Editorial 4 Prill 2024, 17:05

Drejtësia e tha fjalën: Hajduti i hajdutit në burg!

Shkruar nga Pamfleti
Drejtësia e tha fjalën: Hajduti i hajdutit në burg!
Altin Dumani /

Mbreti vdiq, rroftë mbreti

Ndërsa Altin Dumani bënte si i prekur para Komisionit Parlamentar se pse institucionet shtetërore nuk raportonin në SPAK rastet e korrupsionit, një derë burgu është hapur duke i dhënë lirinë një ish- zyrtareje të lartë që, jo shumë muaj me parë trazoi opinionin publik.

Alda Kosi sot është lënë e lirë.

Në rrokopujën e arrestimeve që nisin me “tam- tame” e përfundojnë të shpuara, me akuza "për shpërdorim detyre", emri i Alda Klosit mund të kalojë pa shumë vëmendje. Madje në gjithë këtë mori emrash e mbiemrash të përfolur ditëve të fundit për korrupsion masiv, ndodh edhe të mos ju thotë gjë fare.

Por po ua kujtojmë: është ajo zyrtarja e lartë e kësaj qeverie që, pastruesja i vodhi në shtëpi 500 mije euro. Është i njëjti personazh që kur mori vesh qe i kishin zhdukur shukun e fundit të parave që kish çuar në shtëpi, nuk u ndje e zor se do të denonconte, nëse vajza e vet, e shqetësuar për shtëpinë e vjedhur, njoftoi policinë. Ta dinte se sa punë do i hapte të ëmës, nuk do ndihej, por lajmi mori dhenë dhe e ëma përfundoi në burg.

Pra, ndërkohë që Shqipëria ishte shkundur nga skandalet që i zënë vendin njëri-tjetrit, me kontrata koncensioni që kanë zbrazur arkën e shtetit, me inceneratorë e kriminelë që kërcënojnë ditën për diell, doli edhe një lajm për një zyrtaruce, emër krejt i panjohur, që me "djersën e ballit" (më vonë siguroi dëshminë e një biznesmeni që ia kish dhënë hua) kishte në shtëpi qindra mijëra euro të pajustifikuara, të cilat ia vodhi pastruesja.

Një hajdut, vodhi një hajdut tjetër!

Ngjarja ishte e denjë për një seri të "The Bold and dhe the Beautiful".

Alda i humbi, por nuk i justifikonte dot paratë, ndërsa pastruesja, që më vonë doli të ishte pastruesja e VIP-ave të Tiranës, e tunduar nga luksi që "lante e shplante", kish vënë dorë. Serial me hajdutë. Një e shtetit e një hajdut i hajdutit.

Të ish vend tjetër, do ish shkundur i madh e i vogël. Por...

Por dihet tashmë si shkojnë këto punë. Ndërkohë që drejtësia alla Duman krihet, hajdutet bëjnë kërdinë.

Ilir Beqja që mban rolin e "nënës së koncesioneve në shëndetësi" hetohet për "shpërdorim detyre" ndërsa Erjon Veliaj "operoi tëmthin" kur i duhej të përgjigjej për 20 milionët e vjedhur nga drejtorët e vet, nën dirigjimin e tij.

Prandaj pse duhet pritur që Alda Klosi të dënohet?

Për drejtësi që kemi ne, edhe aq sa ndenji brenda, shumë i ka! D.m.th Aldën e dënuan me 2 vjet e 6 muaj, pasi pranoi gjykim të shkurtuar, ia hodhi me 20 muaj gjithsej.

Por ndryshe qëndron puna për pastruesen. Atë që guxoi të prekte paratë e nxjerra me aq mund nga ky soj hajduti me çizme. Ajo po që meritonte burgun. Jo më kot gjykata i dha 2-fishin e dënimit. Thënë shkurt: Alda vodhi, u hetua dhe paçka se nuk e provoi dot se me çfarë i kish nxjerrë ato para, doli nga burgu. Pastruesja që vodhi Aldën, jo!

Vidhe hajdutin po ta mbajti! Drejtësia e tha fjalën e vet e kambanat bien për kë kanë veshë: Mbreti vdiq, rroftë mbreti!

Përgatituni për skenarin e radhës: Alda i kthehet pushtetit; Beqja karriges: Dako sulltanatit të vet. Kush e hëngri, t'i bëjë mirë!/Pamfleti

drejtësia e tha fjalën hajduti i hajdutit në burg

Editorial