Qeveria ka rihapur këtë të hënë garën ndërkombëtare për ndërtimin e aeroportin e Vlorës. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku njoftoi hapjen e garës përmes një videoje në ‘FaceBook’.
Gara do të jetë e hapur nga 23 nëntori deri ne 23 dhjetor. Më pas, në mes të janarit pritet të shpallet kompania ose konsorciumi fitues. Kjo është hera e tretë që qeveria hap garën për aeroportin e Vlorës.
“Sot 23 nëntor hapim garën për ndërtimin ndërkombëtar të aeroportit të Vlorës që do të qëndrojë hapur për 30 ditë. Do të marrim kohën prej dy javësh për të vlerësuar ofertat. Në mes të muajit janar ne do të nxjerrin fituesin, i cili duhet të jetë i denjë për ndërtimi. Ky lajm është i mirë për të gjithë shqiptarët. Uroj të keni shëndet të plotë dhe gjithçka të shkoj mire,” tha Balluku ndër të tjera.
Fillimisht në dhjetor të 2019 Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë hapi garën për ndërtimin e aeroportit të Vlorës, ku afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga kompanitë ishte 12 mars 2020.
Më pas tenderi u rihap në tetor 2020, por në 10 nëntor, Balluku njoftoi dështimin e tenderit për herë të dytë, për shkak të pandemisë së Covid-19.