Editorial14 Maj 2018, 17:47

Edi Rama, ekscentrik dhe i pabesë

Shkruar nga Pamfleti

Edi Rama, ekscentrik dhe i pabesë, skizofreni gjaknxehtë që e degradoi Partinë Socialiste në këmbim të asgjëje

Rama eleminon kundërshtarët brenda PS sapo fuqizohen, i zëvendëson me kukulla e manekinë. Nga Nano, Malaj e deri te Tahiri e Xhafaj, si po e shkatërron partinë

Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste dhe nga shtatori i vitit 2013 kryeministër i Shqipërisë ka treguar se në ADN-në e vet ka eleminimin e kundërshtarëve politikë.

Me çdo çmim, pavarësisht se këto lëvizje kanë ndikuar shumë në dobësimin e PS, e cila në të gjitha herët, nuk ka rënë kurrë kaq poshtë në ballafaqimet elektorale.

E theksojmë faktin se PS ka një elektorat të konsoliduar dhe në ballafaqimet zgjedhore ka qënë gjithnjë dukshëm  mbi të gjithë partitë e tjera, për të nënvizuar se nuk është ndonjë meritë e Edi Ramës që PS erdhi në pushtet më 2013 apo që qeveris e vetme në mandatin e dytë qeverisës 2017-2021.

Por Edi Rama ka treguar dhe po tregon dita e ditës se nuk duron asnjë zë kundër brenda partisë, nuk duron asnjë fuqizim të figurave politike brenda PS.

Duke treguar qartë se ai pranon kundërshtime vetëm me lejen e tij, dhe aspak të njerëzve me integritet.

Një filozofi e tillë brenda PS ka sjellë dhe largimin e disa prej figurave kryesore në këtë parti, përgatitjen për largim të figurave të tjera të forta që garantonin vota për PS.

Njëherësh Edi Rama ka sjellë në PS dhe në qeverisjen e vendit njerëz pa integritet, pa potencial politik dhe profesional dhe mbi të gjitha njerëz që janë të bindur, janë kukulla e manekinë, që janë aty thjeshtë e vetëm për të plotësuar një vend vakant e aspak për të qënë drejtues ministrie, drejtorie apo partie.

Që në fillim Edi Rama hoqi Arben Malajn dhe figura të tjera me integritet në PS që dinin të thonin edhe “jo” kryetarit në çdo kohë për të mirën e qeverisjes dhe të PS.

Rama duke mos duruar kundërshti,  i fluturoi nga Partia Socialiste dhe jeta politike.

Pati përplasje me Ben Blushin, i cili ishte vërtetë një “pasqyrë” nga ku Rama mund të shihej dhe të mos gabonte, por duke qënë se nuk duronte rivalitet dhe fuqi apo njerëz me mend në PS e detyroi të largohej bashkë me Mimoza Hafizin. Një tjetër kapacitet nga shkenca në PS.

Rama i la dhe Blushin dhe Hafizin jashtë kabinetit qeveritar, duke preferuar në qeverisje të tjerë me kuota të ulta kapaciteti dhe potencioni politik dhe mental.

Pa llogaritur faktin që eliminoi edhe tre ish nënkryetarët e bashkisë në periudha të ndryshme, Blendi Gonxhen, Albana Dhimitrin dhe Eduard Shalësin.

Dy të parët i zhduku fare nga qarkullimi në PS, ndërkohë që Eduard Shalësi ish numri dy i bashkisë së Tiranës dhe njeriu që ka qeverisur realisht në Tiranë përpos një periudhe dy mujore si ministër, u la vetëm deputet. Shumë pak për kontributin dhe kapacitetin e tij.

Dhe pasi eleminoi këto figura të rëndësishme të PS, të rinj dhe të vjetër, pa përmendur “pensionimin” e Fatos Nanos në kulmin e moshës politike, sapo kishte kaluar 50 vitet, radha i erdhi dhe telendisjes se ish kryeministrit Pandeli Majko. Të cilin e bëri ministër të Diasporës, një fyrje me të vërtetë e madhe për një ish kryeministër.

Dhe menjëherë pas eleminimit të të pabindurve Rama startoi me eliminimin e bashkëpunëtorëve.

Rasti më flagrant i shitjes së bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë dhe eleminimi i tyre si kundërshtarë politikë brenda PS është ai i ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Tahiri për katër vite drejtoi një nga ministritë më të rëndësishme në vend dhe është një ndër ministrat më jetëgjatë të Brendshëm.

Pati sukseset e veta por dhe dështimet e veta, megjithëse falë punës së tij dhe të policisë shqiptare, Shqipëria shënoi suksese të certifikueshme në luftën kundër drogës dhe krimit dhe i riktheu dinjitetin policisë.

Falë dhe këtyre sukseseve, Shqipëria mori statusin e vendit kandidat dhe plotësoi një nga kushtet për të pretenduar anëtarësimin në BE, përmes hapjes së pritshme të negociatave sivjet.

Falë dhe punës së Saimir Tahirit pas largimit nga posti i Ministrit të Brendshëm, PS siguroi në Tiranë 18 mandate deputeti, një rezultat i paparashikuar.

Të gjitha këto suksese të Tahirit në qeverisje dhe në PS i ka pranuar vetë Edi Rama publikisht.

Pikërisht në këto momente, kur iu duk se Saimir Tahiri ishte fuqizuar shumë sa mund të thoshte dhe “jo” dhe mund ta kritikonte, Edi Rama përgatiti bashkë me aleatin e tij strategjik kryetarin e PD Lulzim Basha, eleminimin politik të ish ministrit të Brendshëm të PS.

E akuzuan, i dhanë arrest shtëpiak, i morën pasaportën, e lidhen me të gjitha trafiqet e mundshme të drogës dhe trafiqe të tjera që kalonin nëpër mendjen pjellore për mashtrime të Sali Berishës, pa pasur asnjë provë deri më tani të qenësishme për ta dërguar para drejtësisë, vetëm e vetëm për ta elemininuar politikisht. Pasi përbënte rrezik për Edi Ramën.

Ndaj Edi Rama po e nxjerr jashtë karrierës politike Saimir Tahirin, i cili një nga një i dorëzoi të gjitha, nga mandati i deputetit, drejtimi i PS Tiranës dhe tashmë gjendet nën humorin e Lul Bashës e Sali Berishës, që ushtrojnë presion mbi të përmes “zarit” të tyre në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, një trafikanti  kokaine si Besim Hajdamataj.

Edi Rama është ai që bashkë me Lulzim Bashën e bënë “kurban” ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, njëriun më të fuqishëm për vite me radhë në PS vetëm si kishte punuar.

Me të njejtin skenar po funksionon dhe eleminimi i ministrit aktual të Brenshëm. Sapo Rama pa që Fatmir Xhafaj dhe Erion Veliaj krijuan bashkë një grup shumë të fuqishëm politik brenda PS, dhe u bënë pikë reference dhe e partnerëve tanë ndërkombëtarë, Edi Rama menjëherë në bashkëpunim me aleatin e tij Lulzim Basha përgatitën eleminimin e tyre.

Xhafajn, po tenton ta eleminojë që tani. Ku për shkak të të vëllait dhe publikimit të video-përgjimit me një trafikant po përdoret PD për ta goditur, duke e bërë më të lehtë eleminimin e tij.

Ndërsa kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, përmes paraqitjes së kandidaturës së Ogerta Manastirliut si kandidate për kryetare bashkie e Tiranës, po tenton ta intimidojë. Edi Rama nuk i honeps dot njerzit e punës…

Sapo forcohen politikanët brenda PS Edi Rama menjëherë i eleminon politikisht, gjithnjë bashkë me Bashën, aleatin potencial që ka për të tilla punë.

Dhe për të vertetuar se sa bashkëpunojnë Rama dhe Basha mes tyre për të eleminuar kundërshtarët brenda partisë, shihni PS dhe PD si janë katandisur, pas largimit të figurave kryesore të partive respektive. Largime respektive, por sipas të njejtit skenar.

Ndaj mund të themi pa drojë se Edi Rama qeveris vetëm duke eliminuar kundërshtarët, ndërkohë që e ka mbushur partinë dhe qeverinë me kukulla, manekinë dhe njerëz pa integritet. Sa pas largimit ata do të harrohen dhe nëse nuk shënohen në ndonjë arkivë s’do i mbajë mend njeri nëse kanë qënë në ndonjë post ose jo.

Dhe fakti që ka sjellë njerëz pa dinjitet në qeveri dhe parti tregon foloziofinë e tij për të qeverisur me këta njerëz, për t’u dëgjuar vetëm ai dhe për të mos pasur asnjë kritikë.

Në këtë mënyrë PS po shkatërrohet nga themelet./Pamfleti.com

codramol
smile

Editorial degradoi Partinë Socialiste Edi Rama ekscentrik dhe i pabesë në këmbim të asgjëje skizofreni gjaknxehtë