Shkelet urdhri për pezullimin e tenderave, drejtorët vijojnë si më parë t’i bëjën paratë rrush e kumbulla ndërsa vendi po kalon krizën më të rëndë shëndetësore në 100 vitet e fundit
Bashkitë, drejtorët dhe ministrat nuk u ndahen tenderave edhe në gjendje shtetrrethimi. Përballë ndarjes së parave publike, ata nuk njohin as urdhra ndalimi, as pandemi, as emergjenca dhe as frikën e ndëshkimit. Disa ditë më parë, Agjencia e Prokurimit Publik njoftoi pezullimin e të gjitha procedurave tenderuese, përfshirë edhe ato me vlerë të vogël, për shkak të situatës së shkarkuar nga covid-19.
Në urdhër lejoheshin vetëm procedurat që lidhen me masat kundër koronavirusit. Në urdhër thuhej se “autoritetet kontraktore duhet të vijojnë procesin e prokurimit vetëm për ato procedura prokurimi që lidhen ngushtësisht me mbulimin e nevojave te dala në kuadër të situatës së shkaktuar nga pandemia Covid 19 dhe që konsiderohen të domosdoshme. Në kuptim të sa më sipër, autoritetet kontraktore të pezullojnë gjitha procedurat e prokurimit, përfshirë këtu edhe procedurat e prokurimit me vlerë të vogël, për objekte prokurimi të cilat nuk lidhen ngushtësisht me këtë situatë, deri në një njoftim të dytë”.
Por çfarë po ndodh? Kryebashkiakët, ministrat dhe drejtorët vijon t’u turren tenderave si më parë, duke mos njohur as urdhrin e Agjencisë së Prokurimit Publik, e cila sigurisht që ka marrë urdhër nga Edi Rama. Vetë Agjencia e Prokurimit Publik shpall procedurat tenderuese që nuk lidhen me covid-19. Për shembull, Ndërmarrja Rruga pranë Bashkisë së Durrësit ka kërkuar sot që të blejë një flamur të madh dekorativ. Se çfarë lidhje ka ky flamur dekorativ me situatën e shkarkuar nga koronavirusi, këtë vetëm drejtuesit e bashkisë mund ta dinë. Po kjo drejtori ka shpallur procedurën për të blerë llamarina, graso, vaji, aksesorë etj., që nuk kanë asnjë lidhje me situatën aktuale, duke sfiduar urdhrin e Agjencisë së Prokurorit Publik.
Bashkia e Tropojës që drejtohet nga një përfaqësues i PS ka kërkuar të blejë bojë, ndërsa Ujësjellësi e Vlorës është kujtuar sot për të riparuar zyrat. Në një kohë kur vendi po kalon krizën më të rëndë shëndetësore në 100 vitet e fundit, organet e tjera të pushtetit vendor dhe qendror kanë vijuar procedurat për shërbime internete dhe telefonie, për larjen e makinave, riparimin e makinave, siguracion të mjeteve të transportit, tendera për kolaudimin e punimeve të ndryshme në rrugë. Institucionet kanë vijuar si më parë të lidhin kontrata si dhe të njoftojnë për kompanitë që kanë fituar tenderat./Pamfleti