Editorial18 Qershor 2024, 14:46

Si shkohet drejt njohjes së ndërsjellë midis Serbisë dhe Kosovës?

Shkruar nga Alon Ben-Meir

Si shkohet drejt njohjes së ndërsjellë midis Serbisë dhe

Së pari, duhet të hiqen sanksionet ndaj Kosovës, dhe të miratohet një strategji e re negociuese, bazuar në një proces negociues reciprok ndërmjet dy vendeve dhe në ofrimin e stimujve për palën që tregon një gatishmëri të vërtetë për të bashkëpunuar...

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Havener, ka deklaruar së fundmi se “përfundimi i këtij dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të jetë njohja e ndërsjellë midis dy vendeve, sepse çdo gjë më pak se kjo, nuk e përmbush vizionin që kemi për një Evropë të lirë, të begatë dhe paqësore”.

Por problemi është se për të zbutur dallimet e tyre, dhe për të arritur njohjen reciproke, lëshime duhet të bëjnë të dyja palët. Dështimi i negociatave të kaluara, i detyrohet në radhë të parë dy aspekteve. Së pari, si ndërmjetësuese BE-ja nuk ka këmbëngulur mbi nevojën e masave reciproke, veçanërisht nga ana e Serbisë, për të avancuar procesin negociator.

Së dyti, siç e ka thënë vazhdimisht presidenti Aleksandar Vucic, Serbia nuk do ta njohë Kosovën, pavarësisht rrethanave që ndryshojnë. Po çfarë duhet për ta bindur Vucic të ndryshojë qëndrimin e tij, duke qenë se ai e di mirë se sovraniteti i Kosovës është i pakthyeshëm?

Nga ana tjetër, ai e di edhe se anëtarësimi i mundshëm i Serbisë në BE, të cilin e kërkon, do të jetë i pamundur nëse Serbia dhe Kosova nuk e njohin njëra-tjetrën. Refuzimi i njohjes së Kosovës, bie ndesh me interesin e tij për anëtarësim në BE.

Megjithatë, deri tani ka zgjedhur t’i përmbahet parimit të tij për shkak të disa rrethanave favorizuese, ku përfshihet kundërshtimi nga Rusia e Putinit, me të cilin Vucic dëshiron të mbajë lidhje të forta, në pritje të sigurimit të lëshimeve të mëdha nga Kosova, mungesës së presionit të përbashkët nga BE, ndjenjës së tij se ka avantazhin, pasi është Kosova ajo që ka nevojë për njohjen e Serbisë më shumë se sa anasjelltas, dhe së fundi për shkak të mungesës së ndonjë urgjence për t’u anëtarësuar në BE.

Plani franko-gjerman “Dialogu Beograd-Prishtinë: Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, i prezantuar më 27 shkurt 2023, përmban të gjitha elementet që nëse do të zbatoheshin do të kishin çuar tek njohja reciproke.

Edhe pse Vucic dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti ranë dakord mbi miratimin e planit, ata refuzuan ta nënshkruajnë atë. Gjermanët dhe francezët, deklaruan se të dyja palët ishin angazhuar për zbatimin e planit, dhe u duk sikur do të mjaftonte angazhimi i tyre verbal.

Por tani e dimë, se asnjëra palë nuk bëri ndonjë lëvizje të rëndësishme për të zbatuar ndonjë nga dispozitat e planit. Që atëherë, jo vetëm që s’ka pasur përparim në dialogun midis dy vendeve, por marrëdhëniet janë përkeqësuar më tej. Për të dalë nga ky ngërç BE-ja ushtroi më shumë presion tek Kurti sesa te Vucic, sidomos në lidhje me çështjen themelore të asociacionit të komunave serbe.

Marrëdhënie të tensionuara

Neni 7 i planit franko-gjerman apelon: ”Të dyja palët duhet të angazhohen për të nënshkruar marrëveshje dhe dhënë garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur tek përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar nivelin e duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës”.

Edhe pse mbi ngritjen e Asociacionit të Komunave Serbe - një organizatë ndërkomunale e zonave me shumicë etnike serbe në Kosovë - Prishtina ra dakord më shumë se një dekadë më parë, Kurti u zotua publikisht, por më pas hoqi dorë nga frika se një veprim i tillë nuk ishte në përputhje me Kushtetuta e Kosovës dhe në fund do t’ia lëshonte Serbisë atë territor.

Kundërshtimi i Kurtit ndaj planit, i acaroi më tej marrëdhëniet me Brukselin dhe Uashingtonin për shkak të mënyrës se si ai trajtoi shumë çështje shqetësuese për komunitetin serb në Kosovë, përfshirë çështjen e targave, forcimin e kontrollit të qeverisë së Prishtinës në zonat me shumicë serbe, futjen e euros për të zëvendësuar dinarin serb, vendosjen e policisë speciale në veri, vendosjen e kryetarëve shqiptarë në komunitetet me shumicë serbe, të cilët fituan zgjedhjet me një pjesëmarrje prej vetëm 3.5 për qind, dhe masa të tjera që shpesh dukeshin arbitrare dhe tejet jo-produktive.

Për pasojë, BE-ja vendosi sanksione, duke përfshirë ndalimin e disa takimeve të nivelit të lartë ndërmjet zyrtarëve të BE-së dhe kosovarëve, pezullimin projekteve të saj, si dhe frenimin e financimeve për Kosovën.

Koha për t’ia nisur nga e para

Tani që kanë përfunduar zgjedhjet e BE-së, dhe së shpejti do të emërohet një ndërmjetës i ri për të rifilluar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, unë besoj se ai ose ajo duhet t’ia nisin nga e para. Së pari, duhet të hiqen sanksionet ndaj Kosovës, dhe të miratohet një strategji e re negociuese, bazuar në një proces negociues reciprok ndërmjet dy vendeve dhe në ofrimin e stimujve për palën që tregon një gatishmëri të vërtetë për të bashkëpunuar.

Neni 2 i planit gjermano-francez, duhet të rifutet si një bazë për dialogun e ri, dhe të diktojë tonin e negociatave siç është artikuluar qartë në plan, ku ndër të tjera thuhet: “Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimet dhe parimet e përcaktuara nga Kombet e Bashkuara. Por edhe nga Kartat, veçanërisht ato të barazisë sovrane të të gjitha shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtës së vetëvendosjes, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mos-diskriminimit”.

Negocimi duhet të nisë me Asociacionin e Komunave Serbe, që është çështja më delikate. Një zgjidhje për këtë problem të veçantë, mund t’i hapë rrugë përparimit të mëtejshëm në shumë fronte të tjera, dhe me kalimin e kohës ta çojë procesin e negociatave drejt njohjes reciproke.

Serbia duhet të reagojë, duke mos e penguar anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare që zgjedh të hyjë, teksa përparon në procesin e asociimit në BE. Për më tepër, Serbia duhet të bjerë dakord të zbatojë Nenin 1, i cili u bën thirrje të dyja palëve të “zhvillojnë marrëdhënie normale, të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën, bazuar tek të drejtat e barabarta”.

Serbia mund të tregojë atë që në çdo rast është e nevojshme për të ulur tensionet me Kosovën, dhe për të ndihmuar në krijimin e një atmosfere të favorshme për bashkëpunim të vazhdueshëm. Një shembull tjetër është nëse Kosova, “njeh statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe ofron një nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, siç kërkohet në Nenin 7.

Nga ana e asaj, Serbia duhet të reagojë duke njohur “dokumentet dhe simbolet shtetërore të Kosovës, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat dhe vulat doganore”, sipas Nenit 1.

Çimentimi i një bashkëpunimi të tillë, përmendet në Nenin 9 të planit, i cili u bën thirrje “të dyja palëve të marrin parasysh angazhimin e BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë investimi dhe mbështetje financiare për projektet e përbashkëta të Palëve në zhvillimin ekonomik, ndërlidhje, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe”. Projektet e përbashkëta, janë veçanërisht të rëndësishme pasi ato nxitin kontakte të përditshme që përmirësojnë më tej marrëdhëniet e tyre fqinjësore.

Një leksion që Albin Kurti duhet ta mbajë parasysh

Meqë plani franko-gjerman, kërkon nga të dyja palët të marrin masa të barabarta për të çuar përpara njohjen reciproke si dhe procesin e integrimit në BE. Ndërkohë ndërmjetësuesit e Brukselit duhet të krijojnë stimuj për palën që tregon vullnet, gatishmëri dhe aftësi për të vepruar sipas planit.

Po ashtu, ai u bën thirrje të dyja palëve të marrin masa në shumë fusha. Në analizë të fundit, meqë Kosova dëshiron të integrohet në BE sa më shpejt që të jetë e mundur, Kurti apo pasardhësi i tij duhet të bashkëpunojë plotësisht me BE-në dhe SHBA-në.

Ai nuk ka treguar në të kaluarën një nivel të tillë bashkëpunimi. Përkundrazi, u armiqësua BE-në deri në pikën që ndaj tij u vendosën sanksione. Ky është një leksion, të cilin Kurti duhet ta ketë parasysh, sidomos në këtë moment kur po caktohet një ndërmjetës i ri i BE-së për lehtësimin e njohjes reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës./Pamfleti

njohja e ndërsjellë kosova serbia