Sport 5 Tetor 2019, 21:07

E bujshme: Tirana pretendon 3 pikët, Flamurtari bëri gafë!

Shkruar nga Pamfleti

Vetëm një pikë për Tiranën në Vlorë, pasi Flamurtari në shtesë shënoi dhe i baraspeshoi shifrat me sulmuesin Ardit Hoxhaj. Takimi përfundoi 2-2, ndërkohë që për t’u veçuar është konfuzioni i krijuar për shkak të një gabimi në protokollin e ndeshjes.

Ariel Muçollari u hodh në fushë pak minuta pasi kishte nisur pjesa e dytë. Emri i të riut vlonjat nuk figuronte në protokollin e ndeshjes, që i ishte shpërndarë mediave. Në fakt as në protokollin zyrtar nuk ka qenë, sikurse shihet në foton e mëposhtme.

Tirana e ka vënë re atë që ka ndodhur dhe është interesuar për të marrë informacione. Delegati i ndeshjes, Besnik Çela, është shprehur se ai është  njoftuar nga Flamurtari për ndryshimin në protokoll. Nga ana tjetër Tirana pretendon se nuk është bërë procedura, riprodhimi i protokollit për median dhe njoftimi i klubit mik. Pikërisht këtu pretendon të përfitojë klubi bardheblu.

Tirana ka reklamuar dhe synon të marrë fitoren në tavolinë, referuar nenit 30, pika 3. Tanimë mbetet të sqarohet gjithçka në Komisionin e Disiplinës. Deklaratat e zyrtarëve të ndeshjes do të jenë vendimtare, por sigurisht edhe interpretimi i rregullores. Tani ka një ndeshje të dytë mes Flamurtarit dhe Tiranës në Disiplinë.

Sport Flamurtari Tirana