Editorial26 Shkurt 2024, 09:49

A po përgatit Edi Rama rrokadën e numrit dy në qeveri?

Shkruar nga Pamfleti

 

A po përgatit Edi Rama rrokadën e numrit dy në qeveri?
Edi Rama, Erion Braçe dhe Arbër Mazniku /

Edi Rama e ka kthyer PS-në në një formacion ‘alla Erdogan’, ku nuk lejon asnjë figurë politike që të rritet, ndryshe e shkatërron menjëherë...

Ka dy ditë që pas mbledhjes online të kryesisë me Asamblenë Socialiste, i vetmi që ka nisur të shpërndajë njoftime është Erion Veliaj.

Lali, me anë të grupit mediatik të bashkisë po punon në lidhje me anëtarësimet e reja në PS. Një urdhër politik që Edi Rama e shpërndau si një ‘fatva’ e logjikës së mandatit të katërt.

Në fakt e gjitha kjo, po ndodh sepse realisht në apelin e patrozhanistëve të Partisë Socialiste mungojnë më shumë se 10 mijë vota. Një pjesë e pensionistëve kanë ndërruar jetë, kryesisht gjatë kohës së Covid 19, një pjesë kanë ikur jashtë, por duket se një pjesë e madhe e kësaj fete nuk duan më të votojnë Partinë Socialiste. Duke vendosur që ditën e zgjedhjeve të mos shkojnë fare në votime. E duhet pasur parasysh që bëhet fjalë për socialistë tipikë, njerëz që kanë votuar të majtën për 33 vjet, ose familjarë të socialistëve tipikë që gjithashtu kanë qenë serberator votash kampin socialist.

Zakonisht në zgjedhje nuk shkojnë pjesë të elektoratit gri, të cilët nuk janë dakort me përplasjen ekstremiste, por këtë radhë, duket se situata është më dramatike se kaq. As në zgjedhjet moniste të 2019-s, ku pati mjaft mungesa nga elektorati i majtë, dhe as në ato të 2021 nuk ka munguar një numër kaq i madh zgjedhësish socialistë. Pikërisht për këtë, Edi Rama ka kërkuar që të bëhen anëtarësime e të afrohet një pjesë e elektoratit që ka votuar zakonisht për opozitën, por që mund të ofrohet me metoda klienteliste.

Erion Veliaj është i vetmi që e ka nisur këtë proces pa u inaguruar nga vetë Rama, i cili deklaroi se do të jetë ai që do të hapë fushatën e anëtarësimeve të reja në qarkun e Durrësit ku është deputet.

Kjo fushatë e Veliajt, ka nisur pa u bërë ende publike ndarjet e shefave të rinj politikë të qarqeve, për të cilët thuhet se janë ndryshuar në mbledhjen e fundit të kryesisë.

Dalja e Lalit tregon se ai ose ka marrë konfirmimin si kreu i Tiranës, ose po e bën këtë për të treguar se nuk ka ndërmjet që të largohet.

Ndërsa në Tiranë, Veliaj ka zhvilluar prej 3 ditësh nga dy aktivitete në ditë, njeriu që konsiderohet e fuqishme sa ai në PS, zv.kryeministrja Belinda Balluku nuk ka bërë asnjë aktivitet në qarkun që mbulon, në Dibër.

Në fundjavë Balluku ka postuar një event në qarkun e Durrësit, në kuadër të aktivitetit të saj si ministre e Energjetikës.

A i është caktuar Durrësi Ballukut?

Ndërkaq nuk është vetëm Balluku që nuk ka nisur aktivitetin në bazë; as Blendi Klosi, sekretari i Përgjithshëm i PS, nuk ka nisur aktivitetin e tij në qarkun Vlorë, ku ka qenë shef politik. Madje dy ditë më parë atje u duk ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, gjë që u konsiderua si një sinjal për largimin e tij nga Lezha.

Taulant Balla, ndërkaq, vijon të publikojë materiale nga qarku i Fierit ku është drejtues politik, por kryesisht bëhet fjalë për sektorin ekonomik, dhe jo për fushatë anëtarësimesh.

Njëjtë me Ballën, edhe Niko Peleshi që është në fundjavë në Korçë, nuk ka pasur një aktivitet të tillë, as Elisa Spiropali gjithashtu në Shkodër, e cila i është bashkëngjitur PR të Benet Becit për karnavalet e Shkodrës. Po ashtu edhe Majko në Kukës etj.

Atëherë përse vetëm Veliaj po bombardon opinionin me aktivitetin e tij politik të anëtarësimeve të reja në PS? Tepër e pabesueshme që këtë Veliaj po e bën me kokën e vet, siç nuk e ka bërë as herën e parë, ku foli në Rrogozhinë e Kavajë, e më pas e ndërpreu menjëherë.

Ka shumë gjasa që kjo është një lojë e Edi Ramës, i cili kërkon të japë mesazhe pjesës tjetër që duket mjaft e pakënaqur nga këto lëvizje. Siç ka hapur diskutime brenda korridorëve në PS se mund të ketë një rrokadë ndërmjet Belinda Ballukut dhe Arbjan Maznikut. Për të cilin po flitet se mund të bëhet zv.kryeministër, e sipas gjasave edhe kandidat për deputet, dhe do ketë një qark për të drejtuar.

Po a janë të vërteta të gjitha këto?

Duken më shumë si një strategji e propagandës së Fugës, dhe natyrisht e Edi Ramës. I cili e ka kthyer PS-në në një formacion ‘alla Erdogan’, ku nuk lejon asnjë figurë politike që të rritet, ndryshe e shkatërron menjëherë.

Siç bëri Erdogan me të gjithë kryeministrat apo figurat e njohura të kabineteve paraardhëse. Loja që bën me Veliajn e Ballukun, ‘herë ngrof e herë ftof’ është dukshëm një manovër për të ndalur çdo mundësi karriere në PS.

Kur ka raste 'kokëshkretësie' i tregon rrugën e SPAK siç bëri me ish-bashkëpunëtorin më të ngushtë të tij./Pamfleti

 

rrokada edi rama numri 2 në qeveri belinda balluku arbër mazniku