Aktualitet25 Qershor 2019, 13:26

E kishit mundur Ramën, po të ishit në parlament!

Shkruar nga Pamfleti
E kishit mundur Ramën, po të ishit në parlament!

Opozita e shtyu aksionin e saj në ekstrem pa lënë asnjë dalje, kurse Partia Socialiste me cinizëm nuk ka bërë dhe një Mea Culpa të thjeshtë, duke mbrojtur aksione që mbajnë erë. Lista tashmë s’është e vogël. Dhe, më e neveritshme përpjekja e PD dhe LSI që nga kampione të manipulimeve tashmë bëjnë figurën e njësive politike që kërkojnë drejtësi.

Shkruan Ben Andoni

Ngërçi kushtetues dhe patetizmi skajor politik ka treguar se Shqipëria e ka ende të vështirë të bëjë rrugën e vet në demokraci. Vetëm se kjo përvojë do t’i shërbejë vendit jashtëzakonisht për të ardhmen, kurse mënyra e zgjidhjes së saj do t’i shtojë pjekurinë.

Nguti i shumë personazheve të opozitës për të shfaqur preferencën e tyre për 30 Qershorin po tregon hapur prirjet politike, ashtu si cinizmi i mbështetësve të PS-së, që mbulohet pas kanoneve, është po kaq shqetësues. Shqipëria po mbetet në vjeshtë sa i përket parimeve të zgjedhjeve dhe kjo na çon pas, ky është shqetësimi. Kurse retorika e dy anshme është thjesht garnitura e interesave.

Kreu i Shtetit anuloi me dekret zgjedhjet e 30 qershorit, ndërkohë që kishte të gjitha mundësitë duke ditur situatën politike në vend dhe trendin e PD-së, në prag të zgjedhjeve, të vendoste një datë e cila mund të negociohej.

Opozita e shtyu aksionin e saj në ekstrem pa lënë asnjë dalje, kurse Partia Socialiste me cinizëm nuk ka bërë dhe një Mea Culpa të thjeshtë, duke mbrojtur aksione që mbajnë erë. Lista tashmë s’është e vogël. Dhe, më e neveritshme përpjekja e PD dhe LSI që nga kampione të manipulimeve tashmë bëjnë figurën e njësive politike që kërkojnë drejtësi.

E sikletshme është sesi zërat e pavarur janë kaq të pakët në vend, teksa shumica e juristëve të bind me lloj-lloj argumentesh që vendimi i Metës është antiligjor (!!), kurse Presidenti dhe njerëzit e tij, bashkë me Opozitën i quajnë zgjedhjet e 30 qershorit si imagjinare dhe anti-ligjore(!!).

Në fakt, opozita ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe prej saj kemi që Ligji i Dekriminalizmit hoqi nga politika shumë njerëz që kishte sjellë PS-ja në parlament. Shfajësimi i PS-së dhe i njerëzve të saj thjesht i fajësoi më shumë. Skandali i rrugës që përfshiu “D.H. Albania” që fitoi dy tendera me dokumente të falsifikuara hedh shumë dyshime për funksionimin e strukturave të qeverisë, porse nëse PD-ja do të ishte në parlament, gjërat do të ishin shumë më ndryshe.

Ashtu si në rastin e përgjegjësive , që gjithsesi pas dy viteve e zvogëlojnë disi peshën e vërtetë, që mbetet pa asnjë mëdyshje të PS-ja. Është e drejtë kauza që ka ngritur PD-ja për dënimin e njerëzve të thjeshtë dhe ndërkohë faljen e shumë njerëzve të krimit, por edhe kjo do të kishte peshë tjetër nëse PD-ja do të ishte në parlament dhe do të dinte të drejtonte këtë energji, që tashmë po çon në ndryshimin e imazhit të kryeministrit të vendit. Megjithë krizën e madhe, në Shqipëri historia ka treguar se nuk rrëzohesh prej politikës, po prej ekonomisë dhe rastet e deritanishme e tregojnë se mandati i dytë mbetet vrasës.

Për PS-në ky rregull tregoi se mandati i dytë kishte mbaruar që kur nisi, ndaj PD-ja duhej të ishte në parlament të drejtonte si duhet këtë energji dhe t’i ruhesh cinizmit të Ramës dhe yes-men të tij. Zgjodhi të sfidonte Ramën te arma më e fortë cinizmi dhe retorika bombastike në vend ta sfidonte realisht në parlament dhe të niste çmontimin që me zgjedhjet lokale, që janë testi më i mirë për zgjedhjet e ardhshme dhe që kjo situatë do t’i jepte goditje të madhe.

Për fat të keq, PD dhe LSI-ja ja zgjati vetë mandatin z.Rama dhe shumë njerëzve të tij, që tashmë fshihen turpshëm duke mos marrë përsipër asnjë përgjegjësi. Për interesa meskine bëtë një pakt, duke shfrytëzuar parimet, që për politika si ato të Shqipërisë nuk kanë asnjë vlerë dhe Ramën i dhatë kohë dhe frymëmarrje.

Forum Ben Andoni Edi Rama opozita