Editorial19 Qershor 2024, 14:23

Çmimi i lartë i vulës: Nisi sot shantazhi ndaj SPAK!

Shkruar nga Pamfleti

 

Çmimi i lartë i vulës: Nisi sot shantazhi ndaj SPAK!
Cirku i Tiranës me Ramën dhe Berishën; karikatura nga Ylli Haruni /

E gjitha kjo është një Pazar Rama-Berisha për çështjen e vulës. Që u mor para disa ditësh. Nga sot Edi Rama, ka nisur të korrë frytet e para të pazarit...

Menjëherë pasi vula e PD iu dha Sali Berishës, ka nisur aksioni konkret për të penguar SPAK në punën e tij ndaj ‘peshkaqenëve’ të korrupsionit.

Pikërisht sot, deputetët socialistë, të udhëhequr nga Plarent Ndreca, kanë denoncuar në prokurori, zyrtarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Behxhet Zeqiri.

Zeqiri, u thirr si dëshmitar në Komisionin Parlamentar Hetimor për Sterilizimin, të tregojë pjesë nga gjetjet e tyre në auditin ndaj kësaj PPP.

Zyrtari i KLSH ka bërë të ditur se çdo gjetje e tyre ndodhet në raportin zyrtar të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Menjëherë pas kësaj, mazhoranca bëri sikur ka zbuluar një skandal, kur në fakt zyrtari ka zbatuar Kodin e Procedurës, sipas të cilit çdo qytetar ka të drejtë edhe të mos shprehet, apo të mbrohet me heshtje. Është një nga të drejtat themelore të njeriut e mbrojtur në Kushtetutë.

Por Ndreca, ka përpiluar një padi, të cilën e ka bërë të ditur edhe në media.

Shkresa e PS

"Gjatë seancës së pyetjeve dhe konkretisht gjatë pyetjeve të realizuara nga ana e Zv/Kryetari i Komisionit, në shkelje të parashikimeve të Kodit të Proçedures Penale, .z Zeqiri refuzoi në mënyrë të persëritur që të dëshmojë, pavarësisht vënies në dijeni për detyrimin e tij ligjor për të dëshmuar dhe dhënë shpjegime për punën e tij para Komisionit Hetimor Parlamentar"

Në vijim të shkresës deputetët argumentojnë pse audituesi i KLSH ka konsumuar një vepër penale.

"Nisur nga tërësia e fakteve dhe rethanave të cituara më sipër, vlerësojmë se ka të dhëna për fillimin e ndjekjes penale ndaj shtetasit të kallëzuar z. Bexhet Zeqiri, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të "Refuzimit për të dëshmuar" parashikuar nga neni 307 i Kodit Penal. Kjo është hera e parë që një deshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor, refuzon hapur t'i përgjigjet pyetjeve të bëra nga ana e Komisionit, duke shënuar një rast të rrezikshëm për autoritetin e veprimtarisë së një komisioni parlamentar dhe produktit të tij. Ky rast hap rrugën e refuzimit për të deklaruar nga deshmitari i thirrur nga ana e komisioneve hetimore, duke dëmtuar në thelb jo vetëm reputacionin e këtij instrumenti parlamentar, por duke krijuar premisa për të dështuar punën e komisionit në marrjen e një prove kaq të rëndësishme, siç është dëshmia", citohet në shkresë.

Çdo të thotë kjo?

E gjithë kjo padi e mazhorancës ndaj zyrtarit të KLSH, nuk është gjë tjetër veçse një vrimë në ujë. Pasi kushdo ka të drejtë të mos shprehet. E vetmja klauzolë në Kodin e Procedurës është dëshmia e rreme, e cila është krejt tjetër gjë.

A thua nuk e dinë juristët e mazhorancës këtë, që akuza e tyre është një bllof?

Natyrisht që e dinë! Por e gjithë kjo, është fillimi ndaj një aksioni të madh, ku sulmohet dhe kërcënohet çdo person, i cili ka dëshmuar apo paditur ndaj Ilir Beqjes dhe zyrtarëve të tjerë për sterilizimin. Ndërkaq, i njëjti precedent shkon për të gjitha dosjet e tjera ku akuzohen njerëzit e lartë të pushtetit.

Ky është pikërisht fillimi i një aksioni, që Edi Rama bëri së bashku me Sali Berishën. Ish-kryeministri, i gjendur në situatë të vështirë, ka pranuar një pakt që është një kurth për të. Berisha nuk fiton asgjë, pasi edhe nëse do të kërcënojë dëshmitarët e tij, ai është i djegur përfundimisht. Pronat e sekuestruara, nuk kanë për t’ju kthyer, megjithëse mund të ketë një ulje të intensitetit të hetimeve ndaj tij.

Por kjo varet nga Edi Rama, i cili, nëse arrin që nëpërmjet këtij aksioni të nisur sot, të frikësojë njerëzit që kanë firmosur shkeljet e PPP të sterilizimit, reaksioni zinxhir do të vazhdojë. E në zgjedhje do ta marrë para Berishën, duke e akuzuar si gjithmonë për vrasje, korrupsion etj etj.

Ngritja e Komisioneve parlamentare hetimore që kërkoi Berisha duke djegur edhe Kuvendin, po dëshmojnë një flluskë sapuni, madje një ndihmë për mazhorancën. Opozita nëse ka fakte, dëshmi, akuza apo dokumente për këtë çështje, mjafton t’i nxjerrë në publik dhe më pas t’i çojë në SPAK.

Komisioni Parlamentar, nuk është gjë tjetër, veçse një mekanizëm që i jep mazhorancës një armë për tu mbrojtur para prokurorisë Speciale.

Por duket se e gjitha kjo është një Pazar Rama-Berisha për çështjen e vulës. Që u mor para disa ditësh. Nga sot Edi Rama, ka nisur të korrë frytet e para të pazarit. Ndërkohë Sali Berishës po i kthehet në bumerang, siç ndodhi me vendimin e gjykatës së apelit të Londrës, e cila i konfirmoi ndëshkimin “Non Grata”…/Pamfleti

çmimi i lartë i vulës shantazhi ndaj spak