Editorial22 Maj 2024, 10:16

Si trekëndëshi Lezhë- Mirditë- Kurbin, u kthye në vatrën kriminale të politikës

Shkruar nga Pamfleti

 

Si trekëndëshi Lezhë- Mirditë- Kurbin, u kthye në
Trekëndëshi i vatrës kriminale të politikës /

 

Pse është trembur politika nga aksioni transversal i SPAK-ut

Të gjitha historitë që tregohen me pat’hos e patetizëm nga heronjtë e ekraneve, nuk janë gjë tjetër vetëm një kronikë e ditur e këtij vendi.

Vetëm të shohësh pamjet e tmerrshme me shkopinj bejsbolli të filmuar nga familjarët e deputetit Rraja, kupton se çfarë ishin gjithë këto grupe.

Të gjithë këto grupe kriminale kanë qenë, e ndoshta mund të prodhojnë edhe të tjera, siç kanë ekzistuar ndër vite e vite. Grupe që merren me gjoba, ruajtje tërritori, kontrabandë, trafik narkotikësh, trafik qëniesh njerëzore, tutor prostitutash etj., etj.

Por në 15-20 vitet e fundit, këto grupe kriminale u kthyen në përbindsha që qarkullonin para pa fund, duke terrorizuar komunitete të tëra, ngaqë u rreshtuan në krahun e armatosur të politikës.

Në vitet ’90, thirreshin për “punë të vogla”, më pas u afruan në grupet e Gardës, për të bërë trafikun e vajzave të Lindjes në fundvitet ‘90, duke pasur në xhep kartën e ruajtësit të ligjit.

Më vonë, u bënë njerëz me fuqi në territor, pasi në trafiqet e shumta në Europë rekrutuan ushtarë pa fund. Ushtarë që kishin familje, të afërm, por edhe investonin në atdhe.

Përveç argëtimit në tallava me bluzat kuqezi, këta të fortë morën një ofertë të madhe nga politika. Që të bëhen ortakë në marrjen e një mandati deputeti në territoret e tyre. Ku ishte e thjeshtë që të merrej vota në komunitet. Kështu u krijuan ishujt e Lezhës, Niklës, Shijakut e Rrashbullit.

E gjitha kjo bëhej për tre mandate deputeti gjithsej: një në qarkun Lezhë dhe dy në qarkun Durrës. Për këto tre mandate deputeti, në gjithë këto vite u bë zallamahia e fuqizimit të krimit, që më pas shantazhuan politikën për të marrë gjithçka në dorë.

Sipas sistemit elektoral aktual, thuajse dihej shpërndarja e mandateve të deputetëve, pasi partitë i njihnin përqindjet e tyre.

Lufta shkonte tek deputetët e kufirit. Pra nëse një parti merrte vetë një gjysëm deputeti, reston ja siguronin “Skifterat”.

Në vitin 2009, ishte PD e Sali Berishës që mori deputetin e 4 në Lezhë, deputetin e 6 në Fier, dy deputetë plus në qarkun Durrës, pra një në Shijak, e një në Nikël, e një deputet në Elbasan.

Në vitin 2013, Edi Rama i dha spaletat e kandidatit për deputet Arben Nokës, i cili mori deputetin e 4 në Lezhë, bëri generalë Rrajat e Niklës dhe Abdylajt e Shijakut që i dhanë dy deputetët e Durrësit.

Ndërkaq, në Shkodër, Tom Doshi me Mark Frrokun morën deputetin e 5 në qark. Kështu u krijua legjenda urbane se Parlamenti mund të fitohet edhe pa pasur nevojën e votuesve, pra të popullit. Në të vërtetë, e gjithë kjo ishte një tollumbace e shfryrë. Pasi të gjithë horrat bashkë nuk mund të merrnin as 12 mijë vota sa duhet për një deputet. Por loja ishte se këta bënin presion ose rrisnin marzhin tek kufiri i pjesës që kishin siguruar partitë.

E kjo çoi në fuqizimin në ekstrem të krimit që morën shtetin. Atyre nuk u mjaftonte Kuvendi, pasi atje s’ja dilnin dot, donin policinë, tatimet, kadastrat etj.

Po drama është se nëse Edi Rama e bëri këtë pakt, në qerthull u futën edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta. Të cilët vijuan në kërkimin e rivalëve të këtyre grupeve për të gjetur fuqi në territor. E gjithë kjo solli kaosin. Politikanët nuk e kanë bërë për interes politik këtë pakt. Por e gjitha ka në prapaskenë: paratë! Pasi me të fortët, ata mund të merrnin cash-in që gangsterët thjesht e administronin. Padyshim që administrimi ke kokëshkretët është i vështirë pasi ata rrisin ditë për ditë komisionin. Por kur rritet xhiroja, fitimi rritet edhe më shumë.

E gjitha kjo është një biznes, ku grupet kriminale asnjëherë nuk kanë pasur rehati, edhe pse kanë fituar para, famë dhe pushtet. Ky pushtet nuk ka qenë kurrë i tyri, por i politikës. Ndaj aksioni i SPAK u djeg, se duhet të gjejnë grupe të reja. Të cilët, përveç të tjerave janë më të zgjuar e mund të luajnë me dy porta./Pamfleti

trekëndëshi lezha mirdita kurbini vatra kriminale e politikës