e Krimeve të Rënda nuk pranon të japë pretencën ndaj Shullazit, të akuzuar për gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja, tjetërsim të hotel Vollga në Durrës, shkatërrim prone me eksploziv dhe kanosje, e grup të strukturuar kriminal.

Edhe pse apeli ambasadorit Donald Lu ishte mjaft i qartë, situata mbi këtë dosje vijon të jetë e koklavitur.

“Jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq.  Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra?”, u shpreh diplomati Donald Lu.

Pse dhe si po ua lidh duart Emiljano Shullazi drejtësisë është e paqartë.

Emra të njohur të botës së krimit, të dënuar për tentative vrasje ndaj policëve dhe liruar me kusht nga gjykatat shqiptare, janë shfaqur së fundmi, duke kërcënuar prokurorë e gjyqtarë të kësaj çështje./Pamfleti

error: Ndalohet ribotimi i artikullit! E drejta e autorit pamfleti.net.