Editorial13 Shkurt 2024, 15:46

Pse marrëveshja arbitrare Rama-Meloni për emigrantët do të jetë problem për BE-në?!

Shkruar nga Matteo De Bellis
Pse marrëveshja arbitrare Rama-Meloni për emigrantët do të
Fotomontazh, Rama-Meloni

Thelbi i problemit në këtë rast, është se Italia po zgjedh pjesët e ligjit të BE-së që planifikon të zbatojë, duke lënë mënjanë garancitë e ofruara po nga ligji evropian, si për shembull detyrimi për të shmangur ndalimin arbitrar, automatik për aplikantët për azil dhe për të siguruar alternativa të disponueshme....

Vetëm pak javë më parë, marrëveshja arbitrare e nënshkruar në nëntor 2023 mbi ndërtimin në Shqipëri të 2 qendrave për azilkërkuesit që zbarkojnë në Itali, dukej se do të mbetej peng i pengesave të shumta ligjore dhe politike.

Por pas një përshpejtimi shqetësues të hapave, parlamenti italian tashmë është gati të ratifikojë marrëveshjen, ndërkohë që Gjykata Kushtetuese në Shqipëri dha dritën jeshile mbi mundësinë që parlamenti shqiptar të bëjë të njëjtën gjë, gjë që mendohet të ndodhë pas disa ditësh.

Këto vendime e afrojnë kryeministren italiane Giorgia Meloni me fillimin e zbatimit të propozimit të saj për paraburgimin arbitrar të mijëra refugjatëve dhe emigrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane në qendrat që do të ngrihen në Shqipëri, pra jashtë territorit të BE-së.

Pavarësisht shqetësimeve serioze të ngritura nga komisioneri për të drejtat e njeriut i Këshillit të Evropës, ekspertët ligjorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe shumë deputetë në të dyja shtetet palë të kësaj marrëveshje, Komisioni Evropian ka zgjedhur deri më tani të mbajë një qëndrim të heshtur mbi ligjshmërinë e marrëveshjes Itali-Shqipëri.

Madje Komisionerja për Çështjet e Brendshme, Ylva Johansson, ka deklaruar se marrëveshja nuk shkel ligjin e BE-së sepse funksionon edhe “jashtë ligjit të BE-së”. Kjo bazohet në një vlerësim paraprak ligjor i cili nuk është ndarë me Parlamentin Evropian.

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen e vlerësoi në dhjetor marrëveshjen si një “shembull pozitiv të të menduarit jashtë kornizave”. Italia pretendon se individët e shpëtuar nga anijet e saj dhe të ndaluar në Shqipëri do të ruajnë të drejtën e tyre për të aplikuar për azil në Itali, dhe se “njerëzit vulnerabël” nuk do të përfundojnë në qendrat e paraburgimit në Shqipëri.

Megjithatë, plani paraqet jo pak kërcënime të prekshme për të drejtat e njeriut të të gjithë njerëzve të prekur prej tij, si në det ashtu edhe në tokë, në kundërshtim me të drejtën e BE-së dhe atë ndërkombëtare. Kështu marrëveshja shkel hapur detyrimin e Italisë për të zbarkuar në tokë sa më shpejt që të jetë e mundur njerëzit e shpëtuar në det.

Projektligji në fjalë i shton 2-3 ditë qëndrimi shtesë në det, teksa anijet udhëtojnë nga Mesdheu Qendror në portin shqiptar të Shëngjinit. Njerëzit në bordin e anijeve të shpëtimit të identifikuar si “të pambrojtur” do të transferohen më pas, këtë herë në Itali, duke e bërë edhe më të gjatë udhëtimin e tyre.

Madje ata mund të konsiderohen me fat. Të tjerët, përfshirë ata, nevojat e të cilëve mund të mos pikasen menjëherë - si viktimat e torturës, trafikimit ose dhunës gjinore, të miturit, të moshuarit, personat me probleme të shëndetit mendor - do të dërgohen në Shqipëri.

Më mesin e paqartësisë për shumë detaje, marrëveshja e bën të qartë se ata që dërgohen në Shqipëri, nuk do të mund të largohen nga qendrat gjatë përpunimit të kërkesës së tyre. Kjo i nënshtron ata ndaj një paraburgimi automatik, i cili është në thelb arbitrar dhe për rrjedhojë në shkelje të ligjit italian, ndërkombëtar dhe të BE-së.

Sipas planeve, azilkërkuesit që mbërrijnë në 2 qendrat që do të ngrihen në Shqipëri, do t’i nënshtrohen së ashtuquajturës “procedurë kufitare”, që do të sjellë përpunimin e përshpejtuar të kërkesave për azil në kufi, sipas ligjeve italiane dhe atyre të BE-së.

Me reformat e parashikuara në Paktin e BE-së mbi Emigracionin dhe Azilin, kohëzgjatja e procedurave kufitare shkon deri në 6 muaj në total (madje në disa raste edhe më gjatë), ndërsa sipas ligjit italian personat për të cilën është vendosur dëbimi, mund të qëndrojnë në paraburgim edhe për 18 muaj të tjerë.

Qeveria italiane ka premtuar se në këto kampe do të ruhet juridiksioni italian. Dhe kjo do të thotë se personat e shpëtuar në det gjatë udhëtimit nëpër Mesdhe, duhet të kenë qasje tek garancitë që përcaktojnë ligjet italiane dhe ato të BE-së.

Megjithatë, sipas kësaj marrëveshje, e drejta për të kërkuar azil, përfshirë qasjen tek procedurat e drejta dhe efektive të azilit, do të kufizohej ndjeshëm duke pasur parasysh distancën fizike midis personave të ndaluar në Shqipëri dhe autoriteteve, si dhe të tjerëve që luajnë një rol kyç në vendimet që prekin ata, si për shembull komisionet e shqyrtimit të kërkesave për azil, avokatët dhe gjyqtarët.

Ndërkohë mbeten ende pa përgjigje pyetje serioze, si p.sh a do të mund të marrin njerëzit ndihmë cilësore nga një avokat i zgjedhur prej tyre, sidomos kur ndihma ligjore dhe intervistat bëhen ekskluzivisht nga distanca?

Thelbi i problemit në këtë rast, është se Italia po zgjedh pjesët e ligjit të BE-së që planifikon të zbatojë, duke lënë mënjanë garancitë e ofruara po nga ligji evropian, si për shembull detyrimi për të shmangur ndalimin arbitrar, automatik për aplikantët për azil dhe për të siguruar alternativa të disponueshme.

Marrëveshja që është gati të miratohet nga parlamenti italian, thotë se garancitë ligjore që vijnë nga ligji i BE-së do të zbatohen në 2 qendrat që do të ndërtohen në Shqipëri “për aq sa ato do të jenë në përputhje” me marrëveshjen. Duke ndjekur këtë qasje, qeveria Meloni krijon jo vetëm terrenin për një mori shkeljesh të të drejtave të njeriut, por ofron gjithashtu një shembull të rrezikshëm që mund të ndiqet nga qeveritë e tjera.

Pasi të ratifikohet, marrëveshja mund të përballet ende me sfida ligjore, përfshirë një padi kundër ndalimit automatik të azilkërkuesve sipas ligjeve italiane, e cila sapo është depozituar në Gjykatën e Drejtësisë së BE-së. Por institucionet e tjera të BE-së nuk duhet ta presin këtë.

Komisioni Evropian duhet të mos e miratojë kësaj qasje, dhe në vend të kësaj të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion - duke nisur nga një vlerësim ligjor transparent dhe i detajuar i marrëveshjes Itali-Shqipëri - për të siguruar zbatimin e plotë të ligjit të BE-së dhe të ligjit ndërkombëtar nga Italia. /Përshtati “Pamfleti” nga “Eu Observer”

Shënim: Matteo De Bellis, studiues i Amnesty International për migracionin në Evropë.