Editorial24 Qershor 2024, 09:59

Dyshimi: A do të ftohet Edi Rama në Samitin e NATO-s në Uashington?

Shkruar nga Pamfleti

 

Dyshimi: A do të ftohet Edi Rama në Samitin e NATO-s në
Presidenti Bajram Begaj, në takim me ushtarakun e lartë të NATO-s, gjeneralmajor Daniel Lasica, Drejtor i Politikave, Strategjisë, Planifikimit dhe Kapaciteteve të Komandës Europiane /

Burime diplomatike i thanë ‘Pamfleti’-t, se në samit është ftuar Presidenti Bajram Begaj. Një sinjal mjaft i fortë, që deri tani nuk e kemi vënë re në samitet paraardhëse...

Po lihet në sordinë një eveniment mjaft i rëndësishëm që ndodhi javën e shkuar.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, përkatësisht, Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global, Richard Nephew, vizitoi Shqipërinë, takoi kreun e SPAK, Altin Dumani, përfaqësues nga media e shoqëria civile. Nephew, nuk u takua as me Edi Ramën as me ndonjë anëtar të qeverisë së tij.

Pikërisht, mungesa e kontaktit diplomatik me një zyrtar qeveritar, të një autoriteti të rëndësishëm të DASH, duket më shumë një mesazh politik, sesa si një rutinë protokollare.

Në intervistën e dhënë në seksionin shqip të Zërit të Amerikës, zyrtari i DASH, formuloi qëndrime të forta ndaj qeverisë, që nuk ishin thjesht vërejtje apo akuza.

Ai foli në radhë të parë kundër tentativës së mazhorancës dhe Sali Berishës në Kuvend për të ndryshuar apo revizionuar reformën në Drejtësi.

“Duam të sigurojmë që çfarëdo reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët t’i çojnë çështjet përpara, që të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte. Mendoj se teksa shohim drejt reformave dhe teksa shohim drejt asaj lloj pune që po bëhet për të përmirësuar sistemet këtu, shumë do të vendoset nga sa gjithëpërfshirëse janë, sa sjellin të gjithë aktorët e ndryshëm dhe se nuk do të humbim përparimin e mirë të deri tanishme, për ta bërë sektorin e drejtësisë sa më të pavarur dhe sa më të efektshëm që të mundet”, tha Kordinatori i DASH për korrupsionit.

Ndërkaq, lakmusi nëse situata është kaq dramatike mes Ramës e SHBA mbetet samiti i nivelit të lartë i NATO-s në Uashington nga datat 9-11 korrik. I cili është shumë i rëndësishëm edhe nga ana politike, pasi do të ratifikojë qëndrimin për luftën në Ukrainë, por edhe nga ana protokollare, meqë do festohet 75 vjetori i Aleancës Altantike.

Deri tani, Edi Rama ka marrë pjesë në të gjitha samitet e liderëve dhe nuk ka shkuar Presidenti i Republikës, ç’ka nga ana protokollare është e mundur.

Burime diplomatike i thanë ‘Pamfleti’-t, se në samit është ftuar Presidenti Bajram Begaj. Një sinjal mjaft i fortë, që deri tani nuk e kemi vënë re në samitet paraardhëse.

Ndërkaq, ende është mister, nëse i ka shkuar një ftesë kryeministrit Edi Rama, e qeveria po e mban mjaft të fshehtë këtë zhvillim.

Herët e tjera, sa herë është ofruar ndonjë rast për të vizituar SHBA, Rama e ka shpallur shumë kohë përpara.

Vetë ftesa për Presidentin hap mjaft dilema, duke parë maninë për protagonizëm të kryeministrit. Gjatë qeverisjes së tij 12 vjeçare, Rama nuk i ka lënë hapësirë asnjërit prej Presidentëve të Republikës, ku ka përcjellë 3 të tillë, të shkojë në samitet e liderëve të NATO-s.

Gjatë kohës së Sali Berishës- kryeministër, SHBA dërgonin dy ftesa paralele, e në samitet e nivelit të lartë shkonte si Presidenti Bamir Topi, ashtu edhe Kryeministri Berisha. Por Topi ishte kryetar i delegacionit shqiptar. I njëjti protokoll zbatohej edhe për vendet e tjera të rajonit si Kroacia, që ka një president të fuqishëm që zgjidhet direkt nga populli.

Të gjitha këto analogji, janë një mundësi për të analizuar zhvillimet e reja, të cilët po mbahen në sordinë nga qeveria.

Para pak ditësh një ushtarak i lartë i NATO-s, gjeneralmajori Daniel Lasica, Drejtor i Politikave, Strategjisë, Planifikimit dhe Kapaciteteve të Komandës Europiane të SHBA, vizitoi Tiranën, por u takua vetëm me Presidentin Bajram Begaj./Pamfleti

samiti i nato uashington edi rama dyshimi