Editorial 8 Prill 2024, 10:19

Gjini, një “dele e Perëndisë” që nuk ka lesh rudë, por brekë “Derek Rose”…

Shkruar nga Gjergj Zefi
Gjini, një “dele e Perëndisë” që nuk ka lesh
Gjin Gjoni /

Mesazhi që Sali Berisha kërkon të shpërndajë me Gjin Gjonin

Gjin Gjoni sot, nuk është më ai njeriu i fuqishëm i drejtësisë shqiptare apo ai biznesmeni që merrte kontrata koncensionare për familjen e tij, si pasojë e shërbimit ndaj politikës.

Ai është një qytetar i kësaj Republike, e si i tillë ka të gjithë të drejtën të hyjë në një parti, të kandidojë apo edhe të votohet. Të mbështesë këto, e të bëhet deputet, ministër apo edhe kryeministër.

Mirëpo Gjin Gjoni nuk u bë kryetar i Partisë Demokratike të Lezhës pas një aktiviteti politik në atë qark, ku as ka jetuar, e as nuk e ka origjinën andej.

Ai u katapultua nga Doktori, si një aktor ekstrapolitik, i lidhur si mishi me kockën me Sali Berishën dhe sistemin 33 vjeçar që ai përfaqëson.

Gjin Gjoni është një jurist që nuk ka dalë nga katedrat universitare të Fakultetit të Drejtësisë, të cilin e ka kryer si shkollë partie më pas. Ai është përfaqësuesi tipik i juristëve të Plepave që Sali Berisha i hodhi në sistemin më të rëndësishëm të shtetit me një kurs 6 mujor, që i bënin së bashku me kadetët e të ndjerit Bashkim Gazidede në kavalishencën e Sigurimit të Shtetit në Durrës, në vitin e largët 1991.

Karriera e Gjin Gjonit shkoi aq lart, sa u bë edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku emëronte gjyqtarë e prokurorë në të gjithë vendin.

Vendimet e Gjin Gjonit si Gjyqtar ishin të lidhura thuajse në pjesën më të madhe me interesa të pushtetit politik. Ndërkaq, ai është përfaqësuesi më tipik që u pasurua, dhe që jeton në luks thjesht dhe vetëm në sajë të çekiçit të gjyqtarit.

Një nga sheikët e drejtësisë së vjetër, që nuk pranoi të hyjë në vetting, ndaj dha dorëheqjen përpara se t’i vlerësohej pasuria. Gjin Gjoni u bë i njohur ngaqë u përplas me investitorë të huaj, ngaqë familja e tij zotëronte një minierë ari siç është territori tregtar i ‘free shop’ në aeroportin e Rinasit.

Me këto “kredenciale” të së shkuarës, Gjin Gjoni, nuk se e ka skedën e bardhë dhe shpresëdhënëse për të frymëzuar të tjerët që të bëjnë karrierë e të mobilizohen për të fituar opozita. Sepse nëse ka një armë që opozita ka në favor në luftën ndaj Edi Ramës, është lufta ndaj korrupsionit, modeli i një zyrtari apo politikani që nuk i ka brekët "Derek Rose" që kushtojnë 200 euro, thjesht dhe vetëm se ka qenë zyrtar. Por të jetë modeli i një qytetari që atë çfarë e ka arritur, qoftë edhe pasuri të madhe, e ka bërë nëpërmjet punës së tij të ndershme që e justifikon krejt lehtësisht.

Gjin Gjoni, nuk mund të frymëzojë asnjë person që kërkon t’ja dalë lehtësisht, asnjë idealist, e asnjë pragmatist që kërkon të ndryshojë gjërat.

Gjin Gjoni është thjesht një përfaqësues i një të shkuare, me gjingjonër të katapultuar nga Sali Berisha. Kjo është e qartë!

Që të vijmë në temë, Sali Berisha e ka futur në forcë, pikërisht për të treguar se kujt i kërkon ndihmë për partiçkën e tij, njerëzve që Gjin Gjoni i ka homologë, e njerëzve që Gjin Gjoni i ka favorizuar.

Që janë të gjithë gjyqtarë e prokurorë të kohës së vjetër, por edhe kriminelë e politikanë që i ka favorizuar me vendimet e tij.

Sepse Berisha e di që nuk merr mbështetje nga njerëzit normalë, por do votat e atyre që kanë marrë indulgjencën e tij. E këtu kërkon ta nisë “Rilindjen” e tij nëse do të ndodhë, pasi Berisha në vetvete nuk është një politikan naiv. Ai e di çfarë ka bërë e çfarë ka sjellë. Në fakt e ka ditur gjithmonë, e çdo herë ringritjen e ka mbështetur pikërisht tek ata që i janë mirënjohës, e që mund të luftojnë për më shumë.

Një Gjekmarkaj, edhe pse është militant i verbër i Sali Berishës, e ka krijuar areolën e tij si nip i Padër Zefit. Gjë që Padër Saliu nuk e pranon dot, ndaj ka gjetur një “dele të Perëndisë” që nuk ka lesh rudë, por brekë “Derek Rose”…/Pamfleti

gjin gjoni dele e perëndisë lesh rudë brekë cartier