Editorial21 Qershor 2024, 10:09

Rrugët për ta nxjerrë opozitën nga “papafingo” e Doktorit

Shkruar nga Pamfleti
Rrugët për ta nxjerrë opozitën nga “papafingo” e
Sali Berisha /

Pse heziton dikush nga jashtë të marrë opozitën shqiptare?

Ky ekuacion e ka zgjidhjen brenda. Pasi sot opozita është bërë një shesh beteje mes njerëzve të Sali Berishës dhe atyre të Lulzim Bashës.

Nëse një person i jashtëm apo outsider, do të vijë të kandidojë; ose duhet të vijë me elektorat me vete, gjë që është e pamundur, ose duhet të vijë me shumë para, siç hyri Donald Trumpi brenda republikanëve amerikanë. Por që kishte vite e vite që kandidonte, dhe vite e vite që ndërtonte terrenin për të kandiduar.

Sot terreni organizativ i Partisë Demokratike, ka bërë qilizëm çdo zë që nuk i përket palëve ndërluftuese. Përjashtimi i të gjitha zërave ndër vite, që nga mocionistët, e deri tek konservatorët e PD-së, e ka kthyer organizimin e strukturave të opozitës, në njësi militare dhe refraktare ndaj çdo ndryshimi.

A imagjinohet një outsider në vitin 1991, që të kandidonte për kryetar të Partisë Socialiste? Natyrisht që jo! Ishte Ramiz Alia, i cili ngriti një komision organizator për mbajtjen e kongresit të 10 të PPSH-së, ku të vetmit anëtarë të Byrosë Politike ishte ai vetë dhe Xhelil Gjoni.

Sali Berisha, as nuk ka ndërmend që të hapë rrugë për një emër nga jashtë. Madje edhe Evi Kokalarin që e ndihmoi kur e përjashtoi Lul Basha, e largoi. Berisha po u thotë të gjithëve se ai ka përgatitur të bijën për ta zëvendësuar në një të ardhme të afërt.

Edhe nëse vendos një emër formal si kandidat për kryeministër për zgjedhjet e ardhshme, ai nuk do të jetë lider i opozitës, por vetëm një kujdestar i doktorit. I ngjashëm me kandidaturën e Ridvan Bodes në zgjedhjet e vitit 2000, pasi Berisha ishte edhe atëherë ‘Non- Grata’.

I vetmi që mund ta bënte këtë lëvizje të guximshme, ishte Lulzim Basha, por ai bëri gjithçka për të vendosur veten në krye të partisë së ndarë, gjë që mbylli procesin.

Thirrja nga Basha i Bamir Topit, Rexhep Ukës apo Spartak Ngjelës nëpër simpoziume, dhe me një këmbë, pasi ende nuk janë të bindur nuk është lëvizje.

Ka dy rrugë Basha, nëse kërkon që të ndalojë hemoragjinë e radhës për tek Berisha dhe bllokimin drastik të opozitës tek papafingoja e doktorit.

E para që mund të rezultonte dhe më perëndimorja, është thirrja e një Asambleje Kushtetuese, ku të ftohen të gjithë, të gjithë të larguarit ndër vite, të miratohet një program pune për të çuar në një proces të lirë e të ndershëm zgjedhjesh, të cilat jo do vëzhgoheshin por të numëroheshin nga njerëz nga Partia Popullore Europiane. Në këtë proces të dalë me votim nga një Kuvend apo një trupë zgjedhore më e gjerë, kryetari dhe lidershipi i ri. Lulzim Basha, duhet të shtyjë procesin por nuk ka asnjë kuptim që të rikandidojë sërish.

Ky proces, do të sillte një uragan politik, duke marrë iniciativën e plotë deri në zgjedhje, e sipas të gjitha gjasave mund t’i afrohej shtresës së mesme.

Ndërkaq, rruga e dytë, do të ishte ajo e Ramiz Alisë, pra krijimi i një komiteti organizator që të ngrejë një Kuvend të ri të PD-së, ku të përjashtohet e gjithë udhëheqja aktuale. Nëse ndodh kjo, sërish do të duhet që Basha ta shtyjë procesin e të rrijë në prapaskënë. Çdo kokëfortësi për të mbajtur lidershipin e opozitës me 12 vjet në krye, jo vetëm është i pavolitshëm, por edhe nuk hap një dritare të re për të hyrë ajri i pastër, në një dhomë ku ka 30 vjet që kutërbon vetëm fryma e një grupi që është kthyer në sekt.

Ka edhe një rrugë të tretë; shkrirja e partisë dhe themelimi i një të reje, por duhet nisur nga rruga e parë, pra nga Asambleja konstituente./Pamfleti

rrugët opozita papafingo e doktorit