Editorial26 Shkurt 2024, 10:21

Pse të gjithë po joshin burgaxhinjtë?!

Shkruar nga Pamfleti
Pse të gjithë po joshin burgaxhinjtë?!
Pranga /

Po merruni me njerëzit o Kasta, nëse ju ka mbetur ndopak njerëzillëk…

Mazhoranca ka një javë, që ka marrë rolin e bamirësit me shkelësit e ligjit, duke kërkuar pazar për amnistinë. “Duam të lirojmë ata që e kanë bërë shumicën e burgut, thonë, po s’na le opozita.

Plarent Ndreca, tha te emisioni i Erla Mëhillit, se amnistia që duan të bëjnë ata, është një akt humanizmi. Na raftë pika për humanizmin tuaj!

Ylli Manjani, burri i shoqes Moza dhe filozofi i teorisë anti-SPAK, shkoi më tej, duke thënë se amnistia është instrument politik i Parlamentit, për t’i thënë drejtësisë se “ndalu beg, se ka hendek”, kur kjo e fundit e ekzagjeron domethënë. Hajde... Hajde...!

Sali Berisha nuk përmbahet nga ballkoni e ja fut një të madhe fare: “Burgjet janë mbushur me të pafajshëm”, tha e kërkoi të zbrazen dhomat e paraburgimit.

Po ç’kanë të gjithë që janë çmendur kështu? Realisht nuk janë çmendur, madje janë më esëll se kurrë. Është thjesht një qëndrim politik.

Sali Berisha mund të jetë i lodhur, ndoshta pak i roitur nga mosha, por budalla nuk është. Madje doktori është mjeshtri i filozofisë së burgaxhinjve.

Ishte ai që krijoi tek njerëzit e ‘hurit e të litarit’ një kauzë, një koncept filozofik, duke i kthyer realisht personazhet më të frikshme në vend, (që në çdo shtet normal i kalbin brenda), në ajkën e shoqërisë.

Dalëngadalë ‘gurçat’ e qyteteve u kthyen në sipërmarrës, bamirës, filantropë, politikanë të vegjël që trajtonin vota në zona të vështira, derisa u shndërruan në fenomen thelbësor të shoqërisë së egër të kapitalizmit shqiptar.

Shkolluan fëmijët e i llastuan, duke u bërë sot në bullistët më të mëdhenj, që vëtëm për të marrë famë shajnë mbarë e mbrapsht nëpër ekrane, të veshur me rroba firmato e dhëmbë të implantuar, buzë e gjokse të fryra, por goja nga fjalët banale kutërbon gjithandej.

Sali Berisha, mjeshtri i burgaxhijnve, me një aftësi gjeniale arriti të krijojë një klasë, të cilët në fund ja futën doktorit plak.

Të gjithë të fortët e kamur e të veshur firmato ja mori Edi Rama; i bëri deputetë; i bëri pashallarë në kuptimin e plotë të fjalës, duke u dhënë ‘kartabianka’ për gjithçka. E siç ndodh me këta tipa, që janë mjeshtra për të ndjekur ofertën më të lartë, pasi nuk kanë emocione, parime, apo edhe kohezion politik.

E majta, e djathta, qendra, gjithë këto idiotësira i quajnë, e bota e tyre është para, makina luksi, vajza të bukura shalëzbuluara, që u japin Lamborghini e Porche, i çojnë në ekrane, dhe në darka pa mbarim shfryjnë komplekset e tyre me kolumbjanen, peruanen, bolivianen, brazilianen, e mbiemra të tillë që janë bërë edhe koncepte kult, si pasojë e këngëve më të dëgjuara të Tajnës, yllit që financojnë bosët shqiptarë të Zvicrës.

E kthehen në refren nga rinia e kotësive që për katër ditë jave i përmendin si perënditë e vjetra apo Kullën e Babilonit në klubet e natës të asfiksuara me lëndë narkotike e tullumbace me azot, duke ua futur tartakutin prindërve.

E ka kot doktori i shkretë, nuk i kthen dot horrat në krahun e vet, maksimumi ka ca horra të plakur besnikë, që në fund ja fusin në burg e i sekuestrojnë.

Pasi Edi Rama, me gurin e arrën që ka në dorë, i ka kthyer në personazhe showbizi-i, investitorë strategjikë, e ndërtues, ku paratë e zeza të të gjithë mbiemrave latinoamerikanë që ka refren Tajna, i fusin në lavatriçet e mëdha turko-arabe, ku bëjnë banjë përveç parave të mafies edhe trutë tona të shkatërruara nga kjo zallamahi e tmerrshme grabitqarësh.

E opozita shqiptare, në vend të merret, të flasë e të qajë halle me njerëzit e dërrmuar, me qytetarët që nuk mund ta durojnë më këtë kastë horrash, merret me burgaxhinjtë.

Siç thotë Manjani, amnistia është akt politik për të rrëzuar aktet e padrejta të drejtësisë së re. Pasi në fakt shkon gjuha ku dhëmb dhëmbi. Duan të ndalojnë hetimet e fushatën e SPAK-ut kundër kastës politike më hajdute që ka pasur Shqipëria.

E këtu del mjeshtri i madh mason, që me një performancë teatrale luan Shajlokun e Shekspirit te “Tregtari i Venedikut” e thotë se ishte ai që po sjell drejtësinë e re, është ai që nuk e sulmon sepse është e re dhe e brishtë e nuk do ta thyejë. Por vetëm që kjo drejtësi të luajë në fushën që dua unë.

E kështu, Bablokun e votojnë edhe te eturit për drejtësi, edhe horrat që e shikojnë të fuqishëm ose të paktën më të zotin për të qëndruar në pushtet.

Në fund, Doktori e Manjani mbesin me gisht në gojë, pasi të gjithë të fortit do të rrijnë prap me Edi Ramën, duke u tallur me apologjitë nga ballkoni.

Po merruni me njerëzit o Kasta, nëse ju ka mbetur ndopak njerëzillëk. Horrat edhe mund t’ju vijnë mbrapa sërish, por është herët sot. Bëjuni pak të zgjuar, po ua kalojnë burgaxhinjtë që kanë më mend se ju…/Pamfleti 

burgaxhinjtë politika