Kosova 2 Nëntor 2022, 13:08

· Prishtine

Shkruar nga Pamfleti
· Prishtine

Duke dënuar djegien e veturave të cilat i kanë konvertuar targat nga ato ilegale serbe në ato legjitime RKS, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka kërkuar sërisht shtyrjen e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.

Hovenier e ka quajtur akt kriminal dhe frikacak djegien e veturave me targa RKS në veri, që të mërkurën u regjistrua edhe vetura e tretë e djegur brenda dy muajsh.

Përmes një shkrimi në Twitter, Hovenier ka bërë thirrje edhe një herë që zbatimi i vendimit për konvertimin e targave të shtyhet.

“SHBA-ja dënon djegien ose shkatërrimin e pronës dhe çdo përpjekje për të frikësuar ata që kanë ose synojnë të marrin targa të veturës RKS sipas ligjit të Kosovës. Këto janë vepra frikacake dhe kriminale”, ka shkruar ai.

Ambasadori amerikan ritheksoi se kërkesa e SHBA-së është që zbatimi i vendimit për të konvertuar targat ilegale në RKS të shtyhet për 12 muaj. Ai shtoi se Kosova ka të drejtë ta zbatojë ndryshimin e targave.

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, një personi të komunitetit serb në Zubin Potok i është djegur vetura pasi vendosi të konvertonte targat ilegale në RKS.

Edhe dy vetura të tjera në Leposaviq u dogjën gjatë muajit tetor, pasi kishin vendosur t’i konvertonin targat.

Sipas Ministrisë së Brendshme, deri më 31 tetor – 20 vetura kanë shfrytëzuar afatin për t’i kthyer targat nga ilegale në RKS.

Prishtine Albin Kurti SHBA Targat ilegale

Kosova