Editorial13 Prill 2024, 10:11

Rinasi, historia e suksesit me Flamur shqiptar

Shkruar nga Pamfleti
Rinasi, historia e suksesit me Flamur shqiptar
Tirana International Airport /

Është interesante që rekordet ekonomike, financiare, të menaxhimit dhe standardit i ka thyer pikërisht një kompani shqiptare, e cila është sot jo thjesht partneri i liderëve botërorë të aeronautikës dhe transportit civil ndërkombëtar, por edhe partner i gjigandëve të turizmit…

Në këto 33 vjet, që kur Shqipëria braktisi komunizmin dhe përqafoi kapitalizmin, historia më e madhe e suksesit me firmë shqiptare është Aeroporti i Rinasit.

Kjo portë që është kthyer në motorin e ekonomisë së vendit, përbën edhe flamurin glamur të biznesit shqiptar, duke konkuruar fuqishëm edhe me Beogradin që për vite e vite ka qenë aeroporti më i madh në Ballkan.

Ndërtimi i pistës së re për fluturimet interoqeanike, e kthen frikshëm ‘Tirana International Airport’ në një fuqi të madhe jo thjesht rajonale, por edhe evropiane.

Rinasi, historia e suksesit me Flamur shqiptar

E të mendosh se kjo histori është krejt e re, dhe e marrë nga një trashëgimi e errët e menaxhimit të të huajve, kur Rinasi njihej si ‘molla e ndaluar’ për qyetetarët e zakonshëm të këtij vendi.

Sot, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, është një nga terminalet më ‘low coast’ të rajonit e më gjerë, ku kanë hangarin tre nga kompanitë më të fuqishme të kostos së ulët në kontinent.

Përkatësisht Wiz Air me Flamur hungarez, që është një kompani e njohur dhe e fuqishme evropiane; gjigandi Ryanair, si dhe ‘Lauda’ austriake që ka pronar legjendën e Formula 1: Nicky Lauda.

Rinasi, hyri në apokën e tranzicionit, si një stacion i ndryshkur i komunizmit, e më pas në vitet 2000 u mor në administrim nga një kompani gjermane. E cila e ktheu ‘Tirana International Airport’, në terminalin me biletat më të shtrenjta të rajonit, ku në mënyrë të pajustifikuar i rripte emigrantët shqiptar që vinin në vendlindje.

Nuk kaloi shumë kohë, dhe aeroporte alternative si Podgorica dhe Shkupi, morën një fetë të madhe të klientelës shqiptare, pikërisht prej ofertave të tyre më të lira.

Më pas gjermanët e shitën duke ja dhënë kinezëve, që bënë të njëjtën gjë. Por prej më pak se 5 viteve në Rinas u ngrit flamuri shqiptar, dhe një kompani vendase si ‘Kastrati’ mori në dorë menaxhimin e portës më të rëndësishme të Shqipërisë me botën.

Nuk vonoi shumë dhe u rrëzua miti i ‘mollës së ndaluar’, e sot Rinasi është një aeroport evropian nga më të lirët në kontinent.

Që solli rikthimin e emigrantëve tanë, udhëtarëve nga Kosova, por mbi të gjitha bumin e turistëve nga e gjithë bota.

Bumi turistik i Shqipërisë, në dy vitet e shkuara, ka pasur si bazë pikërisht menaxhimin perfekt, miqësor dhe mjaft ekonomik të ‘Tirana International Airoport’, i cili bërthamën e fluturimeve të tij e ka për klientin popullor e jo të pasur. Edhe pse ka oferta e shërbime luksoze që nga charteri apo klasi i parë, ku milionerët janë ndjerë si në përralla.

Në 33 vite, nuk ka, jo vetëm kompani shqiptare, por asnjë kompani që ka vepruar në Shqipëri, që të ketë arritur një sukses kaq të rëndësishëm. Vetëm për vitin e shkuar ka regjistruar 7 milionë pasagjerë. Një shifër e frikshme për çdo konsorcium botëror, ku të ardhurat i kanë sjellë bereqet jo vetëm menaxhimit të aeroportit por krejt vendit.

Deri më sot, të gjitha kompanitë e mëdha të huaja që kanë administruar burimet e mëdha natyrore në vend, por edhe ato teknologjike e më gjerë, ‘pjesën e luanit’ e kanë transferuar në vendet e origjinës. Ndërsa TIA është “kompania ‘Flamur’ e Lalës” siç e quajnë Shefqet Kastratin, i cili pikërisht te TIA ka investuar të gjitha energjitë për ta kthyer atë në një ekselencë shqiptare. Një ekselencë që më së pari i shërben njerëzve që nuk janë të pasur.

Është interesante që rekordet ekonomike, financiare, të menaxhimit dhe standardit i ka thyer pikërisht një kompani shqiptare, e cila është sot jo thjesht partneri i liderëve botërorë të aeronautikës dhe transportit civil ndërkombëtar, por edhe kulmeve të biznesit të turizmit.

Sa për ilustrim, pikërisht ‘Kastrati’ është një nga kompanitë më të afërta të ajkës së kapitalizmit në SHBA. Këtë e tregon edhe miqësia e afërt e Lalës dhe djemve të tij me Presidentin Donald Trump dhe familjen e tij, ku së fundmi pritet të jenë edhe partner në investime të tjera në Shqipëri. / Pamfleti

aeroporti i rinasit historia e suksesit flamuri shqiptar