Dosja e zezë26 Prill 2024, 08:30

Ambasadat e perëndimit si ambalazhe pastrimi për Mafien!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

Ambasadat e perëndimit si ambalazhe pastrimi për Mafien!

Diplomatët perëndimorë, me heshtjen e tyre prej varri, kanë dalë hapur në mbrojtje të krimeve qeveritare.

Kush do na i “pastronte” hajdutët si Edi Rama, Sali Berisha, Ilir Meta e kompani, përveçse diplomatët perëndimorë që na e duan të mirën, qetësinë dhe durimin, kurse për vete, vetëm dollarin?

Paratë deri tani, nuk i ha as derri, prandaj mafia i bën rrush e kumbulla, resorte e prona, propagandë e pornografi në pazarin e influencave indigjene.

Andej ku i kanë rrënjët baronët, jetojnë banorët vendas, që këtej vijnë vetëm për ca vite orgji olimpike e largohen me pasuri astronomike.

Sentenca e astronomisë rreth sferave qiellore, nuk mund të krijojë keqkuptime besoj, sikundër astrologjia ende nuk është dukuri e vërtetë, përveçse parashikim fati.

Fatmirësish, një herë në tre vjet, shuhet një flakadan e ndizet një tjetër, për të na mbajtur në dritë e pastërti Olimpin ku rrinë Perënditë.

Besimi dhe besa, i kanë mbajtur fshatarët tanë në festa, edhe kur i gjuajnë me gurë Zotat e hajdutërisë.

Aq shumë i kemi bërë pis me plisa piratësh këta, sa kanë qelbur dynjanë e kemi kërkuar ndihmë nga mediat e perëndimit.

Pas RAI 3 që erdhi me mjete mbrojtëse, do vijnë të tjerë gjigandë të fjalës së lirë, për të liruar zinxhirët e mbrojtur viktimat që vikasin: i kemi zënë në “kurthe” hajdutët me gjithë ambalazhet e pastrimit.

Po, diplomatët perëndimorë, me heshtjen e tyre prej varri, kanë dalë hapur në mbrojtje të krimeve qeveritare.

U pastrojnë surratin, u shkundin baltën nga trupi, u lajnë këmbët dhe i  gicilojnë.

Pataj i lajkatojnë, u krehin leshrat e vrasin me kujdes “morrat” që u janë ngulur në mishin e qelbur e kanë thirur gjak më shumë se duhet.

McGonigal dhe ca ministra, u “vranë” thjeshtë si parazit në trup të mafies që diplomatët po e pastrojnë me kujdes. 

Por mirë që i kemi këtu, pasi qelbësia do ta bënte të padurueshëm edhe ajrin dhe do rrezikonim që edhe dardhët e mollët të mbanin aromën e Olta Xhaçkës, Fatmir Mediut, Frida Krifcës, Olsi Ramës, Engjëll Agaçit, Ilir Beqjas, investitorëve strategjikë dhe gomerëve që Babloku i ka akomoduar në çdo zyrë shteti.

Për fshatarët tanë, jeni brenda kornizave zakonore.

Fshati ynë, të vdekurit i përcjell pastër e mirë. Ambasadat e perëndimit i kemi si ambalazhe pastrimi! /Pamfleti

edi rama ilir meta sali berisha